Do bëjmë luftë, apo e shtyjmë edhe kësaj rradhe?!
Nga Skënder Minxhozi.
Për të gjithë ata që e ndjekin nga larg politikën, largimi i Nasip Naços ka qenë një rrufe në qiell të pastër. Por prapa perdeve, aty ku rëndom luhet loja politike, me gjithë arsenalin e saj të të ligjshëm apo të paligjshëm, një lëvizje nga Ilir Meta ndaj ekzekutivit pritej. Për shumë javë u konsumua telenovela e heshtur e “impulseve”, të cilën Rama me stoicizëm ka bërë sikur s’e ka dëgjuar deri tani. Tani vjen ikja e një ministri të LSI, e cila është procedura më e thjeshtë e kësaj bote, në një parti ku ardhjet e ikjet i përcakton një lëvizje gishti e kryetarit.
Boshllëku prej pak më shumë tre orësh që la në poltronin e ministrit të drejtësisë Nasip Naço, u mbush shpejt me emrin e ri, atë të Ylli Manjanit. Drejtësia vijon të mbetet në dorë të Metës (institucioni, jo termi në kuptimin e gjerë të tij), kurse mediave dhe opinionit publik u mbetet të analizojnë rrokje pas rrokjeje atë që ka thënë kreu i LSI dhe deklaratata e kryeministrisë, në këto orë, për ngjarjen në fjalë. A do të ketë një reaksion zinxhir lëvizjesh, apo kjo qe thjesht një rrokadë e shpejtë figurash nga e njëjta forcë politike, si ato që Meta ka konsumuar edhe në qeverinë paraardhëse? A ishte kjo një manovër stërvitore, apo është akti i parë i një lufte me fishekë të vërtetë brenda maxhorancës? A do të pasohet gjesti i njërit aleat, nga gjeste të ngjashme të aleatit tjetër në ditët në vijim, apo Rama sërish do të jetë i idesë se kabineti nuk ka nevojë për korigjime?
Këto pyetje vijojnë të jenë të gjitha (pothuajse) të vlefshme, për sa kohë që dy godinat përballë njëra-tjetrës, në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, qëndrojnë memece dhe krejtësisht të izoluara. E sigurt është, në këtë lojë ministrash, se Ilir Meta hodhi sot një gur në lumë, për të turbulluar ujrat. Nuk e dimë nëse e bëri këtë në koordinim me Ramën, apo për inat të mungesës së një marrëveshjeje me të. Nuk do të duhet të presim shumë, për të marrë vesh të vërtetën.