Ish-kryeprokurori Adriatik Llalla “peshku i madh” për Brukselin dhe SHBA
Radio shtetrore gjermane DW shkruan sot se në Shqipëri po hetohet ish-kryeprokurori i përgjithshëm Adriatik Llalla. Ndër të tjera DW thotë se KPK, motori i vettingut, ka filluar me sesionet e dëgjesave publike të gjykatësve dhe prokurorëve që pretendojnë të jenë pjesë e sistemit të reformuar të drejtësisë. Kush kalon testin nga ky Komision do të vazhdojë të jetë prokuror apo gjykatës në sistemin e reformuar të drejtësisë. Kush nuk e kalon mbetet jashtë sistemit dhe subjekt i mundshëm i ndjekjes penale.
Rastësi apo jo, i pari në listën e gjykatësve në këtë proces nuk e kaloi dot testin dhe ishte pikërisht një anëtar i gjykatës kushtetuese, gjykatët e cila është gardiane e Kushtetutës. Komisioni shkarkoi të premten (23.03.2018) anëtarin e Gjykatës Kushtetuese, Fatos Lulo, i cili pret vendimin e Apelimit. Ky është rasti i parë, kur Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkon një gjykatës të nivelit të lartë. Gjithë procesi i verifikimit dhe vendimet e këtij Komisioni po monitorohen nga ekspertë të pavarur ndërkombëtarë.
Lista me emrat e gjykatësve dhe prokurorëve që do kalojnë në sitën e vettingut është e gjatë, plot 800 vetë. Vetëm 2% ose 17 gjykatës dhe prokurorë dhanë dorëheqjen dhe u vetëpërjashtuan nga drejtesia, para se vettingu të fillonte, duke përfituar nga ligji i vettingut që ua jepte këtë mundësi. Por dorëheqja nuk u jep atyre imunitet për t’i shpëtuar drejtësisë pa i hyrë gjemb në këmbë, nëse kane kryer vepra penale.
Rasti më domethënës është ai i ish- Prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla, ndaj të cilit Prokuroria ka hapur ҫështje penale për pastrim parash në përmasa të mëdha, edhe pse Llalla deklaroi para se të fillonte vettingu largimin vullnetar nga drejtësia. Atë që nuk e bëri dot organi i akuzës i drejtuar nga Llalla, që erdhi në krye të Prokurorisë në vitin 2012 dhe qëndroi deri në mbyllje të mandatit 5 vjeҫar, më 3 dhjetor 2017, e nisi Departamenti Amerikan i Shtetit. Muajin kaluar DAP mori vendimin që ish-kryeprokurori dhe familja e tij të futen në listën e zezë dhe të mos u lejohet hyrja në SHBA “për shkak të përfshirjes së tij në raste të mëdha korrupsioni”.
Fakte dhe dokumenta zyrtare, të botuara në media, kanë bërë transparente për publikun shit-blerje tokash, ullishtesh, në sipërfaqje të mëdha dhe pasurish të paluajtshme që ish-Prokurori i Përgjithshëm i blinte shumë lirë dhe pasi bëhej rivlerësimi i tyre, i shiste 20-30 herë më shtrenjtë. Dokumentat zyrtare flasin për transaksione financiare me persona me precedentë penalë që lidhen me krime të rënda, shkruan DW në portalin e saj.
Hetimi ndaj ish-Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla është një sinjal se për kulturën e pandëshkueshmërisë, të betonizuar në Shqipëri prej më shumë se dy dekadash, po fillon procesi i ҫmontimit. Burime diplomatike në Tiranë, që ndjekin nga afër këtë process thanë për DW se rasti i ish-Prokurorit të Përgjithshëm është vetëm fillimi i kapjes së “peshqve të mëdhenj” që do të ndiqet se shpejti edhe nga raste të tjera.
Prokuroria po heton në fshehtësi pasuritë e ish-kryeprokurorit Llalla dhe burime nga një ambasadë e huaj e cila bashkëpunon ngushtë me Prokuroren e Përgjithshme të Përkohshme, Arta Marku, pohuan se para Samitit të muajit Maj ka një arrestim të një “peshku të madh” nga radhët e drejtësisë, ndonëse Llalla ka firmosur largimin nga drejtësia. Mësohet se janë tre prokurorë dhe një grup nga Policia e Shtetit të cilët po hetojnë me kujdes dhe pa rënë në sy dosjen Llalla.
Me sa duket ish-vartësit e tij po hetojnë për ish-shefin e tyre dhe priten zhvillime interesante nga kjo çështje e hapur pa zhurmë në prokurori,aq me tepër duke ditur edhe konfliktet e ish-kryeprokurorit Llalla me ambasadorin amerikan në Tiranë Donald Lu. Vendimi i ish-Sekretarit të Shtetit Tillerson për ta shpallur ish-prokurorin e përgjithshëm të Shqipërisë në listën e zezë amerikane, gjë që nuk ka ndodhur as me diktatorë apo politikanë të korruptuar, tregon se zelli ndaj Llallës mbetet i veçantë.
A ka shkelur në ndonjë interes të madh amerikan apo ka vertet dosje me shkelje ligjore Adriatik Llalla kjo është vështirë të mësohet për momentin. Një gjë dihet publikisht se ish-kryeprokurori i Shqipërisë ka akuzuar në media ambasadorin amerian në Tiranë Donald Lu se i ka ndërhyrë për pazare korrupsioni me një kompani amerikane në fushën e naftës. Por mazhoranca e PS e akuzon ish-kryeprokurorin se nuk ka arrestuar njerëzit e politikës të lidhur me krimin,etj.