Dorëheqja e Didit për të mbuluar skandalin

 

Armand Shkullaku.

Ministri Saimir Tahiri ia ka marrë dorën teatrit. Ai del me kokën ulur, me pamje të përvuajtur dhe me zërin gati në të qarë, sa herë që gjendet i përfshirë në një skandal. Si kalorësi i fytyrës së vrerosur ai u shfaq të martën në mesditë për të kërkuar falje për atë që ai e quajti “gabueshmëri njerëzore”. E njëjta pamje si për avionin e drogës, vrasjen e Artan Santos, shpërthimet me tritol apo ekzekutimin e katër personave nga Kostandin Xhuvani. Ky është Saimiri, që ka mësuar nga shefi i tij se një skandal kalohet më lehtë me pranim të fajit se sa me arrogancë.

Si teknikë nuk është e keqe, por varet shumë nga përmasat e skandalit. Dhe ky i fundit është i tillë që nuk mund të fillojë e të mbarojë tek mustaqet e Didit. Ai është shumë herë më i madh dhe dramatik. Nëse Didi dha dorëheqjen për të shpëtuar Saimir Tahirin, ky i fundit do duhej ta kishte dhënë atë për të shpëtuar Edi Ramën.

Asnjë shqiptar nuk dyshon tashmë se mbulimi i rastit të Mark Frrokut nga ministria e Brendshme ka qenë vepër e Artan Didit. Apo më pak akoma e dy drejtuesve, tashmë të arrestuar, të Interpol Tiranës. Ky mbulim ka qenë një porosi e pastër politike për të mos goditur një deputet të mazhorancës, anëtar të grupit parlamentar të PS. Një porosi që më shumë se hallin e Frrokut, mbarte shqetësimin e kryeministrit për të mos dalë zbuluar në betejën e dekriminalizimit që erërat po e frynin drejt tij. Eshtë e qartë pra për këdo, se nuk ishin mustaqet e Didit, por zgjedhjet e Edi Ramës që, dashje pa dashje, çuan në fshehjen e dokumentave që dëshmonin për të kaluarën e deputetit Frroku në Belgjikë.

“Ne nuk qeverisim me shembullin e forcës por me forcën e shembullit”, përsëriti para kamerave Tahiri i përvuajtur, slloganin bosh të kryeministrit Rama. Në fakt shembull të tillë vështirë të ndeshësh kund në botë. Ministri krejtësisht përgjegjës për skandalin e mbulimit të një çështjeje për deputetin e tij, falenderon drejtorin e policisë për aktin moral të dorëheqjes. Tahiri ose i merr njerëzit për budallenj ose ka vetë ndonjë problem serioz në mënyrën e të menduarit. Po a ka kuptim dorëheqja e Didit kur skandali mori dhenë dhe kancelaritë e huaja kërcënuan se do ta bënin rasti publik? Si mundet që për një rast kaq të ndjeshëm, kur të paktën prej një viti kishte patur interesim nga Brukseli dhe mediat kishin raportuar procesin në ngarkim të Frrokut, minsitri dhe kryeministri kishin heshtur? Ky fakt nuk ka lidhje me Artan Didin. Më e pakta, rëndon mbi vetë ministrin e Brendshëm. Ky i fundit deklaroi se fshehja e dokumentit nga zyra e Interpol Tiranës u zbulua pasi vetë ai urdhëroi ngritjen e një grupi pune për të hetuar. Ministri nuk i tha opinionit publik se përse nuk e ngriti këtë grup më parë. Ai e dinte, sepse vetë ka folur në Kuvend kur ishte në opozitë, se komisari i ndjerë Lamaj kishte kërkuar informacion nga Interpoli për vëllezërit Frroku. E kishte dëgjuar po ashtu Jozefina Topallin kur ia përmendi me emër e mbiemër ministrit të Brenshëm këtë fakt në parlament. E dinte edhe se vartësit e tij në vitin 2014 përsëri kishin kërkuar informacion për ngjarjen. Dhe s’ka dyshim që e ka ditur edhe në janar 2015 për kërkesën e mbërritur në ministrinë e tij nga Interpol Brukseli, sepse ajo kërkesë u përsërit dy herë, madje është bërë edhe në kanale diplomatike. Kështu që dorëheqja e Didit nuk mund të shitet si shembull i modelit të qeverisjes, ndërkohë që është shembulli i sakrifikimit të vartësit për të shpëtuar karriken e ministrit.

Ministri foli para kamerave për gabim njerëzor dhe mosinformim të prokurorisë në kohën e duhur. Me këtë eufemizëm, me dy njerëz në burg dhe një të dorëhequr, ai kërkon përsëri t’i vërë kapak skandalit dhe ta largojë nga vetja. Mesa duket nuk ka vënë mend se mbulimi i të keqes vetëm ia shton erën asaj kur shpërthen. Tentoi Tahiri të mos e bënte publik faktin se ai dhe kryeministri ishin në dijeni për akuzat ndaj deputetit Frroku, bëri rolin e budallait kur mediat dhe opozita ia tregonin me gisht atë, fliste për policinë e Saliut ndërsa të vetët fshihnin dokumentat kompromentuese. E pas kësaj çdo ministër i Brendshëm i një vendi normal do të kishte bërë më së pakti aktin moral të cilin Tahiri ia ngjeshi Didit, dorëheqjen.

Mirëpo Saimiri nuk e bën diçka të tillë, ai do që ne të na vijë keq për të dhe mos ta gjykojmë, që ta falim kur është në hall dhe të mos i kërkojmë përgjegjësi. Sigurisht që Mark Frroku, kryetar i partisë Kristian- Demokrate që ka numrin dy në listë vëllain e tij, të akuzuarin për vrasjen e komisar Lamajt, Arben Frroku, nuk është zgjedhje e Tahirit, është e Edi Ramës. Por Tahiri ka përgjegjësinë se për t’i dalë zot shefit të tij, nuk foli kur duhej të fliste, nuk hetoi me kohë, mbylli veshët dhe sytë kur shkruante media dhe denonconte opozita, tentoi të fshehë të vërtetën deri në çastin e fundit dhe vuri në kandar emrin e tij për hir të kostos politike të qeverisë. Nëse Didi dha dorëheqjen për të shpëtuar Tahirin, ky duhet ta japë për të shpëtuar Edi Ramën. Çdo zvarritje mund të çojë në përkeqësim dhe thellim të skandalit që sapo ka nisur. Atëherë, pikëllimi i Saimir Tahirit do të jetë vetëm i tij dhe i askujt tjetër.

SHKARKO APP