Dje kishte dhunë, përleshje dhe gjak para Parlamentit

Protesta e banorëve të Unazës së Re para godinës së Kuvendit është kthyer dje në një përplasje të dhunshme. Sipas të dhënave të Policisë së Shtetit, si pasojë e përplasjes 13 efektivë të policisë u plagosën. Mes forcave të policisë, në gjendje më të rëndë është 24 vjeçarja, Ina Kuka, e cila humbi disa nga gishtat e dorës ndërsa u përpoq të largonte nga supi një kapsollë plasëse. Ndërkohë bilanci i të plagosurve nga radhët e protestuesve ishte i paqartë edhe disa orë pas përfundimit të protestës. Zyrtarisht policia tha se janë “tre të plagosur lehtë nga protestuesit”. Ndërkohë deputetë të opozitës që ishin në protestë deklaruan se numri mbetet më më i madh. Sipas tyre, për shkak të frikës nga arrestimi i policisë, pjesa më e madhe e protestuesve që u lënduan në tubim nuk u paraqitën në Spitalin Ushtarak për kurim. Policia deklaroi se janë shoqëruar dhe ka nisur procedim penal për 11 persona që morën pjesë në protestë. Ata akuzon për “dhunë ndaj policisë” dhe “zhvillim të paligjshëm të mitingjeve”. Pamjet filmike të një pjese të mediave tregojnë se policia ka arrestuar protestues gjatë kohës që ishin në spital për të marrë ndihmë mjekësore. Gjithashtu, aksione të policisë janë bërë dhe gjatë rrugëve të Tiranës duke krijuar tensione dhe panik. Mes të arrestuarve rezultojnë edhe të minorenë nën moshën 18 vjeç.
Dhunimi i forcave të rendit, sigurisht që mbetet një akt i dënueshëm dhe jo normal. Edhe pse qeveria e rriti për efekt propagande numrin prej 13 policëve të plagosur, mjafton vetëm plagosja e 24-vjeçares Ina Kuka, për tu distancuar nga dhuna dhe për të dënuar personin përgjegjës që hodhi kapsollën. Por incidenti me policinë, nuk i jep të drejtën qeverisë dhe askujt që qytetarët e saj të Unazës së Re ti trajtojë si terroristë apo siç i përqeshi kryeministri Rama gjatë fjalës së tij në parlament. Të gjithë e dinin se protesta e djeshme para Kuvendit do të kishte tensione dhe dhunë. Policia kishte informacione dhe vet banorët deklaruan se “protestën e kishin për Edi Ramën”. Duke parë gjithë këtë mllef që ishte grumbulluar prej 17 ditësh nga protestuesit, cili drejtues i Ministrisë së Brendshme urdhëroi që para banorëve të inatosur të rreshtoheshin police femra? Kush i sugjeroi policisë që përballë protestuesve të vendoste trupa të zakonshme policie, pa skanfandër, pa mjete mbrojtëse, por vetëm me uniformë? Policët që u plagosën dje nuk kishin asnjë pajisje që parashikon rregulloja në menaxhimin e protestave të dhunshme. Sigurisht kjo nuk e justifikon dhunën. Përballë plagosjes së policëve dhe dramës së 24-vjeçares sot këto detaje kanë pak rëndësi dhe gjithë mllefi shkon te protestuesit, por çështja shtrohet pse drejtuesit e shtetit në këtë situatë u treguan kaq pak profesionistë. Mos vallë u interesonte që të “çonin mish” për top disa policë dhe që më pas të dilnin të deklaronin, siç dhe dolën, që shpellarët dhe barbarët goditën shtetin.
Por para se të diskutohet çështja e dënueshme e dhunës, ngjarja e djeshme ka një kronologji që nis nga salla e parlamentit dhe që bën me përgjegjësi Edi Ramën. Derisa kryeministri nuk kishte folur në Kuvend, protesta nuk kishte shenja dhune. Protesta mori përmasa të dhunshme dhe akte kundër policisë, në momentin që kryeministri mbajti një nga fjalimet më agresive ndaj qytetarëve të vendit të vet në Kuvend. Shprehjet e përdorura nga Edi Rama, etiketimet ndaj qytetarëve dhe fyerjet direkte ndaj pronarëve të banesave në “Astir” janë të padenja për një kryeministër. Një kryetar qeverie mundohet të shmang tensionet, të gjejë zgjidhje, të krijojë hapësira për marrëveshje. Por Rama dje bëri të kundërtën. Foli në Kuvend njëlloj sikur të kishte dalë për të provokuar banorët që tek e fundit qeveria e tij po u merr të vetmen gjë që kanë, shtëpitë e tyre. Me të njëjtën gjuhë kërcënimi vijoj edhe në Spitalin Ushtarak ku u përballë me këpucët e protestuesve.

Një kryeministër e zgjedh vet mënyrën si sillet dhe si flet ndaj qytetarëve. Por para se të mbaj fjalime, një kryeministër duhet edhe të mendojë se deklaratat e papërgjegjshme si ato që tha dje në Kuvend, jashtë sallës shkaktojnë dhunë dhe gjak.
Dje ndodhi një përplasje e dhunshme, e cila është fillimi i fundit të Edi Ramës, i cili po qeveris me arrogancë dhe me përçmim me qytetarët e vendit, me korrupsion dhe me krim- tha një drejtues i LSI-Dhe fundi po vjen para zgjedhjeve të qërshorit 2019.
Q.Xhani

SHKARKO APP