Deputetë të mazhorancës kundër kryeministrit për bastet dhe kazinotë
Dje kryeministri Rama deklaroi, më në fund, se do të mbyllë çdo pike basti sportiv në Shqipëri dhe se kjo do të ndodhë fiks me 31 dhjetor 2018. Po kështu asnjë kazino elektronike në qendrat e banuara, përveç në hotelet me 5 yje dhe këto vetëm në zona të veçanta turistike.
Ky ishte një vendim politik i admirueshëm nga popullsia. Dihen tashmë pasojat ekonomike dhe sociale që kanë sjellë në çdo qoshe pallati apo rrugicë fshati, duke krijuar konflikte në familje e shoqëri, si dhe duke edukuar një brez të ri që fatin nuk e gjen te puna, por te llotot. Dhe vetëm fat nuk ka në baste dhe kazino!
Këto aktivitete janë kthyer edhe në vende pastrimi parash të krimit. Nisur nga të gjitha këto, si dhe me sa duket janë pastruar tashmë paratë e kanabisit, kryeministri deklaroi se do ti mbyllë.
Por këto nuk mbyllen me vendime qeverie, por me shtesa në ligjin aktual ose me një ligj të ri. Edi Rama ka sot 78 deputetë, bashkë me ish-çamët që janë konvertuar në PS dhe vota e deputetit Tom Doshi. Mësohet se pas deklaratës publike kryeministri ka patur presione të shumta nga lobingjet e këtyre bizneseve, bile burime nga PS tregojnë se janë mbledhur një grup deputetësh, afërsisht 11, të cilët nën “argumentin” se dalin pa punë mijëra vetë; pra do të votojnë kundër vendimit të kryeministrit Rama.
Burimi në fjalë mund të jetë i vertetë, ose edhe mundet ndonjë lojë e PS-së që e përhapin lajmin e 11 deputetëve kundër për të treguar se sa vështirë e ka kryeministri për ta mbajtur fjalën, sepse ka prekur interesa të grupeve të fuqishme në PS. Megjithatë kryeministri ka premtuar dhe duhet ta mbajë fjalën ose të ikë.
Zgjidhje tjetër nuk ka!