Duhen arrestime për tenderin 18 milionë euro
-Super skandal me tenderin e projektit të Unazës së Re. Kompania që fiton shumicën e parave prej 18 milionë euro ka fallsifikuar gjithë dokumentet dhe drejtohet nga një sportelist 26-vjeçar. Nisin hetimet në SHBA dhe në Tiranë. Emisioni “Të PaEkspozuarit” dhe Ylli Rakipi zbulojnë aferën më të madhe korruptive në mes të Tiranës.
-Projekti i Unazës së Re në Tiranë mund të jetë një nga vjedhjet më të mëdha korruptive në Shqipëri. Prokuroria duhet të mos hesht, por të vringëllojë sirenat e policisë me arrestime nga ARRSH dhe në qeveri, sepse afera është totalisht korruptive. I gjithë tenderi prej 40 milionë euro duhet anulluar. Nëse nuk bëhet atëhere gishti tregues duhet drejtues drejt kryeministrit Edi Rama.
Kompania “DH Albania” që është prezantuar në Shqipëri si degë e kompanisë amerikane “Dunëell Haberman” ka fituar pjesën më të majme të tenderit prej 40 milionë eurosh për këtë rrugë. Saktësisht kjo kompani ka marrë 18 milionë euro për të ndërtuar rrugën dhe në Tiranë nga institucionet është servirur si një firmë më përvojë ndërkombëtare në ndërtime. Por sipas emisionit “TëPaekspozuarit” të Ylli Rakipit kjo kompani ka bërë dhe mashtrimin më të madh. Siç rezulton nga dokumentet kompania shqiptaro-amerikane ka falsifikuar gjithë dokumentacionin ligjor të saj jo vetëm në Tiranë, por edhe në SHBA, në shtetin Delaëere. Kompania në dokumente thotë se është themeluar në Amerikë në vitin 1998 dhe ka pasur edhe më parë aktivitet me degën e saj në Shqipëri. Ndërkohë në përgjigjen që Departamenti i Shteti Delaëere ka dhënë për “TëPaekspozuarit” kompania është regjistruar në vitin 2018, vetëm dy muaj para se të krijohej tenderi në Shqipëri. Gjithë dokumentet që janë dorëzuar më pas në Tiranë për zhvillimin e tenderit dhe marrjen e projektit janë fallsifikuar si dhe nga institucionet shqiptare nuk ka pasur asnjë verifikim , pasi vetë zyrtarët shqiptarë ishin interesuar që ky fallsifikim të merrte vulën zyrtare dhe të merrnin 18 milionë euro për ti kaluar me anë të bankës si para të ligjshme, ndërkohë që është një korrupsion i hapur.
Pra, kemi një kompani fallso të regjistruar në një shtet të Amerikës që cilësohet “parajsë fiskale” dhe për pasojë nuk i gjendet emri i pronarit të vërtetë. Kemi një kompani që nga fillimi deri në fund ka mashtruar. E vetmja e vërtetë në këtë histori është se kjo kompani ka fituar 18 milionë euro për të ndërtuar vetëm një segment të rrugës, ndërkohë që janë në lojë 40 milionë euro për këtë Unazë. Pra duhet anulluar krejt tenderimi dhe jo vetëm një pjesë. I gjithë tenderi është një mashtrim dhe prokuroria duhet të hetojë urgjent duke dërguar në burg krejt grupin kriminal që ka vjedhur dhe mashtruar me fondet e shtetit
Por skandalet nuk mbarojnë me kaq. Administratori i kompanisë amerikane në Shqipëri që ka marrë 18 milionë euro me dokumente fallso është Avdjol Dobi, 26-vjeç. E vetmja e dhënë për këtë administrator ligjor është se ka punuar më parë si recepsionist në një spital privat! Qeveria, Ministria e Infrastrukturës, Agjencia e Prokurorimeve Publike dhe Autoriteti Rrugor Shqiptar i kanë dhënë 18 milionë euro një recepsionisti për të ndërtuar rrugë! Ky duket se është dhe kulmi i talljes së institucioneve me taksat e qytetarëve. Firma s’ka bërë asnjë punë më parë në Shqipëri, nuk ka pasur asnjë vepër të ndërtuar në Shqipëri dhe ato dokumente që ka pasur janë fallco dhe gjithë qeveria i beson buxhetin më të madh që mund t’i jepet një kompanie.
Burgu është pak për zyrtarët shqiptarë!
Varianti se institucionet nuk e dinin se letrat kompanisë janë fallsikuar është aq i pabesueshëm sa nuk askush në qeveri nuk ka guximin të dalë dhe ta thotë publikisht. Ajo që kuptohet lehtë është e gjitha kjo është një skemë për vjedhjen e parave në Tiranë dhe pastrimin e tyre në një shtet të SHBA që është “parajsë fiksale” dhe nuk zbulohet pronari i vërtetë. Është një skandal që nuk ka nevojë për justifikime, por për përgjegjësi ligjore. Dikush, duke nisur nga Qeveria dhe deri të Autoriteti Rrugore Shqiptar duhet të mbajë përgjegjësi ligjore dhe të shkojë në burg. Janë kapur me “presh në dorë” duke bërë vjedhjen më flagrante me lekët e shqiptarëve dhe për këtë gjë nuk e mbulon dot më asnjë mashtrim tjetër. Sepse për të fshehur këto fakte korrupsioni qeveria ka 40 ditë që po terrorizon dhe dhunon banorët e Unazës së Re. Ka futur rreth 130 qytetarë në burg sepse protestojnë për pronat e tyre dhe direkt është përgjegjëse për plagosjen e policëve dhe protestuesve. Fatkeqësisht të gjitha këto nuk u bënë sepse zyrtarët kanë merakun që Tirana të ketë unazë, por sepse dikush në qeveri e ka ndarë mendjen të vjedhë 18 milionë euro. Edhe pjesën tjetër të 40 milionë eurove. Kjo është skandaloze dhe kërkon një përgjigje të forte nga prokuroria. Dje, dy muaj pasi banorët e Unazës së Re kërkonin hetim për tenderin e projektit, Prokuroria nisi hetimet për dokumentacionin. Reagimi është kaq i vonuar sa pasi shpërtheu skandali, duket më shumë si hetim nga halli. Nëse prokuroria nuk bën arrestime VIP në këtë flagrant të cilin e zbuloi Ylli Rakipi, atëhere më mirë të ikim të gjithë nga Shqipëria dhe ta lemë vendin në dorën e bandës që na qeveris.
Pazaret në Tiranë kanë vënë në lëvizje dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “Zëri i Amerikës” raportoi dje se në shtetin Delaëere ka nisur hetimi për falsifikimin e dokumenteve që u përdorën në Shqipëri. Veç falsifikimit hetimet mund të nisin dhe për pastrim parash, një akuzë për të cilën merret direkt Departamenti i Drejtësisë në Qeverinë Amerikanë në Uashington dhe FBI. Hetimet në SHBA mund të sjellin të dhëna interesante sesi është bërë gjithë skema e manipulimit dhe kush qëndron pas saj. Por çfarëdo të të dalë nga hetimet, shqiptarët tani e kanë të qartë çfarë ka ndodhur. Hajduti është në Shqipëri, diku mes Qeverisë.
Arrestimet mund të qetësonin disi ndërgjegjen e popullit, që iu vodhën 18 milionë euro në mes të Tiranës./Q.Xhani/