“Detyra shpie”/Ministrat raportojnë sa padi kanë bërë kundër opozitës
-Kryeministri Rama paralajmëroi dje se ka gati 12 padi ndaj opozitës, sikurse premtoi se po bën gati edhe 24 padi të tjera. Ndërkohë puna nëpër ministri dhe institucione matet me sa padi kanë bërë ndaj PD dhe LSI. Pritet që Rama të padisë edhe ish-kryeministrin Berisha dhe kryedemokratin Lulzim Basha.
Kryebashkiaku Erion Veliaj fitoi dje gjyqin për shpifje ndaj këshilltarit të PD në Këshillin Bashkiak të Tiranës, Akil Kraja. Pas 12 muajsh proces, Gjykata e Tiranës vendosi që zyrtari i opozitës të paguajë 1 milionë lekë për dëm moral ndaj kreut të Bashkisë së Tiranës. Kreu i PD-së dhe deputetë të opozitës akuzuan se vendimi është i njëanshëm dhe gjykata ka vendosur nën presion politik. Pavarësisht reagimeve politike, ky është procesi i parë gjatë viteve të fundit ku përplasjet politike dhe akuzat që shpesh herë e kalojnë masën, duke përfunduar në gjykatë. Fitorja në gjykatë e Veliajt dje është përshëndetur nga kryeministri Edi Rama dhe mazhoranca si nisja e një epoke ku të gjitha përballjet publike me akuzat që ka bërë opozitë do të marrin një përgjigje në gjykatë.
Në tre muajt e fundit i vetmi produkt që kanë prodhuar partitë politike këto muaj janë paditë. Që prej muajit gusht kur Taulant Balla hapi me urdhër të Edi Ramës listën e padive, sot mazhoranca numëron dhjetra padi të tilla kundër deputetëve të opozitës. Ndërkohë dje Edi Rama paralajmëroi se ka gati 12 padi ndaj zyrtarëve të opozitës. Deri me sot njoftuar se do të padiste Sali Berishën për akuzën që ky i fundit i bëri për kostumet që i ble në SHBA. Por në listën e Ramës pritet të jenë edhe një sërë zyrtarësh të tjerë të opozitës duke nisur nga kryedemokrati Lulzim Basha. Në deklaratën e tij Rama tha se ka dhe dy dyzina të tjera me padi, pra afërsisht 24. Me një llogari të thjeshtë, i bie që vetëm Edi Rama të dorëzojë në gjykatën 36 padi. Nëse Rama me të vërtetë i çon në gjykatë, atëhere thuajse gjithë grupi parlamentar i PD-së shumë shpejt do të jetë në bankën e të akuzuarve për shpifje. Kryeministri nuk është i vetmi. Rreth 10 padi janë bërë gjatë ditëve të fundit nga Taulant Balla. Dy padi ka deklaruar se do t’i bëjë Drejtori i Komunikimit në Kryeministri, Edri Fuga. Dy padi “taze” deklaruan dje deputetët Ulsi Manja dhe Jurgis Çyrbja. Ndërkohë që në listë për të firmosur paditë janë gjithë ministrat e qeverisë “Rama”. Thuajse çdo zyrtar i qeverisë ka marrë urdhër që për çdo denoncim që i vjen në media apo rrjetet sociale të depozitojë urgjent kallëzimin për shpifje. Siç edhe deklaroi kryeministri Edi Rama, një grup juristësh në qeveri merret me çdo denoncim duke orientuar zyrtarët për ndjekjen e procedurave ligjore. Pjesë e kësaj skeme është dhe krijimi i fondit për mënyrën sesi do të përdoren lekët që do të fitohen në gjyqe. Kryeministri Edi Rama është i bindur se të gjitha akuzat janë shpifje ndaj dhe dje kërcënoi se “opozita” do të lërë edhe çizmet nëpër gjyqe me mazhorancën.
Paditë për shpifje janë kthyer në një sport kombëtar, ku pas vendimit për heqjen e lojërave të fatit, po “infekton” gjithë administratën. Kjo klimë kallëzimesh për shpifje ndaj opozitës duket se është kthyer në qëllim në vetvete. Ministrat nuk kanë më hallin sesi do të realizojnë premtimet apo si duhet të punojnë, por si të arrijnë numrin e padive që u kërkohet nga qeveria. Në fund, kur të vijnë zgjedhjet ministrat nuk do mburren me çfarë arritën në punën e tyre, po sa demokratë dhe opozitarë paditën në gjykatë.
Sigurisht që një pjesë e denoncimeve janë aq të rënda sa vetëm gjykata mund të jap një verdikt final. Por skema e Ramës për të nisur fushatën e padive është llogaritur si një reagim ndaj sulmeve të opozitës, të cilat për hir të së vërtetës jo të gjitha janë shpifje. Me listën e padive formalisht qeveria “Rama” fiton kohë. Për një vendim për shpifje ndaj zyrtarëve të lartë gjykatat në Shqipëri kanë kërkuar mesatarisht një vit kohë deri në dhënien e vendimit. Shumica e çështjeve për të cilat kanë denoncuar opozitar lidhen me skandale konkrete të ditëve të fundit, si “Xhisiela”, “Toyota Yaris”, etj,. Pas një viti politika do të ketë halle të tjera dhe askush nuk do t’i jap rëndësi padive të Taulant Ballës. Ajo që fiton PS me këtë rast është se me dorëzimin e padive, deputetët që ka denoncuar i frenon për të mos bërë deklarata sa të mbyllen këto histori. Dhe duke ditur se jemi në Shqipëri, ku përherë fiton pushteti përballë opozitës, kur shkohet në gjykatë, atëhere i bie që qeveria në Fondin e Padive do të krijojë një fond sa për të financuar rrugën Milot-Balldre, e cila thuhet se është shumë e shtrenjtë.
Në serinë e padive të PS dhe Qeverisë ka dhe një problem moral. Është kjo mazhorancë që deri dje deklaronte se gjykatat e vendit janë të kalbura nga korrupsioni dhe nuk mund të japin më drejtësi. Sulmi që u është bërë gjyqtarëve nga PS është më i ashpri ndonjëherë ndaj sistemit të drejtësi. Sot socialistët po kërkojnë të shpëtojnë imazhin dhe të pastrohen nga akuzat, pikërisht nga gjyqtarët më të korruptuar, siç i kanë quajtur ata vetë. Në këtë linjë ka dhe një tjetër detaj që nuk i bënë nder mazhorancës. Gjyqtarët që do të marrin në dorë çështjet e tyre janë në procesin e vettingut. Akuza kryesore për reformën në drejtësi sot është që po kontrollohet nga segmente të qeverisë. Në këtë situatë nuk ka gjyqtarë që jep vendime kundër qeverisë, pasi askush nuk do t’u hyjë telasheve para vettingut.
Ndaj fillimi i stuhisë së padive nga mazhoranca nuk krijon shije të mirë. Në fund të fundit opozita ka vetëm fjalën, sepse pushteti i ka marrë të gjitha pushtetet.
A.Marku