Dokumentat e falsifikuara. Çfarë bëri Basha në 21 janar?

 

Andi Bushati.

Padia penale ndaj Lulzim Bashën për urdhrin e dhënë në 21 janar për ngritjen e një helikopteri i cili pretendohet se do të hidhte lëndë homogjene (variant i korrigjuar thotë lakrimogjene) mbi protestuesit e tubuar tek piramida, ngjan më shumë me një manovër propagandistike, sesa me një nismë për të bërë drejtësi. Ajo të kujton përpjekjet e dëshpëruara të kësaj mazhorance për të përdorur ngjarje të rënda si Gërdeci apo 21 janari, sa herë gjendet nën presionin e publikut për skandalet e qeverisjes.

Edhe kësaj radhe, kur opinioni dhe media kanë shndërruar në kryefjalë të ditës, të shkuarën e shumë deputetëve me rekorde kriminale, duket sikur kjo lëvizje do të krijojë një barazpeshë për të na thënë se: “vërtet ne kemi shumë kriminelë, por kundërshtarët ata i kanë në krye të partisë”.

Ka disa elemente që të bëjnë të mendosh se padia ndaj Bashës është më tepër një manovër politike.

Dyshimi i parë lidhet me kohën kur ajo po ngrihet. Pra a ka vallë njeri që ta mendojë se militantëve të zellshëm të së majtës iu deshen gati dy vite për të zbuluar krimet e kundërshatrin e tyre kryesor? A mund të besohet se ata nuk rrëmuan që në ditët e para në blloqet e gardës dhe të ministrisë së rendit? A është e besueshme të pretendohet se të njëjtën njerëz që harojnë në sirtare dokumentat e freskëta të interpolit, qenkan aq të aftë të gjejnë ato të katër viteve më parë?

Por edhe nëse e besojmë me pahir hipotezën se ky dokument i fallcifikuar u gjet pikërisht tani, asgjë nuk e ndryshon thelbin e çështjes. Sepse ai nuk hedh aspak dritë në zbardhjen e saj. Pasi do të ishte absurde të mendohej se kur ende nuk i ka hyrë një gjëmb në këmbë vrasësve të katër qytetarëve, të njohur me emër dhe mbiemër, të pretendohej të dënohej një njeri për një akt të mbetur në tentativë.

Kjo mazhorancë e cila ka futur në gjirin e saj edhe LSI-në duket se ka bërë paqe me krimin shtetëror të katër viteve më parë. Ajo vazhdon të mbështesë (madje ta pëdorë për interest e saj të çastit) këtë prokurori që gjithashtu e ka arkivuar 21 janarin.

Ata sëbashku kanë arkivuar çështjen e drejtuesve të lartë të policisë që nuk zbatuan urdhërat për arrestimin e “zinxhirit komandues të gardës”.

Ata kanë lënë në heshtje gënjeshtrat spektakolare të Sali Berishës për vrasje të ndodhura pas shpine nga vetë demostruesit e paisur me çadra pistolete dhe thika me helm.

Ata nuk kanë ndriçuar kurrë se kush e fshiu serverin me filmimet e kamerave të kryeministrisë dhe kush e dha urdhrin për një gjë të tillë.

Ata nuk e kanë zbardhur kurrë arsyet e dëshmisë së atij mjekut sharlatan që pohoi përpara mediave se plagët e të vdekurve ishin marrë nga afër.

Ata kanë bërë sikur e haruan atë ekspertin që fallcifikoi provat e krimit dhe që u rimor sërish nga gjykatat si njeri i besueshëm për të zbardhur gjyqin e Arben Frrokut.

Të gjitha faktet e mësipërme të bëjnë të mendosh se 21 janari (ashtu sikurse pohuan në përvjetorin e katërt shumë nga familjarët shprësëhumbur të viktimave) është një ngjarje që juridikisht nuk do të zbardhet kurrë.

Por edhe si manovër politike asaj i ka dalë boja. Urdhëri i sapo nxjerë i Lulzim Bashës për ngritjen e helikopterëve, nuk sjell asgjë më shumë në këtë pistë. Sot, nuk ka shqiptar që nuk e di se kush është fajtor për atë që ndodhi në atë ditë të zezë. Se në emër të kujt u vranë ata njerëz. Se për të ruajtur pushtetin e kujt u qëllua mbi drejt e mbi turmë. Se kush i falcifikoi provat. Se kush e pengoi prokurorinë të hetonte. Apo se kush e grisi si letër higjenike raportin e FBI-së që e zbardhte tërësisht atë që kish ndodhur. Sot të gjithë janë të ndërgjegjshëm që në 21 janar u krye një krim shtetëror.

Prandaj të shtosh element të rij në këtë histori, duke pretenduar që pas tyre do të bëhet drejtësi, është një cinizëm i panevojshëm. Por edhe nga pikpamja propagandistike është një përpjekje e kotë. Gjithkush e ka të fiksuar në mendjen e tij se kush qenë fajtorët dhe nuk ka nevojë për asnjë dëshmi më shumë për tu bindur. Të gjithë e dinë atë që ndodhi. Të gjithë e dinë madje edhe sëçbëri Lulzim Basha në 21 janar.

Ai qe thjeshtë një hallkë e atij “zinxhiri komandues”.

Me fatin që jeta i ka rezervuar shpesh, ai nuk u radhit as tek urdhëruesit, as te ekzekutorët. Ai mbeti midis. Prandaj të gërmosh sot në të shkuarën e tij duket një përpjekje e kotë. Ajo nuk hedh asnjë dritë të re. Edhe nëse dokumenti i sapo dalë rrezulton i vërtetë, ai dëshmon vetëm për një gjë: se Lulzim Basha paska marrë urdhër për të dhënë urdhër. Ai as nuk e nxin dhe as nuk e zbardh rolin e kryetarit të sotëm të PD-së. Ai thjesht na bën të ngremë pyetjen: pse po e sulmojnë tani me një histori të ditur?(plus)

SHKARKO APP