Dita e enjte, si parlament lufte
Seanca e Kuvendit kishte dje në rendin e ditës diskutimin për buxhetin faktik 2016. Por ajo për cilën u fol më pak ishin pikërisht financat dhe ekonomia e shqiptarëve. Debati ka nisur për drogën e krimin, ka vijuar me çështjen e nxehtë të Himarës e kastravecat dhe është mbyllur me thirrjet e Sali Berishës për revolucion popullor për të përmbysur qeverinë “Rama”.
Pjesën kryesore të debatit e kanë zënë akuzat e Partisë Demokratike për kanabizimin e vendit. Kreu i PD-së, Lulzim Basha akuzoi kryeministrin Edi Rama si përfituesin kryesor të 1.3 miliardë eurove të siguruara nga trafiku i drogës dhe mbjellja e kanabisit. Sipas kreut të PD-së, Rama është njeriu që e ka futur Shqipërinë në listën e vendeve më problematike për trafikun e drogës duke u krahasuar me Afganistanin. Basha tha se Edi Rama erdhi në pushtet si Rilindas dhe po ikën si teleban i refuzuar nga ndërkombëtarët për shkak të trafiqeve. “Shqipëria po hyn në historinë e krimit botëror me një vend të veçantë. Historia njeh vetëm dy lloje regjimesh që sundimin e tyre e mbështetën ekskluzivisht tek kultivimi, prodhimi dhe trafikimi i drogës. Talebanët me heroinën në Afganistan dhe Edi Ramën me marijuanën në Shqipëri. Shqipëria dhe Afganistani janë sot dy furnizuesit kryesorë të drogës në Europë dhe për Europën; Afganistani me heroinën dhe Shqipëria me marijuanën. Edi Rama erdhi në pushtet si rilindas dhe po ikën si taleban”,- tha Basha. Seria e akuzave të kreut të PD-së ka vijuar për disa orë me kryeministrin. Por ndërsa Basha e akuzonte Ramën, edhe ky i fundit ka pasur një akuzë të fortë për kreun e PD-së. Sa ikte njeri nga foltorja e Kuvendit, dilte tjetri e kështu me radhë me orë të tëra, aqsa të dy sikur ishin me revole në brez. Por qëllonin si kaubojsat amerikanë, me radhë. Herë njeri e herë tjetri.
Rama ka hapur në Kuvend debatin për Himarën dhe protestën që zhvilloi dy ditë më parë Partia Demokratike, me banorët që kundërshtojnë prishjen e banesave. Ndërsa PD thotë se ishte në mbrojtje të qytetarëve, Rama i ka akuzuar për një skenar tjetër. Sipas Kryeministri, PD shkoi në Himarë, një ditë pasi opozita greke në Athinë dërgoi letra në BE ku akuzonte Shqipërinë për gjenocid ndaj minoritetit grek. Kryeministri sqaroi se në këtë zonë po bëhet një projekt urban dhe banorët po dëmshpërblehen për ndërtesat si gjithë qytetarët e Shqipërisë. Rama hodhi poshtë edhe akuzat e Vangjel Dules për projekte që dëmtojnë minoritetin grek në këtë zonë.
Duke e shmangur debatin për drogën dhe çështjen “Tahiri”, Edi Rama ka përqendruar gjithë vëmendjen te Himara duke i kujtuar PD-së edhe paktin për shitjen e detit me Greqinë. Sipas Ramës, PD-ja ende nuk e ka të qartë që Himara është shqiptare. “Lulzim, Je një gramafon. PD t’u shpjegojë shqiptarëve cilat shkelje ka bërë qeveria në Himarë? PD t’u shpjegojë pse i dha zë më shumë opozitës greke. Pse iu bashkuan një kori të ngritur mbi të pavërteta. I detyrohet shqiptarëve një përgjigje të qartë, çfarë është Himara për PD-në”, -tha Kryeministri. Edi Rama mundohej ta spostonte thelbin e akuzave dhe të debatit në sallë, duke i ikur si djalli temjanit çështjes Habilaj-Tahiri.
Në këtë pikë të debatit ka ndërhyrë Berisha dhe sherri mes ish-kryeministrit dhe kryeministrit vazhdoi se kush është më patriot. Për Berishën, Edi Rama është ai që ka dëmtuar më shumë interesat kombëtare me drogën, por dhe me marrëveshjet e fshehta. Ndërsa për Edi Ramën, Berisha dhe Basha janë dy politikanët që firmosën dhe i dhanë Greqisë detin me marrëveshjen për ndarjen e kufijve. Në garën për tu treguar sa më shumë patriotë, të tre politikanët përmendin Fan Nolin, Faik Konicën dhe gjithë burrat e shtetit që kanë lënë gjurmë në historinë e vendit. Por teksa flisnin për kombin, “baballarët e kuvendit” etiketonin njeri-tjetrin me fyerje si: kastravecë, trutharë, karikaturë, klloun, strukturë falike (organ gjenital). Në fund Berisha bëri thirrje për revolucion për të përmbysur qeverinë.
Seanca ku duhet të diskutohej për vendime ekonomike u mbyll me fyerjet dhe sharje të rënda mes politikanëve. Ishte vazhdimi i shout të çdo të enjte. Ndryshimi ishte vetëm doza e akuzave. Pasi kreu i opozitës i ka thënë Kryeministrit taleban dhe terrorist, nuk kuptohet se çfarë bënë më në Kuvend PD. Si rregull me talebanët nuk negociohet. Por kjo nuk e pengon PD të vijojë të diskutojë në mënyrë jo zyrtare për reformën zgjedhore dhe atë territoriale.
Dje ishte një parlament lufte, por me fjalë. Nuk kishte as popull protestues opozitar, as “pushkë”, bile as topa leckash. Kishte vetëm fjalë. Kush shan e sulmon me ashpër.
Ky është parlamenti i popullit!
Q.Xhani