“E treta, e vërteta” parashikon dhunë?!

Nga Spiten Prulli

Shumëkush parashikonte se data 13 maj do të ishte protestë e dhunshme nga opozita. Por nuk doli ashtu. Lulzim Basha kishte premtuar se do të ishte paqësore, ndonëse segmente të PD dhe opozitës ishin përgatitur për dhunë. Dy ditë para protestës mesazhet e selisë blu ndryshuan. Nga thirrjet për përplasje, mesazhe u kthyen apele për tubim paqësor, ku forca e vetme që do të tregohej ishte ajo e numrave në bulevard. Në të vërtetë, Lulzim Basha e dha paralajmërimin e tij para protestuesve të PD-së për një tubim paqësor. Mesazhi i normalitetit ishte momenti kur ngjiti shkallët e selisë blu me bashkëshorten dhe dy vajzat e tij. Ishte mesazh paqeje dhe normaliteti. Dhe ashtu ndodhi, protesta e PD-së ishte paqësore dhe pa incidentin më të vogël. Sikur të mos mjaftonin masat ekstreme me rreth 4 mijë policë, vetë demokratët kishin organizuar një grup prej 3 mijë të rinjsh që mbanin nën kontroll protestën. Kjo bëri që pas protestës që flitej se do ishte e dhunshme, mediat të mos merreshin me komentin e incidenteve, por me numrin e pjesëmarrësve. Si në çdo protestë edhe këtë herë njëra palë e ekzagjeron me numrin e pjesëmarrësve, ndërsa pala tjetër e minimizon në maksimum numrin e protestuesve. Për Berishën dhe Bashën në shesh ishin 600 mijë. Për disa media dhe për mazhorancën dje në shesh nuk ishin më shumë se 20-25 mijë.

Por duke u marrë me numrat, pa dashje, harrohet thelbi i protestës dhe mesazhet kryesore të saj. Mesazhet e Bashës pas 86 ditë proteste në çadër dhe dy mitingjeve të mëdha janë të njëjta. Sërish dje, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” Basha deklaroi se, duhet qeveri teknike dhe zgjedhje me opozitën. E reja e tubimit të djeshëm të PD-së ishte ultimatumi i kreut të saj, Lulzim Basha. Pas dy mitingjeve të mëdha, Basha deklaroi se protesta e radhës e PD-së do të jetë finalja. E para ishte më 18 shkurt kur filloi çadra, e dyta ishte më 13 maj, kurse e treta do jetë e fundit, që do të thotë sipas nëntekstit politik të liderit të opozitës, se do jetë fatale.

A jeni gati ta vazhdojmë këtë betejë? Ju kërkoj vetëm qëndresë dhe bashkim dhe Zoti do ju bekojë e do të na bekojë me fitore. Për zgjedhje të lira dhe të ndershme, të vetmet zgjedhje që Shqipëria do të ketë, për Republikën e Re të qytetarëve shqiptarë, kështu sot siç u mblodhëm sot në këtë referendum, të jemi gati për të tretën, të vërtetën, marshimin tonë final”,- deklaroi kreu i PD-së.

“E treta-E vërteta”! Këtë tha Lulzim Basha, ndërkohë që pret ditën e hënë shpresën e fundit për zgjidhjen e krizës. Në Tiranë vjen zëvendësndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Hoyt Brian Yee që njeh mirë Ballkanin. Vizita e diplomatit të SHBA-ve bëhet në momentin më kritik të krizës politike. Mazhoranca ka nisur fushatën elektorale për të hyrë në zgjedhje pa opozitën, ndërsa PD, siç konfirmoi dhe dje Basha nuk do të njoh asnjë palë zgjedhje që zhvillohen vetëm nga mazhoranca. Përplasja është evituar deri më sot, por nëse palët shkojnë drejt 18 qershorit në pozicionet aktuale, destabiliteti politik është i pashmangshëm. Ndaj vizita e diplomatit të lartë të SHBA shihet dhe si shansi i vetëm për arritjen e një marrëveshje politike. Pasi kanë dështuar disa raunde negociatash dhe pasi është djegur çdo afat ligjor elektoral, diplomati amerikan pritet të jap rekomandime konkrete dhe të forta për palët. Basha dhe Rama të hënën kanë mundësi vetëm që të pranojnë marrëveshjen ose të konfirmojnë përplasjen dhe ecjen në drejtim kuturu të vendit. Pas të martës, nëse nuk ka marrëveshje PS-PD edhe pas ardhjes së zyrtarit amerikan, atëherë vjen “E treta=E vërteta”. Nëse dështon dhe negociata me SHBA, PD mbetet jashtë zgjedhjeve, jashtë Kuvendit dhe në momentin që ndodhet në rrugë, opozita nuk ka më se çfarë të humbasë ndaj do të radikalizohet. Pas dy protestave masive qytetare të PD-së, e treta do të jetë protestë, ku PD nuk do e tregojë forcën vetëm me numrat në shesh. Do të përdorë muskujt te kutitë e votimit.

Për interesat e vendit, e mira është që të mos përfundojmë tek e treta. Turma opozitare ishte gati në shpërthim edhe dje. Por mjeshtërisht Lulzim Basha e mbajti me shpresën e zgjidhjes së krizës. Shpresa vdes e fundit, thuhet. Por nëse vdes edhe kjo shpresë, është më se e sigurt se protesta tjetër e opozitës do të jetë e thirrur dhe e përfunduar si e dhunshme.

Ndaj thirrini mendjes zotërinj politikanë, të të gjithave krahëve!

SHKARKO APP