Doshi-Prifti-Ismailaj lojë për 135 milionë euro
Dje nënkryetari i LSI Ylli Manjani ka treguar fakte dritheruese se gjithë loja politike dhe sulmi ndaj Ilir Metës ka një prapaskenë të mirëkordinuar. Më tej ai pohoi se synimi i Tom Doshit, Dritan Priftit dhe Kastriot Ismailaj në burg, mbështetur nga urdia e një pjese të medias, politikës dhe dy biznesmenëve të fuqishëm është që të krijohet ideja e viktimizimit të DIA-s nga shteti shqiptar dhe si rrjedhim gjykata ndërkombëtare ti jap Kastriot Ismailajt 135 milionë euro. E kush nuk do të hynte në burg për kaq para ! Ndaj ka nevojë për hetime të shpejta nga Prokuroria shqiptare për gjithë këtë pazar të madh e ku në shënjëstër nga dyshja Doshi-Prifti është vënë kreu i parlamentit.Nga ana tjetër gjithë urdia sulmopërlarëse turret të marrë 135 milionë euro nga shteti shqiptar, pasi ka euro për të gjithë grupin politiko-financiaro-mediatik që po sulmon tash një muaj.Në të vertetë janë grupim i mirëstrukturuar që hapin sulm ndaj Ilir Metës dhe nga ana tjetër po punojnë për kullufitjen e 135 milionë eurove. Mjeshtra të mëdhenjë të intrigës dhe eurove!
Ndërkohë, që ka një fakt i cili nuk është bërë publik,porse Manjani tregon për “KJ” se pasi gruaja e Ismailajt është takuar në hotel Sheraton me Tom Doshin dhe që u bë publike, Dritan Prifti është shkëputur në një qoshe të hotelit ku është takuar me gruan e Ismailajt. Për këtë kemi kasetën e takimit,-thotë Manjani- ndonëse Prifti e mohon kategorikisht takimin. Pra pse janë takuar fshehtas nëse nuk ka ndonjë hile apo problem sekret? Dritan Prifti thotë se në asnjë mënyrë nuk ka ndodhur takimi i pretenduar nga LSI, kurse Manjani pyet se si shpjegohet që avokati i Tom Doshit, zoti Vladimir Meçe është edhe avokat i Kastriot Ismailajt, por edhe i gruas së Ismailajt?! Rastësi?! Apo ka diçka që avokati mbart si “ letra thesari” nga burgu ku është Kastriot Ismailaj e vrapon tek Doshi e Prifti, e natyrisht tek gruaja e të arrestuarit? Është e drejtë e çdo personi se cilin zgjedh avokat,por i njëjti avokat për të tre sikur nuk hahet kollaj apo jo? Apo avokati shkon dhe i jep kurajo të burgosurit Ismailaj se “deshmo kundër Metës sepse këtë duan Edi Rama, ambasadori Lu dhe Berisha”, duke e gënjyer hapur e më pas kur të marrin eurot paguajnë vetë ta mbajnë në burg Ismailaj. Aq shumë e duan Kastriotin sa vdesin për 135 milionë eurot e tij, nëse i fiton, dhe më pas nëpërmjet firmës së gruas duan që ti përvetsojë grupimi antiMeta. Pastaj, “bye-bye my brother !”.
Dritan Prifti i sulmuar këto ditë për çështje intime dhe që natyrisht ishte gabim kushdo që ia bëri, sepse mbetet çështje personale, dje ka deklaruar se do të jap fakte të reja. Por a mundet të jap përgjigje ai ,dhe e ka të hapur gazetën, se pse u takua në qoshe tek hoteli me nusen e Ismailajt, siç deklaron prerë Ylli Manjani? Takimet kur janë të hapura e pa frikë, edhe sikur të ketë intriga , janë më të pranueshme se sa kur futesh qosheve që të mos shikoj dikush. Çfarë fshehin ata? Pse u takuan dhe çfarë kurdisen?
Në lojë janë 135 milion euro që shteti shqiptar mund ti humbasë sa më shumë që urdia antiMeta sulmon duke krijuar viktimizimin e DIA-s në gjykatën e arbitrazhit. Janë lekë të buxhetit të shtetit shqiptar, ndaj duhet të mbrojmë me çdo kusht shtetin tonë, sepse nuk janë 135 milionë euro që i meriton DIA, por ato synojnë ti marrin e ti ndajnë mes grupit antiMeta. Nuk janë pak 135 milionë euro apo jo ?!
Ka edhe një problem që ende nuk po kuptohet mirë: Edi Rama po hesht me kastile në këtë konflikt të madh politik , por që në thelb janë 135 milionë euro në lojë apo pret të fitojë kush të dojë sepse në mos rrjedhtë, pikon!?
Nuk mundet të hidhet akuzë e tillë ndaj kryeministrit, jo për frikë, por mbetet i rëndë si dyshim, nëse heshtja është flori siç thuhet. Ose në këtë rast heshtja është 135 milionë dëm shtetit shqiptar.
Edi Rama duhet të flasë hapur dhe Prokuroria duhet të hetojë pa mëshirë e ndaj kujtdo. 135 milionë eurot nuk duhet ti humbim si Shqipëri se janë rrugë, shkolla dhe investime për popullin. Përveç deputetit Erion Braçe që ka mbajtur qëndrim të hapur e të prerë askush nga socialistët e tjerë nuk e ka hapur gojën. Pse? Çfarë luhet në kupolën e PS-së? Mos duan edhe ata të marrin për vete çfarë mund të mbetet nga 135 milionë eurot, pra e duan humbjen e gjyqit në arbitrazh?
Qamil Xhani