Duel SHBA-BE për Shqipërinë

Paradite konsensus, në darkë krizë e thellë! Reforma në drejtësi ka sjellë zhvillime të paprecedentë në politikën shqiptare. Në orën 14:00 gjithçka dukej se ishte vendosur dhe konsensusi PD-PS u duartrokit. Kreu i PD-së deklaroi votat pro reformës. Kryeministri Edi Rama gjithashtu deklaroi qëndrimin e tij pro marrëveshjes së fundit. Kreu i Kuvendit, Ilir Meta e quajti një zhvillim historik konsensusin dhe kërkoi nisjen e procedurave për votimin e sotëm. Jehona e “tymit të bardhë” në Tiranë si rrallë herë mori mbështetjen e Brukselit dhe kancelarive më të rëndësishme të vendeve kryesore të Bashkimit Europian.

Kancelarja gjermane Angela Merkel, personalisht i telefonoi kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe e vlerësoi për konsensusin e dhënë. Garantues i negociatave ishte një tjetër zyrtarë i lartë i BE-së, Komisioneri për Zgjerimin Johannes Hahhn. Eurodeputetët Eduard Kukan dhe Knut Finkelstein, që janë dhe raportuesit për Shqipërinë në Parlamentit Europian, vlerësuan arritjen e konsensusit si një hap cilësorë në procesin e integrimit. Edhe zyrtarë të tjerë të BE-së shprehën bindjen se reforma do të kalojë me 140 vota. Vetëm ambasada amerikane në Tiranë nuk foli. Të gjithë pyetën pse nuk doli ti përgëzonte për konsensusin e arritur dhe të deklaruar. Pikëpyetje të mëdha filluan. Diçka nuk kishte shkuar mirë për amerikanët.

Të gjitha palët deri në orën 20:30 ishin të kënaqura dhe debati i vetëm ishte se kush duhet të merrte meritat e konsensusit, Basha apo Rama. Por në kohën kur negociatorët e PS-së, PD dhe LSI u mblodhën në mbrëmje për të bërë ndryshimet e fundit në draftin e reformës sipas konsensusit të arritur, gjithçka nisi nga fillimi. Palët kanë nisur sherrin për detaje procedurale që e kanë vënë në pikëpyetje serioze gjithë konsensusin që u arrit. Partia Demokratike ka kërkuar që në bazë të konsensusit të arritur disa ditë më parë të zbatohet formula Nuland edhe për vendet e tjetra për të gjitha institucionet e reja të drejtësisë.

Kjo kërkesë e Partisë Demokratike ka bërë që reforma të bllokohet nga Partia Socialiste. Negociatorët e saj janë larguar nga mbledhje dhe nuk kanë pranuar të nënshkruajnë draftin. Pas kësaj, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në një deklaratë të ashpër ka sulmuar personalisht kreun e Partisë Demokratike për bllokimin e reformës. “Ambasada e SHBA është e zhgënjyer që vëren se pas deklarimit të një marrëveshjeje midis qeverisë dhe opozitës, kreu i opozitës, Z. Basha ka paraqitur një kërkesë të re të papranueshme. Ky zhvillim i fundit na detyron të arrijmë në përfundimin se kjo është një përpjekje e qëllimshme nga kreu i opozitës për ta bllokuar këtë reformë”,- thuhet në deklaratën e Ambasadës së SHBA. Nga ana tjetër, SHBA fton deputetët që sot të votojnë në mënyrë individuale për kalimin e reformës.

Kjo deklaratë e Ambasadës së SHBA për veç notave kritike ndaj kreut të PD-së për bllokimin e konsensusit nxjerrë në dukje dhe një tjetër konflikt apo mungesë koordinimi. Një konflikt që nuk është vetëm mes SHBA dhe PD, por edhe mes SHBA dhe BE. Kjo pasi, Ambasada e SHBA nuk komentoi gjatë gjithë ditës së djeshme arritjen e konsensusit të paradites, por vetëm vonë në mbrëmjen kritikoi qëndrimin e Partisë Demokratike. Marrëveshja e paradites u arrit më ndërmjetësimin direkt të zyrtarëve më të lartë të Bashkimit Europian. BE ra dakort në mesditë, kurse në SHBA akoma ishte natë! Ndaj me zbardhjen e ditës në SHBA është zbardhur edhe formula e BE.

Në emailin e konsensusit që komisioneri Johanes Hahnn u dërgonte krerëve të partive mungonte adresa zyrtare e ndonjë përfaqësuesi të Ambasadës së SHBA-ve. A mos ky anashkalim i SHBA-ve nga negociatat ka sjellë dhe reagimin e ambasadës në mbrëmje duke kërkuar respektimin e draftit të saj?

Pra a është duel PD-PS apo SHBA-BE?  Rivaliteti mes SHBA dhe BE duket se ka zbritur në Tiranë.

 

SHKARKO APP