Dikush të dorëhiqet
Përplasja me armë ditën e hënë në Tiranë, ku mbeti i vrarë një persona dhe u plagosën 3 të tjerë është kthyer në qendër të debatit publik. Partia Demokratike shtoi dje dozën e akuzave duke përfshirë në këtë histori kryeministrin Edi Rama. Kreu i deputetëve të PD-së, Edi Paloka, tha dje se kryeministri po shpërblen bandën që e ka ndihmuar gjatë fushatës elektorale. Paloka nuk e përmendi asnjë herë emrin e Emiljano Shullazi, personit me precendentë penale, që sipas PD-së “është i lidhur me mazhorancën”, po ai akuzoi kreun e mazhorancës për ndihmë në lirimin e tij. Në deklaratën e tij Paloka bëri të ditur dhe detaje që nuk kanë dalë nga Policia apo Prokuroria, duke aluduar për gjoba ndaj biznesmenëve. “Ky aktivitet kriminal ndodh sigurisht në dijeninë e tij të plotë. Rama ka përfituar nga shërbimet e bandës gjatë fushatës zgjedhore, në blerjen, e në marrjen me forcë të votave. Tani, ai po i kthen bandës në fjalë favoret, duke i ofruar shërbimet e tij. E lejon të vërë gjoba e të terrorizojë biznesmenët e qytetarët. U jep oficerë policie në dispozicion për t’i dhënë siguri dhe mbrojtje”,- tha Paloka. Deklaratës së ashpër të kreut të deputetëve të djathtë i është përgjigjur Zyra e Shtypit të Kryeministrisë, ku njoftohej se Departamenti Juridik ka nisur procedurën për padi penal ndaj Edi Palokës për shpifje. “I kallëzuari dhe i padituri Edi Paloka, duhet të japë prova për çka ka thënë sot dhe qoftë edhe përballë një prove të vetme, Kryeministri Edi Rama është i gatshëm të lërë detyrën. Në të kundërt Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, një shpifës profesionist i nivelit më të ulët edhe në llogoren e politikës së vjetër të baltës, duhet të përgjigjet përpara ligjit”,- thuhet në njoftimin e Kryeministrisë. Kronika e ngjarjes në Tiranë vazhdoi dje më sqarimet e kreut të Policisë së Tiranës, Ardian Çipa dhe të ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, por pavarësisht kësaj, opozita ka këmbëngulur në variantin se drejtuesit e mazhorancës kanë ndihmuar përfaqësuesit e grupit kriminal për ngjarjen. Por tashmë çështja nga Prokuroria dhe Policia është kthyer në një arenë debati politike, ku akuzat po kalojnë çdo fantazi. Padia e bërë nga Kryeministri Edi Rama për deputetin Paloka është ndër të rrallat e këtij lloji nga kryeministrat. Kryeministri mund t’i përgjigjej personalisht Palokës dhe retorika nuk i mungon për të kaluar një situatë të tillë. Por niveli i akuzave, përfolja mediatike dhe përsëritja e shpeshtë e tyre nga gjithë drejtuesit e PD-së, duket se janë kthyer në një problem real për imazhin e mazhorancës. Ndaj zgjidhja më e mirë duket se është përballja në gjykatë. E vetmja mënyrë për të vërtetuar një seri akuzash me banda, killera, policë të cilët ditën punojnë për shtetin dhe natë për kriminelët.Zyrtarët,sipas PD-së, janë vendosur në detyra vetëm nga bandat. Të akuzosh kryeministrin e një shteti, që është kandidat për në Bashkimin Europian, si të përfshirë në afera kriminale bandash me killera është një akuzë që më shumë dëmton imazhin e vet vendit sesa vet kreun e qeverisë. Opozita nuk ka sjellë prova, por vetëm deklarata për shtyp dhe hipoteza. Përballë akuzave të mazhorancës kemi fjalën e kryeministrit, se nëse verifikohen ai do të japë dorëheqjen. Opozita nuk është thjesht parti politike, por edhe një institucion që duhet të mbajë përgjegjësi për deklaratat që bën. Rama duket se e ka bërë pjesën e tij morale, teksa thotë se është gati të jap dorëhqejn. Pra ka vënë në lojë gjithë karrierën e tij politike për të vërtetuar të kundërtën e asaj që pretendon opozita. Duhet që këtë në bëtejë akuzash edhe opozita të mbaj qëndrimin e saj. Në rast se ato nuk qëndrojnë, ateherë dikush nga PD-ja, Arben Ristani, Edi Paloka apo dhe Lulzim Basha që prentendojnë se për lidhje mes qeverisë dhe bandave, duhet të mendojnë seriozisht për dorëheqje. T’u shkojnë akuzave deri në fund, ose nëse i kanë vetëm shashka për të karikuar elektoratin më mirë të heshtin dhe të gjejnë beteja të tjera politike që mund ti shërbejnë opozitës. Realisht është e rëndë një akuzë e tillë për kryeministrin. Mund ta akuzosh për politika sociale të gabuara, mund ta sakatosh me akuza se ka gënjyer për premtimet elektorale,mund t’i thuash se edhe është i korruptuar.Por kur thua se është pjesë e bandave kriminale të vendit, me killera e soj-soj emrash, mbetet një gjë shumë e rëndë. E rëndë deri në skaj. Çfarë nuk i kanë edhe Berishës kur ishte kryeministër,por nuk ka ndonjë akuzë se ai ishte pjesë apo drejtues bandash kriminale apo killerash. Në politikën e ditës edhe pranohen akuzat therese, bile shumë të egra, porse nuk mund të thuash se kryeministri i shtetit është bandë, që merr e jep me killerra, pasi humbet gjithë serioziteti i akuzave. Ose nëse është e vertetë, atëhere Republika ka mbaruar, shteti është i mafias dhe ose të ikim të gjithë ose të ngrihemi për revolucion. Rrugë tjetër nuk ka. Ndaj fakti që kryeministri Rama është egërsuar nga kjo akuzë duke vënë dorëheqjen e tij në tavolinë nëse vertetohet qoftë dhe një akuzë tregon se sulmi është tejet jashtë çdo logjike akuzash. Nuk ka asnjë sens në këtë akuzë të opozitës, pasi nëse kishte sadopak lidhje nuk kishte pse shkatërronte drogën e Lazaratit me një ushtri policësh tamam si luftërat në filma kundër mafias, nuk kishte pse krijonte pakënaqësi në disa shtresa në emër të vendosjes së ligjit, edhe duke humbur vota; nuk kishte pse prishte ndërtimet pa leje, por me “bandat” e tij shkonte e iu rripte lekët.
Kur një kryeministër është pjesë e bandave, që nuk ndodh kurrë në një vend demokratik, atëhere ai nuk vendos të krijojë shtet ligjor,por shtet diktarial mafioz. Në raste të tilla nuk ka pse të mbajë një Sajmir Tahir që po bën maksimumin për të vendosur ligjin mbi krimin, por e vendos rendin me bandat !
Akuza ështëe rëndë, shumë e rëndë. Ndaj ai ka vënë në tavolinë dorëheqjen, e cila nuk realizohet pasi nuk ka se çfarë të verifikohet,kur nuk ka banda në qeveri apo qeveri që drejton bandat.