Edhe kryetarë Edhe hajdutë!

Aksioni për kundër vjedhjes së energjisë nuk ka nevojë vetëm për policë, por edhe për shembuj të fortë të zbatimit të ligjit nga ana e qeverisë. Janë 15 kryetarë komunash në gjithë vendin, që mund të cilësohen si simboli i vjedhjes së zyrtarëve të lartë. Kreu i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE), Adrian Çela bëri të ditur dje se në total, krerët e komunave janë debitorë me 637 mijë dollarë nga mospagimi i faturave. Energjia elektrike nuk është paguar prej vitesh dhe krerët lokalë kanë pasur disa kontrata me të cilat operonin. Në to nuk ka vetëm kontrata familjare, por edhe biznesesh. Në listë bien në sy dhe rekorde për mospagimin e energjisë. Kreu i Komunës Vllahinë, Gëzim Hoxha është i pari në listë më 33 milionë lekë të papaguar. Pas tij renditet Hysen Gashi, i komunës Rrashbull, me 7 milionë lekë, ndërsa bie në sy kreu i komunës Lazarat, që veç probleme me drejtësinë për lejimin e mbjelljes së hashashit, duket se prej vitesh nuk e ka parë sportelin ku paguhen detyrimet ndaj shtetit për energjinë.

Lista vlen të komentohet dhe nga pikëpamja politike. Në emrat e 15 krerëve të komunave shihet se vjedhja është bërë nga të dy kampet. Ka nga Partia Demokratike dhe nga Partia Socialiste, si dhe nuk mungojnë dhe të pavarurit. Pra, kur vjen puna tek vjedhja duket se ngjyrat politike nuk kanë rëndësi. Madje, ndonjëherë përfaqësimi politik duket edhe si garanci se mund t’ja hedhin më kollaj ligjit. Më i rëndë duket fakti që aksioni është ndërmarrë nga mazhoranca e majtë dhe urdhrat nuk janë zbatuar nga vet nga disa përfaqësues lokalë të këtij koalicioni.

Kreu i OSSHEE bëri dje apelin e fundit ndaj krerëve të komunave, duke deklaruar se nëse nuk paguajnë energjinë do t’i kërkonte Qeverisë shkarkimin e tyre. Duket një masë ekstreme, por është mëse e nevojshme. Të zgjedhurit vendorë me miliona lekë të papaguara janë shembulli më i keq që u jepet sot qytetarëve. Krerët e komunave janë zgjedhur për të drejtuar komunitetet, por edhe për të qenë një model në zbatimin e ligjit. Çfarë vlere ka t’u bësh apel qytetarëve të paguajnë dritat, kur vetë ata që janë zgjedhur nga banorët nuk paguajnë. Qytetarët e zakonshëm janë debitorë me disa qindra mijëra lekë, ndërsa “pashallarët” e komunave janë me miliona. Për qytetarët mund të ketë justifikime, si mungesa e të ardhurave dhe papunësia, por në rastin e kryetarëve nuk ka asnjë justifikim. Një pjesë e borxhit është grumbulluar dhe nga biznese të kryetarëve të komunave, ndaj mos pagimi ka qenë shfrytëzim i postit të tyre. Krerët e vendorë kanë një rrogë të majme dhe në këtë rast duket se vjedhin dy herë shtetin. Një herë duke marrë rrogën e pamerituar dhe një herë, duke mos paguar dritat. Ashtu siç qeveria udhëzoi ministritë që të verifikojnë punonjësit për pagimin e faturave, në të kundërt do të shkarkoheshin, e njëjta gjë duhet zbatuar edhe më rastin e krerëve të komunave. Sigurisht, pushteti lokal është i pavarur dhe shkarkimi i kryetarëve nga qeveria mund të duket masë ekstreme. Por në këtë rast, po flasim për vjedhje në miliona lekë, abuzim me detyrën dhe mos respektim të ligjit nga ata që janë zgjedhur për ta zbatuar atë. Nuk mund të jenë edhe kryetarë, edhe hajdut të rregullt të energjisë.

Aksioni për energjinë është kryefjalë e qeverisë aktuale. Kryeministri, ministrat, kreu i OSHEE përditë u bëjnë apel qytetarëve të paguajnë dritat. Janë arrestuar dhjetëra biznesmenë e qytetarë që kanë vjedhur energjinë. Pas hekurave janë dhe njerëz hallexhinj që nuk kanë pasur realisht mundësi të shlyejnë faturat, megjithatë ligji për ata është zbatuar. Ndaj teksa sheh se kryetarë të tillë komunash vazhdojnë detyrën e tyre dhe nuk duan t’ia dinë për shtetin, ndëshkimi duhet të jetë ekstrem. Aksioni për energjinë mund të cilësohet si një reformë e suksesshme, përveç skandalit me të zgjedhurit vendorë. Lista me 15 kryetarë komunash është një njollë e zezë që mund të vërë në pikëpyetje gjithë reformën dhe ndaj nevojitet një shembull specifik. Këta kryetarë komunash përcjellin dhe një mesazh negativ tek qytetarë që po rrinë këto ditë në radhë për të shlyer faturat e prapambetura të energjisë. Por nuk ka vetëm kryetarë komunash që nuk paguajnë, por edhe drejtorë dhe njerëz të rëndësishëm të hierarkisë shtetërore.

Rasti i bërë publik dje kërkon që në vijimësi të informohet zyrtarisht, nëse i bënë pagesat apo jo dhe nëse jo, a do t’i shkarkojë ata Edi Rama nga detyra. Nëse tolerohet me rastin e këtyre të zgjedhurve, nëse mbetet i vërtetë fakti që nxori OSHEE-ja për secilin emër, atëherë kryeministri do të jepte një shembull publik se nuk fal asnjeri, as edhe të Partisë Socialiste.

Të shikojmë!

 

Lista e kryetarëve të komunave debitorë

Gëzim Hoxha, Komuna Vllahinë 33 milionë lekë PS

Hysen Gashi, Komuna Rrashbull 7 milionë lekë  PD

Abedin Uruçi, Komuna Kolsh, 2 milionë lekë    (I pavarur)

Gani Allushi, Komuna Zall Herr, 1 milionë lekë  PS

Adriano Shanani, Komuna Kurjan, 1 milionë lekë. (I Pavarur)

 Dashnor Aliko, Komuna Lazarat, 147 mijë dollarë PD

Xhevat Mlloca Komuna Ana Malit, 1.009.964 lekë PS

Feriz Hoxha, Kumuna Bytyç, 1.048.462 lekë      PD

Lekë Bibaj, Komuna Gjinaj, 1.563.013 lekë       PD

Halil Aliaj, Komuna Surroj, 993.579 lekë         I pavarur

Rrok Dodaj, Komuna Qerret, 972.883 lekë        PD

Rahman Demaj, Komuna Tërthore, 815.769 lekë   I pavarur

Lek Bibaj, Komuna Hajmel, 740.124 lekë         PD

Kujtim Gjoka, Komuna Bushtricë, 670.013 lekë  PD

Ahmet Shira, Komuna Kalis, 660.509 lekë    PD

SHKARKO APP