Edhe Hitleri donte Referendume, por…
Në kulmin e debatit dhe afër finales së datës 21 korrik kur duhet të mbyllet reforma në drejtësi dhe kur në vend që përfaqësuesit e popullit, këta pra të zgjedhurit tanë ( edhe disa kriminelë) të ulen të bisedojnë, debatojnë, të gjejnë zgjidhje apo edhe marrëveshje kushtetuese dhe të mos e destabilizojnë situatën politike e aq me tepër atë ekonomike, po dalin e thonë:REFERENDUM .
E çdo thotë kjo për ata që e kërkojnë? Referendum në verë apo kurdo në vjeshtë që t’i shpjegojmë popullit se cili nen apo cila pikë e Kodit, Kushtetutës apo ligjit duhet ndryshuar? Kjo është punë e parlamentit të cilin populli e ka votuar për të miratuar ligje e rregulluar jetën e tij. Në parlament ka dërguar juristë dhe ata të debatojnë, pasi kur duan si në vitin 2008, Berisha-Rama u morën vesh në mesnatë dhe ranë dakort për ndryshimin e Kushtetutës. Pse atëhere nuk shkuan tek populli në Referendum?! Apo atëhere kishin pazare të dyja palët dhe u morën vesh. Bile e bënë çorbë Kushtetutën, pasojat e së cilës po vuajmë sot. Po tani pse e kërkon Edi Rama, referendumin? Synimi nuk është që t’ia jap popullit mundësinë e zgjedhjes së sistemit të drejtësisë, pasi është shumë specifik logjika e intërpretimit të mënyrës juridike se si duhet, dhe këtë më mirë se specialistët, juristët, avokatët, deputetët e profesionalizuar nuk mund ta dijë populli i thjeshtë.
Populli do drejtësi dhe këtë duhet t’ia japin përfaqësuesit e tij të zgjedhur. Nëse synohet manipulimi i halleve të popullit me varfërinë dhe inati i drejtë popullor ndaj gjyqtarëve dhe sistemit të drejtësisë, atëhere është keqpërdorim i popullit për të thënë se “populli votoi për mua” dhe më pas të justifikojë për qëllime politike sulmin ndaj kundërshtarëve me argumentin e referendumit. Kryeministri Rama e nxori kokën me anë të Majkos si rastësisht apo me zv/kryeministrin Niko Peleshi zyrtarisht që të shkojmë në Referendum nëse nuk bëhen 94 vota në parlament. Pra presion dhe jo debat, shantazh dhe jo ulje siç kërkojnë ndërkombëtarët me konsensus. SHBA dhe BE duan reformën në drejtësi si parakusht për anëtarësim në Bashkimin Europian. Edhe dje kreu i Komisionit për Çështjet Europiane në Bundestagun gjerman, Gunther Krichbaum tha prerë që merruni vesh dhe miratojeni brenda 21 korrikut pasi durimi gjerman dhe i BE nuk mban më. A ka më shkoqur dhe me më sinqeritet se sa e tha gjermani Krichbaum? Ai tha merruni vesh me konsensus, pasi drejtësia del me e pavarur kur ka konsensus. Ai, si gjerman, e di mirë historinë e Gjermanisë së tij kur Hitleri në emër të popullit dhe duke shfrytëzuar popullin bëri zap krejt Europën duke shkaktuar luftën e dytë botërore. Ai ndaj foli i zemëruar se “nuk kemi më durim”, por gjëjeni gjuhën e mirëkuptimit.
Edhe Hitleri, në vitet e para të pushtetit të tij ishte popullor dhe “vdiste” për popullin e sa herë dështonte në politikë i drejtohej për referendum popullit gjerman. Hitleri me 12 nentor 1933 bëri Referendum.Qwllimi ishte tërheqja nga konferenca e çarmatimit e Gjenevës dhe dalja e Gjermanisë nga Lidhja e Kombeve. Referendumi gjerman ku dolën në votim 96 përqind e gjermanëve dhe votuan pro, fiks 95 përqind ! Po kështu me 19 gusht 1934 referendum tjetër popullor me temë bashkimi i postit të presidentit me atë kryeministrit pas vdekjes se presidentit Hidenburg. Morën pjesë 96 përqind dhe votuan pro 90 përqind. Pas këtij referendumi Hitleri u shpall Fyhrer. Nuk ndaloi Hitleri kur fitoi dy referendumet.Me 29 mars 1936 prapë referendum për Ratifikimin e pushtimit të landit të Rinit. Morën pjesë 99 përqind e gjermanëve dhe votuan pro 98.8 përqind. Nuk ndaloi prapë Hitleri. Referendumi i katërt me 10 prill 1938 ku objekt ishte aneksimi i Austrisë. Morën pjesë 99.6 përqind dhe votuan pro 99.3 përqind.
Me sa duket këto ka patur në mendje kreu i Komisionit për Çështjet Europiane në Bundestag, Gunther Krichbaum kur tha se jemi lodhur me ju ndaj nxitoni urgjent e merruni vesh për të mirën e popullit dhe mos e përdorni popullin për lojëra politike.
Kështu e përdorën popullin në Britaninë e Madhe para disa ditëve për Brexit dhe tashmë janë penduar si pozita edhe opozita, pasi pakënaqësia popullore britanike po arrin kulmin, pas referendumit. E mashtruan me referendum dhe ja ku janë tani: kryelajmi botëror dhe të penduarit e mëdhënjë të Europës. Londra kërkon të shkëputet nga Britania, Skocia kërkon referendum popullor ( në këtë rast vetëm populli mund të vendos) që të rrijë me BE e të ikë nga Britania, Irlanda e Veriut po fillon të negociojë me Irlandën e të bashkohen, në qytete kanë filluar konflikte sociale kundër emigrantëve të huaj të cilët janë nënshtetas britanikë, por që votuan të dalin nga BE,etj. Pra për një referendum politik dhe që mund të evitohej nga politika punët shkuan kaq keq. Kur një komb i madh si britanikët përfunduan kështu, sa dje kishte 4 mijë kërkesa britanikësh të merrnin pasaportë irlandeze, merret me mend se ç’mund të ndodhë me një popull të varfër si shqiptarët. Ndaj nuk ka vend për referendum për një çështje të cilën mund ta zgjidhë vetë politika nëse dëshiron që populli të jetojë pa konflikte.
Për një nen 88 kur edhe Komisioni i Venecias ka dhënë mundësi kompromisi duan të përdorin popullin për interesa të tjera politike, kjo bëhet kriminale. Sepse nëse synohet kjo skemë, e cila mund të eliminohet nga njërëz të mençur që kanë mbetur në PS, atëhere ka edhe një skemë “D”, ku krijohet një mazhorancë e re brenda parlamentit dhe rrëzon qeverinë duke gjetur tjetër kryeministër.
E pse e gjithë kjo rrëmujë? Vetëm për të kapur sistemin e drejtësisë për ta përdorur për interesa të një grupi biznesi e politikanësh të cilët synojnë të përlajnë gjithçka ka mbetur pas pushtetit 8 vjeçar të Saliut.
Edi Ramën duhet dikush ta këshillojë për të qenë ai që ishte para 23 qershorit 2013 e jo kur pushteti të mbulon me të mira harron dhe fantazon për t’u bërë Mbret.
Koha e mbretërve ka ikur. Edhe koha e atij qejfliut të referendumeve gjermane ka mbaruar.
Me mirë një kryeministër mirëkuptues, bashkëpunues dhe reformator se sa një uzurpator demokracie!
Spiten Prulli