Dueli mes PD dhe PS me bileta dhe “Xhiseila”
Debati politik i dy muajve të fundit mes PD dhe PS rrok vetëm këto emra: Taulant Balla, Xhiseila, Salianji, Babalja dhe Alizoti. Emri i Sekretarit të Përgjithshëm dhe kreu i grupit parlamentar të PS del në çdo akuzë dhe skandal të pretenduar nga opozita. Balla u akuzua fillimisht nga PD-ja se ishte pjesë e një skemë për pastrim parash. Çështja e njohur me emrin e makinave “Toyota Yaris”, në të cilat u gjetën 4.5 milionë euro, sipas kreut të PD-së, Lulzim Basha lidhet direkt me emrin e Taulant Ballës. Disa ditë pas kapjes së parave në “Toyota Yaris”, ndalimi për dy ditë i biznesmenit Edmond Bego në Greqi risolli në skenë emrin e numrit dy të PS. Bego u ndalua gabimisht në shtetin fqinj, por verifikimet treguan se ai që njihet sot si biznesmen dhe fitues i dhjetëra tenderave nga qeveria, vite më parë ishte dënuar në Itali si pjesë e një prej bandave më të famshme kriminale që vepronin e Fier, thekson selia blu. Sot Bego është qytetar i lirë që i ka mbyllur problemet me drejtësinë dhe Taulant Balla e thotë me mburrje se e ka mik personal dhe familjar.
Më pas në skenë doli skandali “Xhisiela”, duke mos e harruar Babalen, por u shtua edhe Fredi Alizoti, personi emblematik që kërkonte vëmendje sa nga PS dhe sa nga PD. Historia e vajzës nga Fushë-Kruja që mbajti disa javë në ankth opinionin publik kishte sërish në qendër Taulant Ballën. Këtë herë numri dy i PS-së akuzohet nga PD se ka ndërhyrë që policia të mos arrestonte dhunuesin e vajzës, i cili sipas selisë blu ishte djali i deputetit të PS. Pas “Xhisielës”, emri i Ballës ridel dhe në dosjen “Babale”. Në një nga 3 variantet e ngjarjes që jep një nga personazhet e këtij skandali, Fredi Alizoti, flet për një Taulant nga Librazhdi që e ka takuar dhe i ka kërkuar të ndryshojë dëshminë në favor të qeverisë. Sipas PD-së, Taulanti nga Librazhdi nuk ka se kush të jetë tjetër veçse Taulant Balla. Për të gjitha këto raste Taulant Balla ka bërë padi në Gjykatë për shpifje dhe kërkon dëmshpërblim monetar.
Sikur të mos mjaftonin pesë paditë aktuale, dje Partia Demokratike solli në skenë sërish Taulant Ballën. Deputeti Edvin Salianji pretendon se Balla ka udhëtuar 25 herë me avionë me mikun e tij, ish të dënuarin Edmond Bego. Sipas PD, udhëtimet e Ballës me mikun e tij me linja private avionësh kanë kushtuar 600 mijë euro. “Taulant Balla rezulton të ketë udhëtuar jashtë vendit me trafikantin e drogës Edmond Bega me të njëjtin avion, ku destinacioni më kryesor ka qënë Vjena, Athina, Korfuzi, Parisi apo Mali i Zi. Vetëm në Vjenë kanë udhëtuar bashkë plot 14 herë. Shqiptarët duhet të dinë sot se një udhëtim me charter, kushton minimalisht 30 mijë Euro. Pra janë minimalisht 600 mijë euro udhëtime me charter, vetëm për 18 dalje jashtë vendit të numrit dy të Partisë Socialiste, Taulantit nga Librazhdi”,– akuzoi dje Edvin Salianji. Pas kësaj akuze deputeti demokrat publikoi dhe një listë fluturimesh nga aeroporti i Rinasit ku pretendon se pasaporta e Taulant Ballës është vulosur rreth 14 herë.
Akuzave të PD, Balla ju përgjigj me reagimin tashmë të njohur të socialistëve “shihemi në gjykatë”. Të hënën kreu i deputetëve të PS pritet të bëjë padinë e radhës ndaj Ervin Salianjit, ndaj të cilit ka dhe dy padi të tjera për shpifje. Ndërkohë dy nga 14 fluturimet e Ballës që ka publikuar PD-ja, në fakt janë udhëtime ku kreu i deputetëve të PS ka qenë në vizita zyrtare. Në një prej tyre ishte me kryeministrin Edi Rama dhe një delegacion parlamentar. Ndërsa në udhëtimin tjetër ka qenë sërish më kryeministrin Rama dhe këshilltarin e qeverisë, Endri Fuga. Për 12 fluturimet e tjera të publikuara Taulant Balla nuk ka dhënë fakte nëse kanë qenë udhëtime pune, apo siç thotë Salijanji udhëtime me “trafikantin e drogës”.
Në akuzat për biznesmenin Edmond Bego, PD duket se po harxhon energji kot edhe për një arsye tjetër. Taulant Balla nuk e ka mohuar që e ka mik familje. Pra, derisa e pranon se e ka mik familjarisht, çfarë vlere ka të verifikosh nëse ka udhëtuar 24 herë apo jo në të njëjtin avion. Balla ka pranuar më shumë se kaq kur deklaroi se kishte miqësi me një ish të dënuar. Deri këtu nuk ka shkelje ligjore. Moralisht dhe politikisht ka minuse.
Shkelja ligjore të cilën nuk dihet se përse PD nuk e ka çuar në gjykatë është që një ish i dënuar për trafik droge ka fituar tendera nga shteti. Ligji e ndalon. Sipas PD, Bego ka marrë 14 milionë dollarë tendera në pak vite. Nëse PD shqetësohet vërtetë, kjo është shkelja e ligjit që mund të implikojë Ballën dhe mikun e tij dhe jo sa herë kanë qenë në të njëjtin avion. Vetëm me punën e milionave në euro të fituara nga buxheti shtetit, e djeg Taulant Ballën, por selia e PS-së shton se ky person ka marrë tenderime dhe në kohën e PD-së.
PD-ja nëse luan për të krijuar një klimë anti-qeveri mbetet në lojën e saj politike. Por me shumë se Balla, Xhisiela, Babale, Alizoti,etj njerëzit kanë një hall më të madh: nuk kanë punë, nuk kanë rritje të mirëqënies, nuk kanë shumë siguri publike, nuk kanë shpresë për një rritje ekonomike dhe po ikin nga Shqipëria. Ky është një motiv i madh për opozitën për ta ngritur popullin në protestë pa ndalesë.
Vjeshta po ikën, por opozita akoma nuk ka lajmëruar për protestën finale, siç bërtisnin në verë. Lideri i opozitës Basha ka deklaruar se nuk futet në zgjedhje me kryeministër Ramën, por si do ta realizojë? Me Babalen e “Xhisielat” apo duke mbledhur partitë opozitare që të vendosin përballjen me popull.
Edhe gjysma e muajit tetor, iku. Po vjen nentori. Më pas dimri dhe prapë opozita nuk ka një datë siç premtoi në gusht të këtij viti. Nëse fokusi opozitar mbetet kryeministri, tek ai duhet bateritë ballore. Në të kundërt me Balla-Xhisiela-Babale-Alizoti, etj vetëm sa shtyhen ditët deri në vitin tjetër. Për të filluar të njëjtin refren, por me emra të tjerë.