Duhet të flasësh zoti Ambasador Lu!

Nga Nikoll Lesi. 

Ambasada e SHBA foli pardje për protestën. Foli, por goditi në një drejtim. Nuk ishte  e paanshme. Ambasadori Donald Lu, siç e kam thënë (është e shkruar në “Koha Jone”) mbetet ambasadori me karizmatik, më i vendosur dhe më i rrepti në historinë e marrëdhënieve diplomatike SHBA-Shqipëri. Pa Donald Lu nuk do të kishte reformë në drejtësi, kjo nuk ha diskutim. Natyrisht që një ambasador zbaton politikën e shtetit të tij dhe nuk flet në emër të mendjes apo preferencave të tij. Edhe Donald Lu këtë ka bërë. Në Shqipëri ka një popullaritet absolut Amerika, aqsa ambasadori shikohet sikur flet Zeusi. Dhe për shqiptarët, Amerika e madhe është si Zeusi. E kanë treguar Presidenti Uilson, Presidenti Ruzvelt, Presidenti Klinton me Kosovën, Presidenti Bush kur pranoi Shqipërinë në NATO. Presidenti Trump akoma nuk ka folur pasi vendi ynë është një pikë uji, për momentin, në oqeanin e madh botëror ndërkohë që Trumpi ka problemet e Koresë së Veriut, Izraelit apo me Rusinë.

Ambasadori Donald Lu ka folur hapur, drejt dhe ashpër në këto vite. Dhe ka patur përkrahjen e padiskutueshme popullore. Nuk foli aq sa duhet për kanabisin e qeverisë të vitit 2016, dhe kjo ia uli paksa pikët populiste, sepse qeveria me hile e shpërndante nëpër kafenetë e Tiranës se “kemi ambasadorin Lu me vete!”. Ndërkohë që as që mendohet se Donald Lu të mund kishte lejuar një kanabizim të tillë të Shqipërisë. Mund të ketë mbyllur paksa njërin sy, por nuk ka qenë dakort me atë çka bënte qeveria.

Donald Lu krijoi reformën në drejtësi, e mbajti gjallë frymën për një reformë të tillë, u bëri presion politikës për një reformë të shpejtë dhe pothuaj e realizoi një reformë drastike. Por për dreq ndërhyri prapë qeveria në lojë. E donte kryeprokurorin. A e donte që të mbyllë dosjet e saja apo të penalizojë kundërshtarët politikë, kjo akoma nuk dihet. Mbetet të pritet. A e donte Edi Rama kot, për tangërllëk, se “unë bëj ç’të dua si kryeministër”, edhe kjo mbetet pa përgjigje.

Por ajo çka ndodhi realisht, kur shoqëria civile e vonoi kastile anëtarin për të krijuar KLP, nga ku me ligj e me reformë zgjidhej Kryeprokurori i Përgjithshëm për 7 vite, të krijon një shije jo të mirë. Edhe Donald Lu heshti. Të kishte dalë, qoftë një ditë ambasadori Lu duke ngritur zërin “se e dua shpejt KLP”, do të shikonim duke vrapuar nëpër Tiranë, të gjithë, se si do gjendej anëtari dhe zgjidhej për 24 orë. Bile do ta zgjonin herët ambasadorin duke i thënë se “e zgjodhëm zoti ambasador”. Por nuk e bënë! E donin patjetër kryeprokuror të përkohshëm. Dhe besoj, dhe këtu do jemi, se kjo kryeprokurore do jetë pak më vonë jo e përkohshme, por për shtatë vjetë. Mbajeni mend! Janë llogari të kalkuluara. A janë amerikanët pas saj apo kryeministri, nuk mund të themi. Nëse janë amerikanët mbetemi me shpresë për drejtësi.

Kam dëgjuar këto dy ditë, analistë dhe politikanë, se “ambasadori Lu ka kaluar vijën e kuqe”. Po ç’vijë të kuqe ka kaluar Donald Lu, kur pothuaj krejt politika është për në burg nga SPAK-u?

Dikur kam patur një slogan elektoral: Investime dhe arrestime! Dhe me një forcë të politike të vogël kristiane arrita të marrë mbi 3,4 përqind të votave kombëtare. Arrestimet i kanë qejf në popull, por duhen edhe investime. Investimet i bën qeveria, arrestimet i ka drejtësia. Ajo drejtësi mungoi dhe tashmë që po shkon drejt finalizimit si reformë, po pse e dreqoset tani në fund duke nxituar, apo e donte kryeministri ta kishte në xhep kryeprokurorin. Qeveria nuk duhet të ketë punë dhe dorë në këtë reformë, pasi janë 140 vota deputetësh.

E fundit, zoti Ambasador. Protesta ishte e opozitës dhe një opozitë ka fjalën dhe protestën. Natyrisht që duhet një autokontroll, edhe nga opozita. Por nëse preket Kushtetuta në SHBA nuk dihet se ku i del tymi Uashingtonit apo jo. Edhe nëse, fjala vjen nuk kishte të drejtë opozita në gjithçka, a nuk pamë të gjithë live (dhe janë të regjistruara) se si deputetë të PS goditen me grusht një deputete femër, studente, mu në mes të sallës së Kuvendit. Po një tjetër deputete tjetër, po femër, u gjakos nga policia. E besoj, pa dashje dhe pa qëllim, por ama u tërhoq zvarrë dhe u gjakos. Duhej një deklaratë falje nga policia edhe për këtë. Duhej edhe nga PS-ja për deputetin e saj që goditi deputeten e opozitës. Edhe nga PD-LSI për kalimin e cakut të fundit. Apo jo? Edhe nga ambasada duhej një fjalë, edhe për shumicën.

Zoti Ambasador!

Jam nga ata që, dikur, isha hapur përballë një pushteti të dhunshëm e autoritar të Sali Berishës ndër vitet 1992-1997. Ashtu sikurse dihet publikisht se kam patur përballjen më të ashpër me një kryeministër të një qeverie të zhytur në korrupsion, siç ishte Fatos Nano ndër vitet 2003-2005. E kam provuar presionin, dhunën, djegien, tritolin, kontrollin, ndalimin në polici, grushtimet; gjithçka. Ti përmenda këto jo si në humorin popullor “a doni më për Belulin”, por sinqerisht se nuk dua të zhvjerdhët popullariteti juaj (natyrisht i SHBA) tek ajo çka keni bërë në këto vite të fundit për reformën në drejtësi, siç janë shtuar ditët e fundit kundërshtarët tuaj në publik, derisa dikush arriti të thotë dje, një ish-ambasador i Shqipërisë në OKB (Nju Jork) se “Lu e ka kaluar vijën e kuqe”.

Mos mbani anë zoti ambasador!

 

 

 

SHKARKO APP