Duhej një kokë e “prerë” Ministri!

Kryeministri ka shkarkuar dje ministrin e Financave Shkëlqim Cani duke emëruar në vend të tij ministrin aktual të Ekonomisë Arben Ahmetaj.Vendin e këtij të fundit do ta zërë zëvendësministrja e Shëndetësisë Milva Ekonomi. Nga qeveria nuk u dhanë shpjegime të besueshme për arsyet e shkarkimit të zotit Cani, ndërkohë që opozita u shpreh se këto lëvizje nuk ndryshojnë asgjë në standartet e një qeverie që sipas saj vetëm zhvat e plackit shqiptarët. Kryeministri Rama i dha fund këmbënguljes së tij për të mos bërë ndryshime në kabinetin e tij qeveritar.Në momentin e njoftimit zyrtar të vendimit të shkarkimit, ministri Cani ka qenë në një takim pune me Bankën Botërore. Nuk i ka rënë si “bombë” shkarkimi kur po negocionte me Bankën Botërore,pasi siç duket e kishte marrë paralajmërimin më parë. Por arësyen e vertetë akoma  asnjeri nuk e di përveç Ramës dhe Canit. Dje në mjediset e larta politike çfarë nuk thuhej për shkarkimin e ministrit Cani !

Zyra e kryeministrit nuk dha asnjë shpjegim të saktë dhe të besueshëm për vendimin e motivet që e shtynë kreun e qeverisë për këtë lëvizje. Komunikata mjaftohet me pak rreshta përmes të cilave theksohet se zoti Rama e ka falenduar ministrin Cani “për angazhimin e profesionalizimin e tij ne kryerjen e njërës prej detyrave më të vështira qeverisëse të këtij mandati”. 2015-a ka qenë një vit i vështirë për financat e vendit, të cilat u përballën me një gropë të madhe në realizimin e të ardhurave. Në mesin e vitit të shkuar qeveria rishikoi në ulje planin, duke e motivuar këtë lëvizje me ndikimet e konjukturave në tregjet botërore. Por edhe gjysma e dytë e vitit, pavarësisht pritjeve të reduktuara, rezultoi në rënie po të thellë të të ardhurave. Shkarkimi i ministrit përflitet se ka qenë një konflikt mes tyre për një koncension në tatime dhjetra milion eurosh që do të jepet në muajt në vazhdim, por Cani nuk flet. Ka edhe informacione se e hoqën bosët e kromit në zonën e Bulqizës, si çka edhe argumenta se ai ishte shumë konservator e punonte me skemat e vitit 1990, kurse Arben Ahmetaj është njeriu më i duhur dhe më praktik për të drejtuar financat e rrënuara.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i opozitës. Përmes një deklarate, kryetari demokrat Lulzim Basha i cilëson ndryshimet e sotme si “arnime korruptive” që sipas tij “pasqyrojnë vetëm interesat financiare të Edi Ramës. Ato do ta thellojnë edhe më tej rekordin e vjedhjes, varfërinë dhe krizën që janë produktet e vetme të kësaj qeverie” nënvizon zoti Basha. Ndërsa për deputetin socialist Ben Blushi, një kritik i fortë i kryeministrit Rama, nuk kanë rëndësi emrat, por ndryshimi i mënyrës së qeverisjes: “Besoj që ndryshimi i sotëm ishte i vonuar. Por c’ka duhet të ndodhi është ndryshimi i mënyrës së qeverisjes. Ka nevojë për një mënyrë qeverisjeje tjetër e cila në radhë të parë është aleate me të varfërit, me shtresën e mesme dhe në radhë të parë është aleate me interesin publik. Të treja këto cilësi kjo qeveri i ka humbur me kalimin e kohës dhe nuk është kjo arsyeja për të cilën u votua në vitin 2013”.

Kryeministri Rama, i ka mbrojtur gjithnjë hapur ministrat e vet, edhe kur nga aleati i tij Ilir Meta pati zëra të përsëritur për nevojën e impulseve të reja qeverisëse. Në drekë ka patur një takim mes Kryeministrit Rama dhe kryeparlamentarit Meta. Nuk mësohet se çfarë kanë biseduar, pasi nuk pati asnjë prononcim për mediat, si rrallëherë, por burime të selisë rozë thonë nën zë se ka patur tone paksa të larta mes të dyve. Meta ka insistuar për ndryshime drastike në qeveri dhe për mënyrën e qeverisjes e cila të jetë më e majtë. Ka mundësi që të ketë prapë lëvizje ministrash,por jo në dy emra ku është përqendruar prokuroria në hetime. Të dy ministrat në fjalë kryeministri i mban dhe nuk pranon kurrsesi ti largojë, ndonëse po merr mbi supe akuza të forta nga opozita.

Në raport me ecurinë e miratimit ose jo të reformës në drejtësi do të jenë edhe lëvizjet në kabinet, thonë analistët. Siç nuk i dihet ndonjë lëvizje të papritur nga kryeministri për të shkuar në zgjedhje të parakohshme me inisiativën e tij, nëse reforma nuk miratohet në parlament. Por nga dje shkarkimi i Canit ka krijuar frikë ndër ministrat dhe zyrtarët e lartë të ekzekutivit, të cilët mendojnë se mundet që ky shkarkim të jetë edhe në raport me kongresin për t’ju futur frikën kujtdo se mund t’iu “presë kokat” siç bëri me ministrin e financave, të cilin e ka patur ministrin e parave të shtetit.

Diçka ka filluar të ndjejë kryeministri përderisa dorëzoi ministrin e financave. Ose termetin ekonomik ose cunamin që po i vjen nga Ilir Meta, të cilit i sajoi prapaskena politiko-mediatike për ta masakruar, ndonëse aleati LSI u mbrojt fort duke rrëzuar çdo akuzë që vinte nga PS-ja dhe pas kuintave të kryeministrisë.

Kështjella e mazhorancës ka filluar të pësojë çarje “muresh”.

SHKARKO APP