Donika Prela, prokurorja e arrestimeve të politikanëve
-Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi kundërshtojnë shkarkimin e drejtuesit të prokurorisë së krimëve të rënda, pasi mendojnë se është bërë me urdhër të kryeministrit Rama për të shpëtuar ish-ministrin Sajmir Tahiri.
Një lëvizje e beftë e kryeprokurores Arta Marku në radhët e Prokurorisë së Krimeve të Rënda ka shkaktuar reagime të ashpra të opozitës. Besim Hajdarmataj, drejtori i Prokurorisë së Krimeve të rënda dhe prokurori që ka në hetim dosjen e ish-ministrit Saimir Tahiri u shkarkua dje nga detyra në mënyrë papritur. Prokuroria e Përgjithshme nuk dha argumente se përse firmosi lëvizjen e Hajdarmataj, por njoftoi se në vend të tij u emërua prokurorja Donika Prela. Arta Marku deklaroi dje se “kam besim se ky ndryshim do të sjellë si rezultat ndjekje penale më të shpejtë dhe më të efektshme të çështjeve me përparësi të lartë”.
Momenti kur u bë shkarkimi i Hajdarmataj si dhe motivi i munguar për këtë lëvizje kanë bërë që të lindin mjaft dyshime për ndryshimet në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Kryeprokurorja deklaroi se largimi i Hajdarmataj do të sjellë rezultate më të shpejta. Në fakt, prokurori që u shkarkua sot nga drejtimi i Krimeve të Rënda është i njëjti që kërkoi gjashtë muaj më parë arrestimin e Saimir Tahirit. Kjo kërkesë u rrëzua nga Partia Socialiste në Kuvend, ndërsa vet prokurori dhe kolegët e tij u sulmuan nga mazhoranca. Një javë më parë Saimir Tahiri dorëzoi mandatin e deputetit duke i hapur rrugën kështu drejtësisë që ta hetojë pa pengesa ligjore. Të martën, Besim Hajdarmataj mori për më shumë se dy orë në pyetje shoferin e ish-ministrit të Brendshëm lidhur me aktivitetin e eprorit të tij. Tre ditë më parë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda u thirr edhe Orest Sota, biznesmeni i dyshuar për lidhje me Saimir Tahirin. Ndërkohë, mësohet se prokuroria kishte kërkuar informacione shtesë nga Italia për lidhjet e bandës “Habilaj” me ish-ministrin. Të gjitha lëvizjet e fundit në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, që deri dje, drejtohej nga Besim Hajdarmajt flisnin se shumë shpejt mund të kërkohej arrestimi i ish-ministrit Saimir Tahiri. Pas zyrtarizimit të lënies së mandatit nga ish-ministrit, ky hap i prokurorisë cilësohej si çështje orësh. Bile kishin dhe një njësi operacionale që e vëzhdonte ish-ministrin, pa e ditur ai.
Por vendimi i djeshëm i kryeprokurores Arta Marku duket se ka ndryshuar gjithçka në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Besim Hajdarmataj ishte prokurori që kishte në administrim dosjen dhe njëherësh drejtuesi i Krimeve të Rënda. Pas largimit nga pozicioni drejtues ai sërish ka në hetim Saimir Tahirin, por me emërimin si prokuror i thjeshtë që merr urdhra nga një shefe e re duket procedimi me dosjen ndaj ish-ministrit nuk do të jetë më aq i lehtë, ndonëse për Prokuroren Donika Prela flasin mirë ndër radhët e prokurorisë. Tregojnë se është një prokurore korrekte dhe e pa komprementuar.
Vendimin i djeshëm i Arta Markut u pasua një nga seri reagimesh të forta të opozitës. Kreu i PD-së, Lulzim Basha deklaroi se lëvizjet e fundit në organin e akuzës janë bërë me urdhër të Edi Ramës. Duke e cilësuar Arta Markun dhe prokuroren Donika Prela si “kamikaze të Edi Ramës” Basha paralajmëroi shumë shpejt shpalljen të pafajshëm të Saimir Tahirit. Ndërsa kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi në një deklaratë për mediat u shpreh se me ligjin e ri të Prokurorisë, kryeprokurorja Arta Marku nuk ka të drejtë të bëjë emërime të prokurorëve pa Vetting. Duke e cilësuar si shkelje flagrante shkarkimin e Besim Hajdarmataj, Kryemadhi deklaroi se këto ndryshime janë “lojë e Edi Ramës për të shpëtuar Saimir Tahirin”. Opozita i sheh ndryshimet e fundit si skenar të Edi Ramës për të shpëtuar Saimir Tahirin.
Nga ana e tij Ambasadori i SHBA në Tiranë, Donald Lu u shpreh optimist për hetimet në nivelet e larta të politikës. Në një reagim për mediat gjatë mbrëmjes së djeshme, ambasadori Lu deklaroi se Ambasada do të mbështeste prokuroren që ka aftësi të punojë pa vonesa në hetimin e korrupsionit dhe krimit. Pra në një farë mënyrë duket se ambasada është dakort me shkarkimin e Hajdarmataj.
A shpëtoi ish-ministri Tahiri nga kjo lëvizje e papritur apo do jetë prapë nën “hanxharin” e Hajdarmataj? A priten dosje të tjera urgjente për politikanë VIP, me emërimin e Donika Prelës?
Ambasadori Lu e paralajmëroi mes rreshtave, mbrëmë, se priten zhvillime interesante në hetimin e korrupsionit në nivele të larta me emërimin e Donika Prelës.