“Tymi i zi” i dyshes Rama-Basha
Brenda 48 orëve kryeministri dhe kreu i opozitës kanë zhvilluar dy takime në Presidencë, por pa asnjë rezultat për zgjidhjen e krizës politike. Investimi i ambasadorëve të SHBA dhe BE në Tiranë për dialog nuk ka sjellë asgjë të re edhe pas 90 minutave të takimit të djeshëm. Tashmë mund të thuhet se tentativat për dialog dhe negociata kanë dështuar me sukses. Palët jo vetëm nuk i kanë afruar qëndrimet drejt një pakti, por janë tërhequr edhe nga ato që kanë premtuar më parë.
Kryeministri Edi Rama konfirmoi dje pas takimit në Presidencë, se nuk ka ofertë të re nga mazhoranca për PD-në. Maksimumi i mundshëm që Kryeministri ka ofruar për Partinë Demokratike është posti i zv/kryeministrit dhe 4 zv/ministrave në ministritë që kanë lidhje direkt me zgjedhjet. Emrat për këto poste do të propozohet nga PD-ja, por ata nuk duhet të jenë anëtarë të selisë blu. Pas këtij qëndrimit që nuk u pranua nga PD, kryeministri Rama deklaroi se ishte i gatshëm që të vazhdonte me fushatën zgjedhore edhe pa opozitën. Sipas tij, mazhoranca nuk mund të jap asgjë më shumë për opozitën.
Ky qëndrim i Kryeministrit ishte hedhur në tavolinën e diskutimeve edhe ditën e mërkurë. Për këtë arsye, kreu i opozitës Lulzim Basha deklaroi para mediave pas takimit, se nuk kishte pasur asnjë ofertë të re për negociatat. Propozimet e bëra nga Rama, Basha i cilësoi si çështje që nuk prekin thelbin e zgjedhjeve. Postet e zv/ministrave, për kreun e PD-së, i japin opozitës vetëm një rol monitorues dhe jo ndikues direkt në problemet që do kenë zgjedhjet. Basha riktheu në fjalorin e tij çështjet që dy ditët e fundit nuk ishin përmendur qartë nga Partia Demokratike. Ai tha se kushti kryesor është Qeveria teknike, largimi i kryeministrit Rama dhe shtyrja e zgjedhjeve.
Deklaratat e bëra nga Rama dhe Basha konfirmuan edhe një herë se zgjidhja e krizës është ende larg. Të dyja palët nuk lëvizin nga qëndrimet, madje duket se i largohen me dëshirë arritjes se një kompromisi. Dështimi i negociatave të dyta dje nuk është vetëm një mungesë serioziteti mes aktorëve kryesorë politikë. Rama dhe Basha duket se po çojnë drejt fundit dhe durimin e ndërkombëtarëve. Takimi i djeshëm ishte i pa planifikuar deri në orën 15:00. Ka qenë ndërhyrja e fortë e ambasadorëve të SHBA, Donald Lu dhe ambasadorëve të vendeve të Bashkimit Europian për t’i ulur palët edhe një herë në bisedime. Gjatë gjithë ditës së djeshme diplomatët kanë komunikuar me palët duke fiksuar dhe takimin e dytë në zyrën e Presidentit Bujar Nishani. Por pavarësisht se çfarë u kanë thënë ambasadorëve, në tavolinë Rama dhe Basha hodhën sërish të njëjtat “letra” të një ditë më parë.
Sërish nga Presidenca doli “tymi i zi”. I vetmi zhvillim pozitiv ishte se si Rama ashtu dhe Basha nuk hodhën poshtë mundësinë e një takimi tjetër. Ndërsa në presidencë konsumohen raunde negociatash pa sukses, në Kavajë ajo që pritet nuk lë vend për shumë hamendje. Rama dhe Basha kanë mundësi deri të shtunën në darkë për të futur vendin në situatë normale. Në të kundërt, tymi nuk do të dalë më në Presidencë, por në Kavajë dhe nuk do të jetë vetëm në kuptimin figurativ.
Pas “tymit të zi” të Kavajës mund të ketë zgjidhje në presidencë. Basha dhe Rama po shkojnë me turravrap drejt provës së forcës në Kavajë. Nga Kavaja do vijë zgjidhja finale. Nëse dështon lideri i opozitës nga mungesa e protestuesve në Kavajë dhe forca e tyre, nëse vijnë, mbetet që Edi Rama të mos ketë kohë ta takojë liderin e opozitës. Nëse ndodh që Kavaja do jetë fitore e opozitës, të hënën Kryeministri pranon paktin e kërkuar nga opozita.
Kavaja vendos të dielën, edhe fatin e 18 qershorit.
S.P.