Dje, protesta dhe seanca më e shkurtër
Makthi i protestës së dhunshme, përplasjes me policinë, bllokimit të deputetëve në Parlament dhe mësymjes ndaj institucioneve, fatmirësisht dje nuk u kthye në realitet. Qindra mbështetës të Partisë Demokratike ishin kujdesur që të krijonin një kordon sigurie mes protestuesve dhe forcave të rendit. Ndërkohë që forcat e rendit, duket se e kanë zgjedhur në njëfarë mënyre normalizimin e situatës, duke vendosur në rreshtat e parë të perimitetrit të sigurisë vajzat simpatike për të zbutur protestuesit. Protesta e djeshme ishte mëse normale dhe kjo tregon se Partia Demokratike ka hequr dorë deri tani nga metodat jodemokratike të tubimeve në sheshe. Por pavarësisht kësaj, tensioni ndihej dje jo vetëm në Tiranë, por në të gjithë vendin. Protesta ishte civile dhe normale, por klima e krijuar në vend nuk është e tillë. Mjafton të shohësh zhvillimet në seancën e djeshme. Ishte seanca më e shkurtër në historinë e parlamentit. Në më pak se 15 minuta, Kuvendi miratoi 5 ligje. Edhe gjatë 15 minutave tensionet nuk munguan, demokratët deklaruan se rendi i ditës ishte vetëm dorëheqja e kreut të Kuvendit, Ilir Meta. Mbyllja e shpejtë e seancës duket se ishte edhe një strategji e mazhorancës për të shmangur skenarin e bllokimit të Kuvendit, pasi vetëm 30 minuta më pas do të niste protesta e opozitës. Tensioni ndihej jo vetëm në deklaratat e përfaqësuesve të mazhorancës, por edhe në numrin e madh të forcave të policisë që kishin rrethuar dje godinën e Kuvendit.
Protesta e PD-së nuk do të mbahet mend për qytetarinë, por për kohëzgjatjen e saj. Ajo ishte një nga protestat më të shkurtra të selisë blu. Nisi në orën 11.10 dhe përfundoi rreth 40 minuta më pas. Ajo që ra në sy ishte fakti se kishte shumë pak fjalime të politikanëve. Gjithsej vetëm tre; Sekretari i Përgjithshëm, Arben Ristani; kryetari i grupit parlamentar demokrat, Arben Risanti dhe në fund, kreu i partisë, Lulzim Basha. Ra në sy mungesa e fjalimit të liderit historik të PD-së, i cili edhe pse i pranishëm në miting, nuk u ngjit të fliste në podium, ose e këshilluan që të mos fliste. Veç Berishës, në protestë munguan edhe aleatët dhe pse ishte një protestë e organizuar nga opozita. Ajo që ra në sy ishte dhe përmbajtja e fjalimit të kreut të PD-së. Pavarësisht toneve të ashpra dhe akuzave ndaj kreut të Kuvendit dhe kryeministrit, në fjalim munguan shprehjet e qarta. Basha foli për largim të qeverisë, por nuk përmendi asnjëherë zgjedhjet e parakohshme.
Tensioni dhe mungesa e normalitetit dukej dhe në godinën e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Mijëra persona nga Tirana dhe rrethet kishin ardhur para selisë së partisë për të mbështetur kryetarin dhe siç deklaronin, për të mbrojtur institucionet nëse do të kishte sulm nga protestuesit. Ishte gati një anti-miting dhe nëse situata do të tensionohej edhe më tepër, mund të shpërthente një konflikt i hapur mes protestuesve të PD-së dhe mbështetësve të LSI-së. Të dy palët ishin gati për të dy skenarët. Dhe nëse ndodhte, ishte e vështirë të gjendej se cila palë provokoi e para.
Megjithatë, kjo duket se nuk është protesta e fundit e opozitës. Pritet që brenda pak javëve, Partia Demokratike të zhvillojë një tjetër protestë. Debati i radhës mes mazhorancës dhe opozitës ishte për numrin e protestuesve. E vërteta është se demokratët nuk e bojkotuan mitingun, siç pretendon LSI dhe PS. Po ashtu, shifra prej 300 mijë portestuesish që PD-ja hodhi dje për konsumim mediatik është shumë larg reales. Më shumë se numri, protesta ka vlerë për shkak të qytetarisë së treguar nga opozita. Por veç kësaj, protesta ishte dhe një mesazh për qeverinë. Një mesazh që nuk lidhet me çështjen “Doshi”, por me faktin se siguria, gjendja ekonomike dhe reformat nuk janë ato që presin qytetarët. Dje ishte një gjysëm-protestë dhe gjysëm- seancë. Nëse herën tjetër do të ketë vetëm protestë, apo vetëm seancë, kjo varet dhe nga mënyra sesi politika do të reagojë për normalizimin e situatës.