Duel PD me TV Klan apo Berisha me Bashën për Klanin?

 
 
Diçka po ndodh mes TV Klan dhe selisë blu me kryetar Lulzim Basha. Si të mos mjaftonin deklaratat e kundërdeklarata epardjeshme dhe të djeshme në mesditë, mbrëmë përsëri PD-ja doli me një deklaratë të fortë kundër TV Klan. Ja deklarata e plotë e selisë së demokratëve:
 
Partia Demokratike shpreh keqardhjen për qendrimin e përsëritur editorial të televizionit Klan kundër opozitës, të pabazuar në fakte e aspak objektiv. Shtrembërimi i realitetit sipas axhendës personale është sherbimi më i keq që mund të bëjë një media. Edhe më keq, kur vihesh totalisht në shërbim të qeverisë dhe sulmon opozitën, mbi sajesa. Por ka akoma edhe më keq, kur premton publikisht se nuk do censurosh më, ndërkohe që brenda të njëjtës sulm-kronike paraqet të gjymtuar deklaratën e Partisë Demokratike.
Partia Demokratike nuk mund të shantazhohet. Vlerat e lirisë dhe historia e kësaj force politike qendrojnë lart e janë të pangjashme me interesat e ditës së kujtdo pronari mediash.
 
Por para kësaj deklarate të orëve të mbremjes ishte TV Klan që lexoi në lajme këtë tekst të cilin po ua japim të plotë :
 “Partia Demokratike, në përpjekjet për t’ia faturuar Kryeministrit Rama dhënien e disa lejeve zhvillimore, ka kritikuar sot edhe Televizionin Klan për censurë. TV Klan, dje në kronikën e tij, ka cituar deklaratën e Partisë Demokratike, ku ajo thotë se Edi Rama gënjeu shqiptarët duke dashur t’i ikë përgjegjësisë për lejet e ndërtimit që ka dhënë me firmën e tij dhe se Lulzim Basha nuk ka dhënë asnjë prej këtyre lejeve të ndërtimit. Nga ana tjetër, kemi dhënë dhe reagimin e qeverisë, që nëpërmjet një dokumenti të firmosur nga Enno Bozdo, në emër të Bashkisë së Tiranës dhe Shoqatës së Ndërtuesve i kërkohej Edi Ramës, si Kryetar i Këshillit Kombëtar të Territorit që t’u jepte leje ndërtimi disa kompanive të cilat dosjet e tyre ishin përgatitur në bashki para datës se hyrjes në fuqi të vendimit për bllokim të lejeve nga ana e Ramës.Pra Klan ka dhënë të dy qëndrimet; PD në që thotë që lejet nuk i ka dhënë Basha dhe Ramën që thotë që lejet mi ka kërkuar Bashkia që t’i jap, me kërkesë e firmë të Enno Bozdos. Jo vetëm me zë, por edhe me figurë janë paraqitur 2 dokumentet të filmuara. Kronika gjendet e plotë edhe në internet. Ne nuk e kuptojmë ku qëndron censuara e Klan këtu, por si duket kompleksi për firmat e hedhura dhe paburrëria për t’i qëndruar me dinjitet atyre çka kanë rënë dakort kur ishin në atë zyre, i detyron t’ia faturojnë TV Klanit si censurë. Megjithatë, meqenëse PD na ka akuzuar për censurë, pavarësisht të vërtetës, ne i kërkojmë ndjesë dhe i premtojmë që nuk do ta përsërisim më. Por në fund duam t’i themi një gjë, që opozita bëhet me burra dhe jo me fëmijë që çfarë të thonë në mëngjes nuk ta thonë në mbrëmje”.
 
Në këtë rast nuk i dihet se për cilët "fëmijë" e ka patur fjalën Klani që nuk e mbajnë fjalën në PD , por duket se nënteksti  ishte për Bashën. Ka muaj që pas zgjedhjeve të humbura të 23 qershorit 2013 marrëdhëniet mes PD e TV Klan nuk janë si dikur në ditët e pushtetit kur drejtonte Berisha qeverinë. Dilemat janë se mos u thyen miqësitë mes Klanit dhe Bashës apo mes Klanit e Berishës. Por dilemën e Berishës e zgjidhi vetë po Saliu mbrëmë sepse në kulmin e replikave publike mes tyre ai shkoi në lajmet e mbrëmjes në ABC neës, televizion në pronësi të Aleksandër Frangajt.  Pra ish-kryetari shkoi në oborrin e Klan dhe ABC neës për të folur për situatën politike, por jo vetëm kaq. Natyrisht që pas emisionit është folur edhe për reagimin e  selisë blu kundër  Klan. Dhe mbi Berishën nuk del njeri në PD, pasi ajo parti është e Saliut.
 
Mos ka  sherr mes Berishës dhe Bashës, ku i pari shkon në selinë Klan e tjetri shigjeton aty ku shkoi Saliu? Por ka dhe një gjë që duket se Basha nuk e di mirë; që Aleksandër Frangaj sa më shumë i bën presion apo e godet aq më shumë nuk don t’ia dijë fare për sulmet. Të paktën kështu ka qenë , dikur ! 

SHKARKO APP