Rama sulmon më në fund ish-deputetin e tij, Kokëdhima
Kryeministri Rama nuk ka duruar sulmet e ditëve të fundit, bile edhe nga gazeta e ish-mikut të tij “Shekulli” e Kokëdhimës, dhe doli duke hedhur poshtë gjithçka ka gatuar ish-deputeti i tij qipariot. Gazeta “Shekulli” publikoi pak ditë më parë një lajm për një raport sekret të agjencive të huaja ligjzbatuese, që fliste për parcelat e drogës në Shqipëri dhe akuzonte policinë si të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Ishte akuzë shumë e rëndë, pasi opozita dhe mediat e tjera e përdorën faktin se gazeta e Kokëdhimës ka fakte për drogën e Saimir Tahirit. Kjo e bëri që Policia e Shtetit dhe ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, të dalin dhe ta përgënjështrojnë, disi të acaruar ish-deputetin e tyre. Që pas heqjes se mandatit të deputetit nga Gjykata Kushtetuese, Koço Kokëdhima ka filluar të shigjetojë pa asnjë hezitim qeverinë Rama. Duket se ish-deputeti mbetet i bindur se mandatin e tij ia hoqi vetë PS-ja me duart e Kushtetueses dhe të një ambasadori të huaj në Tiranë.
Pas Tahirit,edhe Kryeministri Edi Rama ka sulmuar ish-mikun e tij dhe ish-deputetin e PS Koço Kokëdhima, gazeta e të cilit publikoi lajmin për një raport sekret.
Gjatë ditës së sotme Edi Rama, si çdo të dielë, foli për raportin e Guarda di Finanza për kultivimin e drogës, ndërsa përmendi edhe faktin se nuk ekziston asnjë raport sekret nga partnerët e huaj. Lajme të tilla, Rama i quajti të fabrikuara, duke iu referuar këtu edhe gazetës së Kokëdhimës.
“Kjo lëndë (nënkupto gazeta) sulmon përditë shoqërinë tonë me lëndët më helmuese të industrisë së baltës me raporte sekrete të fabrikuara, fakte të shpikura dhe shifra të falsifikuara”, thotë ndër të tjera Kryeministri Edi Rama.
Fakti që edhe vetë kryeministri e sulmoi indirekt Kokëdhimën tregon se ka perenduar koha e miqësisë mes tyre dhe akullnaja politike ngrihet e lartë, sa edhe daljet e kohëve të fundit të ish-deputetit në media nuk duket se do risjellin “epokën e artë” të miqësisë. Por prapë nga brenda selisë rozë hedhin dyshime se ndërsa Edi Rama e sulmon, ministrat e akuzojnë, mandatin ia hoqën me kerkesën e Gramoz Ruçit, përsëri kompaninë shtetrore ALBPETROL e drejton miku dhe vartësi i vendosur nga Koço Kokëdhima. Në ALBPETROL ka shumë lekë ! A është lojë dinake kjo e duelit mediatik mes tyre?!