Donald Lu dhe Ministrat “ZERO”

Ambasadori Amerikan në Tiranë, Donald Lu dje vendosi të flas jo me politikanët dhe as me mediat tradicionale, por direkt me qytetarët. Diplomati i SHBA-së zgjodhi që në rrjetet sociale të zhvillonte një konferencë direkte, ku qytetarët shqiptarë mund t’i dërgoni pyetjet që dëshironin dhe ai përgjigjej në kohë reale. Ishte një komunikim direkt, me pyetje pa filtra dhe përgjigjet që dha ambasadori ishin po ashtu direkte dhe deri diku pa gjuhën e zakonshme që përdorin diplomatët. Ishte i sinqertë Lu. U pyet për drogën dhe tha se qeveria duhet të bëjë më shumë në luftën kundër saj për të kapur “peshqit” e mëdhenj të trafikut. U pyet për reformën në drejtësi dhe theksoi se SHBA nuk ka ndryshuar mendim, nuk do të ketë më kthim pas të procesit.  Ndërsa paralajmëroi se do të këtë shumë gjyqtarë që do të largohen nga sistemi me nisjen e zbatimit të reformës.

Por mes shumë pyetjeve dhe përgjigjeve ajo që bëri më shumë përshtypje ishte vlerësimi i ambasadorit amerikan Donald Lu për ministrat dhe Qeverinë “Rama”. “Po bëhet një punë e mirë në disa sektorë. Disa ministra i vlerësoj me 10, disa me 0”,- u shpreh Lu. I pyetur se cilët anëtarë të kabinetit “Rama” i vlerëson me notën zero, ai u shpreh se “ata ministra që i vlerësoj me 0, nuk mund t’ua them”.

Vlerësime për ministrat e një kabineti bëhen zakonisht nga partitë opozitare dhe mediat, të paktën para publikut. Diplomatët gjithmonë ruajnë një distancë në komentet pozitive apo negative. Megjithatë, ambasadori Lu dje ka vendosur të japë nota për kabinetin “Rama” duke shkaktuar jo pak gjullurdi edhe brenda vetë Këshillit të Ministrave. Komentet e para kontradiktore që vijnë për qëndrimin e Ambasadorit Lu kanë të bëjmë në faktin se një diplomat mund të flas vetëm për politikat e qeverisë. Mund të kritikojë strategjitë që nuk përputhen me ato që një partneri strategjik. Mund të mbajë qëndrime për reforma të rëndësishme ku janë investuar edhe paratë e taksapaguesve amerikanë. Të jap mendime personale për punën e ministrave, kush vlen dhe kush nuk vlen njëherazi ngjan dhe si vlerësim që tejkalon qëndrimin e një ambasadori. Por ai është Donald Lu, supërambasador, një njeri që don me shpirt e pasion zhvillimin e Shqipërisë, një diplomat që nuk pranon asnjë kompromis kur shkelet demokracia apo kur krimi dikton politikën.

Por jashtë këtij debati që flet për raportet mes institucioneve në vend dhe rolit që duhet të kenë ndërkombëtarët, deklarata e ambasadorit amerikan vlen të diskutohet me seriozitet për atë mesazh që jep. Pra në kabinetin e Ramës ka disa ministra që nuk kuptohet pse vazhdojnë ende të qëndrojnë në atë detyrë. Çudia nuk është te ata ministra që vlerëson me notën 10, por pikërisht për ata që sipas ambasadorit amerikan vlejnë zero.  Kjo është një akuzë e fortë që në radhë të parë duhet të ketë vendosur në pozicion të vështirë kreun e kabinetit qeveritar, Edi Rama. Kur diplomati më i rëndësishëm në vend thotë se ke disa ministra që nuk vlejnë për asgjë, nuk është vetëm një konstatim, por edhe një akuzë mbi performancën qeverisëse. Kjo deklaratë duhet ta ketë vendosur në siklet kryeministrin, përsa kohë që ai mbron gjithmonë në media se ministrat punojnë shkëlqyer. Diplomati amerikan, punën e ministrave nuk e mat vetëm me deklaratat në shtyp dhe kronikat në mediat pro qeveritare, por edhe me raporte konfidenciale. Ndaj kur thotë se disa prej anëtarëve të kabinetit vlejnë zero pikë, kjo është alarmante. Paskemi disa ministra që paguhen kot me lekët e qytetarëve. Kryeministri u ka gjetur një vend pune dhe nuk ka asnjë kriter vlerësimi për ta përveçse pret fundit e mandatit për t’i hequr.

Ndryshimet në qeveri Edi Ramës i janë sugjeruar që në vitin e parë të mandatit. Aleati Kryesor Ilir Meta ka përsëritur me kohë nevojën e impulseve të reja. Vetë socialistët në grupin parlamentar i kanë paraqitur disa herë Kryeministrit emrat e ministrave që nuk e nderonin qeverisjen. Në asnjë rast, në më shumë se tre vjet qeverisje, Edi Rama nuk bëri ndryshime për hir reformave, por vetëm nga presione të momentit. Tashmë është  ambasadori i SHBA që flet hapur se ka ministra që nuk vlejnë për asnjë gjë. Nuk dihet se çfarë duhet të ndodh tjetër që Kryeministri të ndryshoj mendim.

Gjithsesi, përderisa ambasadori mori përsipër të bëjë dhe vlerësimin e qeverisë, duhet të procesit t’i kishte shkuar deri në fund. Pas  notave duhet të japë emrat kush meriton 10 dhe kush meriton zero. Kjo, jo vetëm do ndihmonte Kryeministrin të ishte më i qartë, por do i shërbente dhe transparencës me publikun.

Për hir të asaj që ka manifestuar Lu si ambasadori më i veçantë tash 25 vite ku kanë ardhur disa ambasadorë amerikanë në Tiranë, porse Donald Lu mbetet në vend të parë. Jo se është në detyrë e duhet folur fjalë të mira, por asnjë ambasador amerikan nuk ka dalë si Donald Lu në protestë me shoqërinë civile kundër politikës, asnjë nuk ka shkuar në grupet parlamentare t’i dëgjojë, asnjë nuk ka bërë kaq shumë ecejake kryeministri-Kryesi Kuvendi-Ambasadë dhe përditë të njëjtën udhë, derisa i detyroi të votonin në rrjesht 140 deputetë.

Ndaj Donald Lu duhet të bëjë edhe këtë vlërësim me notën “10” e me notën “Zero” me emra për ministrat. Më pas nuk i mbetet gjë tjetër.

Spiten Prulli

 

 

 

 

SHKARKO APP