“Deputetë, jeni kthyer në palaço cirku”
“Në fund, me urdhër dhe nga frika mund edhe ta miratojnë reformën. Dhe mirë do bëjnë, pavarësisht se një pjesë e tyre, për nga formimi i mangët ligjor që kanë, as e kanë idenë se çfarë do të votojnë. Vetëm se ka të drejtë Dom Gjergj Meta, këta nuk kanë dinjitetin e një politikani të përgjegjshëm për fatet e vendit. Mjafton një vulë ambasade e huaj dhe të ulin kokën”.
Nga Qamil XHANI
Fakti që reforma në drejtësi po mundësohet vetëm nga presioni ndërkombëtar dhe deputetët shqiptarë nuk kanë rënë dakord për kalimin e saj me konsensus, ka shkaktuar jo pak reagime. Kleriku i njohur katolik Dom Gjergj Meta, shprehet se, deputetët nuk e meritojnë të jenë në ato karrige, përsa kohë që një reformë e tillë po kalon vetëm me urdhrat e ndërkombëtarëve.
Në një koment në Facebook, Gjegj Meta komenton lajmin që zuri mjaft hapësirë në media këto ditë, se drafti i reformës dhe ndryshimet kushtetuese mbajnë që mbajnë vulën e SHBA-ve është vendosur në tavolinat e deputetëve të Kuvendit. Ai thotë se, nëse kjo është e vërtetë, Parlamenti shqiptar duhet të shkrihet, ndërsa i cilëson deputetët si palaço cirku.
“Nëse ky lajm është i vërtetë atëherë të shkrihet menjëherë Parlamenti shqiptar. Jemi në kufijtë, madje, përtej kufijve të absurdit. Nuk kanë pse rrinë më në ato karrige deputetët e Shqipërisë. Ky gjest i bën ata deputetë palaço cirku. Ky vend nuk ju meriton asnjërin përfshi miqtë dhe miket e mia deputete. Ju nuk e meritoni atë karrige… E keni çu veten në atë pikë? E pabesueshme…”, shkruan në Facebook, Dom Gjergj Meta.
Dy ditë pasi Ambasada e SHBAve në Tiranë ka botuar projekt-Kushtetutën e re të Shqipërisë ku reflektohen projektamendamentet e reformës në drejtësi, të cilat ende nuk janë miratuar në Parlament, kjo “kushtetutë” ka shkuar në duart e deputetëve jo me vulën e Kuvendit të Shqipërisë, por me vulën e Ambasadës së SHBA-ve. Projekt-Kushtetuta e re e botuar nga Ambasada e SHBAve, OPDATE, OSBE, Euralius etj., iu është vënë në dispozicion deputetëve nga administrata e Kuvendit, megjithëse PS-ja dhe PD-ja nuk kanë rënë ende dakord për ta votuar. Madje, Partia Demokratike e cilësoi nisjen e procedurave për miratimin e këtij drafti si një procedurë anti-kushtetuese.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës sqaron se, dokumenti nuk është një botim zyrtar i Republikës së Shqipërisë. Qëllimi i botimit të saj është informimi i publikut shqiptar rreth amendamenteve të mundshme dhe ndryshimit të Kushtetutës së tyre.
Megjithatë, revolta nuk ka të bëjë me nismën e ambasadës. Përkundrazi, ky institucion ka treguar se është në krah të proceseve që zhvillojnë vendin. Në gjithë këtë amulli të qëndrimeve të partive politike, duket se të vetmit që e ka seriozisht miratimin e reformës janë ndërkombëtarët. Ajo që është e rëndë dhe revoltuese në këtë situatë është qëndrimi i politikës shqiptare. Aq e paaftë dhe aq jo bashkëpunuese është sa dhe dokumentin themelor të shtetit nuk e miraton vetë, por pret t’ja sjellin të gatshme. Këtu nuk flitet për ligje formale, por për reformën që do të përcaktojë zhvillimet në Shqipëri në 50 apo 100 vitet e ardhshme. 140 deputetët janë zgjedhur në atë detyrë për të bërë ligje, për të përmirësuar kornizën ligjore që mban në këmbë një shtet. E kanë detyrë kombëtare dhe betohen kur marrin mandatin të punojnë për interesat e vendit. Nuk po u kërkohet të bëjnë sakrifica sublime, por vetëm të gjejnë konsensus. Nëse edhe dokumentet kaq të rëndësishme nuk arrijnë t’i hartojë vetë dhe të jenë dakord, përse na duhen deputetët? Atëherë më mirë ambasadat e huaja të na sjellin ligjet, vendimet, aktet nënligjore!
Në fund, me urdhër dhe nga frika mund edhe ta miratojnë reformën. Dhe mirë do bëjnë, pavarësisht se një pjesë e tyre, për nga formimi i mangët ligjor që kanë, as e kanë idenë se çfarë do të votojnë. Vetëm se ka të drejtë Dom Gjergj Meta, këta nuk kanë dinjitetin e një politikani të përgjegjshëm për fatet e vendit. Mjafton një vulë ambasade e huaj dhe të ulin kokën.