Dyshja Rama-Meta,rikthehet dashuria
Tallazet e përplasjeve mes Ramës dhe Metës duken se po veniten. Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta dhe Kryeministri Edi Rama zhvilluan dje një takim në një nga lokalet luksoze të qendrës së Tiranës. Në një situatë normale, takimi i dy aleatëve kryesorë të koalicionit që qeverisë vendin prej tre vitesh e gjysëm nuk do të tërhiqte vëmendjen e askujt. Por situata mes aleatëve miq-armiq nuk ka qenë normale këto muaj. Ndaj dhe takimi në një vend publik ishte më shumë një mesazh që Rama dhe Meta kanë dashur të japin në opinionin publik. Një mesazh qetësie pas stuhisë që përfshiu koalicionin gjatë miratimit të Reformës në drejtësi, por jo vetëm gjatë kësaj reforme. Kishte muaj, edhe para Reformës, që miqësia ishte kallkanosur mes tyre. Natyrisht prej kryeministrit pasi donte gjithë pushtetet nën vete.
Pas drekës së punës që zgjati rreth dy orë, i vetmi që pranoi të fliste për median ishte Kryetari i Kuvendit Ilir Meta. Si për të vazhduar me linjën e normalitetit të raporteve në koalicion, Meta tha se u takua me Ramën “për inaugurimin e stadiumit të Shkodrës dhe për ndeshjen me Marokun. Uroj të fitojë kombëtarja”. Natyrisht që askush nuk e ha se janë takuar për stadiumin. As për futbollin, pasi asnjeri nuk luan futboll ! Diçka tjetër ka qenë që i solli të shkonin në një vend publik e jo buzë detit.
Dy ditë më parë, Kryeministri Edi Rama në komunikimin live me ndjekësit e tij në rrjetet sociale tha se do diskutojë me Ilir Metën për 4 vjeçarin e ardhshëm të koalicionit. Ndërkohë, Meta në përfundim të takimit me Ramën tha se vazhdimësia e koalicionit nuk ka pse diskutohet. “Koalicioni është në vazhdimësi dhe nuk ka çfarë të diskutohet”. Një deklaratë që le të kuptohet se deri në zgjedhjet e ardhshme koalicioni do të shkojë sërish bashkë. Por mundet edhe me pas. Diçka po projektojnë të dy, tani që kaluan tallazet, ku anijet e sejcilit mund të fundoseshin në detin e politikës së mbrapsht shqiptare.
Një zhvillim i tillë i ngjarjeve brenda të majtës, duket si rikthim i ‘dashurisë’ Rama-Meta. Mjafton të kujtojmë se një muaj më parë, mungesa e konsensusit për ndryshimet kushtetuese i çoi marrëdhëniet PS-LSI në kuotën e tyre më të ulët që nga firmosja e koalicionit në vitin 2013. Nga selitë e dy partive nuk fshihej më se raportet mes Ilir Metës dhe Edi Ramës kishin pësuar një krisje të fortë. Deklaratat e Metës për qeverie teknike nëse nuk miratohej reforma me konsensus dhe blerja e disa deputetëve të djathtë nga Edi Rama për të garantuar një shumicë të re qeverisëse shtuan edhe më shumë zërat për një ndarje përfundimtare. Tensioni arriti deri në atë pikë sa kreu i Komisionit të Reformës në Drejtësi, Fatmi Xhafaj tha shprehjen “se dashuria mes PS dhe LSI ka kohë që ka ikur”. Një shprehje që e tha Xhafaj, por duket se përfaqësonte edhe mendimin e Kryeministrit. Në mos pastë qenë thënie e Ramës, të cilën Xhafaj e tha publikisht.
Takimi fundit publik, para drekës së djeshme, mes Kryeministrit, Edi Rama dhe Kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta ishte zhvilluar në 1 gusht në vilën qeveritare në Durrës. Situata e deklaratave për rishikimin e koalicionit vijoi përgjatë gjithë muajit që lamë pas. Në PS, drejtues të partisë, kishin nisur ti shihnin qëndrimet e LSI-së për konsensusin me PD për ndryshimet kushtetuese si tradhti ndaj tyre. Në fakt, bashkimi i votave PS-LSI për ligjin e vetingut, në seancën e fundit të Kuvendit, konfirmoi qëndrueshmërinë e koalicionit. Këmbëngulja e LSI për konsensus me opozitën lidhej vetëm Kushtetutën dhe ishte një qëndrim politik nga i cili përfitoi mëse shumti vetë Partia Socialiste. Në fakt me atë që bëri Ilir Meta duke siguruar 140 deputetë në votimin e Kushtetutës po sjell edhe hapjen e negociatave me BE. Nëse më 21 korrik nuk do të kishte konsensus, PS-ja sot nuk do fliste për hapjen negociatash me BE-në, por do të duhej ti bënte llogaritë me opozitën në rrugë dhe jo në Parlament. Në mos dhe me qeveri teknike drejt zgjedhjeve.
Pasi ngërçi i reformës në drejtësi kaloi, palët e koalicionit qeveris janë kthyer të diskutojnë qeverisjen. Sigurisht besimi mes palëve mungon, pas shumë akuzave dhe shantazheve që nuk ia kursyen njeri-tjetrit. Kjo gjë dukej dhe në formatin e takimit të djeshëm. Rama dhe Meta nuk pranuan të kishin persona të tjerë në takim. As ministra dhe krerët e grupeve parlamentare që nuk mungojnë në çdo takim të aleatëve kryesorë. Aq pak besim kanë kudo rrotull aqsa edhe bisedat kryesore janë zhvilluar në ashensor, duke shmangur ndonjë përgjim të mundshëm, edhe pse lokali ku drekuan është në bashkëpronësi të një deputetit socialist. Biseda mes tyre, ashtu si ajo në vilën qeveritare në Durrës, do të mbetet sekret. Ajo që deshën t’i tregojnë opinionit ishte rikthimi i koalicionit në normalitet.
Duket se retë e zeza të mbushura me reshje e rrufe kaluan dhe mbi selitë e kryeministrisë e kryesisë së Kuvendit tashmë ka dalë dielli i vjeshtës, diell që si stinë të gënjen, pasi në mëngjez fillon me rreze dielli, kurse në darkë shpërthen rrebeshi. Megjithatë marrëdhëniet mes tyre nuk ka njeri që i parashikon saktë. Një gjë mbetet e qartë se nëse përplasen kokë me kokë, të dyja kokat thyhen !