Dibra, të dielën “Vaterloja” e Ramës?
-Lulzim Basha: “Kam një mesazh për çakejtë e Kryeministrit. Mos guxoni të prekni votat, ndryshe….”.
-Rama, Gjiknurit: “Fati jot si ministër kalon nga Dibra”! Ministri Damian Gjiknuri: Bashkinë do ta rimarrim të dielën në mbrëmje
Zgjedhjet në Dibër po trajtohen si përballje finale nga të dy kampet. Dibra, bashkia me 78 mijë banorë, duket sikur do të vendosë fatin e 3 milionë shqiptarëve. Qeveria ka lënë çdo punë tjetër dhe merret vetëm me fushatën për kreun e bashkisë së Peshkopisë. Kryeministri, si rrallë herë në zgjedhjet e pjesshme, ka zhvilluar disa mitingje. Një pjesë e ministrave prej një muaji janë zhvendosur bashkë me vulat në hotelet e pakta të qytetit. Deputetët e PS-së, edhe ata që kanë tre vite që nuk shkojnë në qytetet ku janë zgjedhur, këto ditë i gjen në Dibër, duke folur për sukseset e Rilindjes. Thesi i buxhetit është hapur për projekte në rrugë, shkolla, spitale, çerdhe dhe deri tualete publike.
Njëlloj si në betejë finale, PS-ja ka rreshtuar gjithë ushtrinë se saj me nëpunës, policë, drejtorë, biznesmenë dhe qeveritarë për fituar zgjedhjet e së dielës. Në asnjë fushatë tjetër lokale, qeveria dhe vetë kryeministri nuk është investuar deri në detaje për fatin një bashkie. Emri i kryetarit të ri të Bashkisë mund të jetë i rëndësishëm për dibranët që do votojnë, por fitorja apo humbja partive nuk është një ngjarje kombëtare. Si rregull, janë zgjedhje lokale për të zgjedhur administratorin e bashkisë. Nuk vendoset as fati politik i Ramës dhe as fati i Bashës, cilido prej kandidatëve që të fitojë. Porse betejën Tirana politike e ka kthyer në betejë “për jetë a vdekje” në Dibër.
Megjithatë, nga mënyra sesi palët janë rreshtuar në këto zgjedhje duket sikur të dielën mazhoranca nuk do të pranojë humbjen. Këtë e tregojnë fjalimet e Ramës, deklaratat e ministrit Gjiknuri, stafet e ministrave, deputetët dhe biznesmenët që thuajse janë bërë banorë të Dibrës. Këtë e dëshmojnë dhe përplasjet fizike, të fortët që janë parë këto ditë në qytet, por edhe zërat për lekë dhe fushatë jo të ndershme. Dhe nëse PS të dielën vendos të hyjë në zgjedhje me këtë skemë, Dibra rrezikon të kthehet “Vaterloja” e Ramës.
Dhe kjo fushatë e PS-së në Dibër të kujton jo pak gjëra nga Vateroloja. Njëlloj si Napoleoni në vitin e largët 1815, edhe Rama po hedh të gjithë ushtrinë që ka, nga shoferët e deri të ministrat për ta fituar. Vetëm se, njolloj si Napoleoni, edhe Rama mund të pësojë disfatën më të madhe politike. Pse mund të jetë disfatë për Ramën? Së pari, sepse këtë fushatë e ideoi vetë dhe e ktheu nga lokale në kombëtare. Duke i rritur rëndësinë fushatës në Dibër, në fakt rriti dhe riskun për të dëmtuar qeverinë e tij. Humbja e PS-së në Dibër do të shihet si humbje e Ramës, jo Muharremit, por Kryeministrit Edi Rama. Humbja e PS-së, do të jetë paralajmërimi i zgjedhjeve të vitit 2017. Sepse nëse Rama dhe gjithë kabineti i tij nuk fitojnë dot në Dibër, është vështirë që të bindin gjithë Shqipërinë t’i votojë në zgjedhjet e ardhshme.
Por më shumë se humbja apo fitorja, Dibra mund të jetë një Vaterlo për Ramën për standardet e zgjedhjeve që do të bëhen të dielën. Dy ditë më parë stafet e dy kandidatëve u përleshën fizikisht. Çdo ditë ka akuza për blerje votash dhe frikësim votuesish. PD-ja ka dorëzuar në prokurori padi penale për 18 drejtorë dhe nëpunës që kanë shpërndarë lekë.
Kreu i PD-së, Lulzim Basha u shfaq dje kërcënues në mitingun përmbyllës. “Kam një mesazh për çakejtë dhe orlat e Edi Ramës që sillen vërdallë. Mos guxoni të prekni një votë të vetme. Mos fusni duart në vullnetin e sovranit se do të jetë një përgjegjësi që nuk do tua mbajnë dot gjunjët”,- u shpreh kreu i PD-së. Dhe PD do e shfrytëzojë në maksimum çdo denoncim për vjedhje votash me qëllim dëmtimin politik të Ramës.
Të gjithë këto janë shenja se e diela nuk do të kalojë pa incidente. Institucionet ndërkombëtarë po monitorojnë situatën. SHBA, BE vëzhguesit e tjerë të huaj pritet të jenë të pamëshirshëm në raportet e tyre. Nëse zgjedhjet në Dibër nuk kalojnë testin e standardeve demokratike, kostoja do të bjerë jo mbi Muharrem Ramën, por mbi Edi Ramën. Ndaj Dibra mund të jetë Vaterolja e një kryeministri që vendosi bast kombëtar, në një betejë lokale.
Ilir Meta tek Sokol Balla tha se është një duel lokal dhe nuk ka pse kthehet në betejë kombëtare, por në kryeministri mendojnë ndryshe:E duan me çdo kusht fitoren të dielën. Por nëse preket vota apo vidhet në mënyrat shqiptare atëhere opozita nga Dibra do turret në Tiranë për të rrëzuar Ramën me forcë. Dhe nuk do të pranojë me të futet në zgjedhjet politike me Ramën kryeministër.
Ndaj më mirë lërëni votuesit e Dibrës të votojnë të qetë!
Shënim:
Beteja e Beteja e Waterloo u zhvillua me 18 qershor 1815 nga ushtria e Napolonit kundër ushtrive të koalicionit i cili përbëhej nga Anglia, Austria, Rusia, Prusia, Suedia, Mbreteria e Sardenjas, Hollanda dhe nga disa shtete gjermane. Kjo ishte beteja e fundit për Napoleonin dhe shënoi për të fumbjen përfundimtare. Për faktin se merrnin pjesë shumë shtete dhe për faktin se ishte një betejë shumë e rëndësishme, kjo betejë konsiderohet si beteja me gjakderdhese e shekullit XIX, beteja zgjati afërsisht 7-8 orë në të cilat u vranë afërsisht 50 mijë ushtarë.