Edhe pesë deputetë të Parlamentit po hetohen për fshehje të dhënash në formular

-Burime nga prokuroria tregojnë se po priten informacionet zyrtare nga shtetet e BE për pesë të tjerë deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, ku njeri është deputet i njohur.

Heqja e mandatit të deputetit të PDIU Aqif Rakipi nga KQZ ka shkaktuar jo pak habi brenda radhëve të mazhorancës. Arsyeja është e thjeshtë, se për mënyrën si funksionojnë institucionet në Shqipëri dhe sidomos pas rastit “Tahiri” ku PS-ja në bllok doli kundër ligjeve, Prokurorisë dhe ndërkombëtarëve, mandatin e Aqif Rakipit, KQZ-ja e ka hequr me një leje nga kryeministrit Rama.

Natyrisht që mirë ka bërë bërë kryeministri, por duhet të mos pranonte votën e askurkujt që ka probleme me drejtësinë, siç ndodhi me disa deputetë të Veriut në legjislaturën e kaluar parlamentare.

Kërkesa e Prokurorisë, në mënyrën sesi ishte formuluar krijonte vend për manovra ligjore. Vota e anëtarëve të PS në KQZ ishin pro kërkesës së Prokurorisë për heqjen e mandatit dhe duket si një orientim i Edi Ramës për të larguar nga Kuvendi, Aqif Rakipin. Dihet tashmë se Aqif Rakipi ishte mik i Edi Ramës, kjo nuk ha diskutim. Kafetë kokë me kokë Rama-Rakipi në hotel Rogner në momentet kritike të kryeministrit apo dreka e kryeministrit me Aqif Rakipi në Durrës apo edhe takime deri vonë në kryeministrit tregojnë se ishin miq. Mik me Ramën prapë duket e vështirë, pasi ai i ka përdorur.

Natyrisht nuk ishin miq të kohës së shkuar, nuk ishin miq nga arti e kultura, nuk kishin qenë bashkë në Francë në vitet e Saliut të I-rë. Thjesht Rama kishte interes për votat dhe lidhjet e forta të Rakipit në këto vite të fundit. E përdori mjeshtërisht dhe e hodhi po kaq mjeshtërisht. Prokuroria aty i ka patur letrat për Rakipin që para pesë viteve, por nuk u hodhën në treg. Ato letra kanë qenë edhe në zyrën e kryeministrit.

Nuk po themi aspak se KQZ veproi gabim, përkundrazi. Bile këtë vendim të KQZ si për Aqif Rakipin, ashtu edhe për Gledion Rehovica, e përshendeti edhe ambasadori amerikan Lu. Ambasada e SHBA shkroi  tekstualisht: Ambasada e SHBA mirëpret vendimin e sotëm nga KQZ për t’iu hequr mandatet Aqif Rakipit dhe Gledion Rehovicës. Ky vendim është provë pozitive se procesi i rëndësishëm i dekriminalizimit, filluar në dhjetor 2015, vazhdon në Shqipëri”.

Burimet tregojnë se janë edhe pesë deputetë të tjerë që i pret fati Rakipi. Bile njeri është deputet i njohur.

KQZ vendosi heqjen e mandatit për shkak se këtë ngjarje të cilën e akuzoi prokuroria, Rakipi nuk e ka pasqyruar në formularin e dekriminalizimit. I njëjti argument ligjor u përdor dhe për heqjen e mandatit të deputetit të LSI-së, Gledion Rehiovica. Të dy deputetët u penalizuan sepse nuk e kanë pasqyruar ndalimin nga policia në dokumentet e dekriminalizimit.

Vendimi për deputetin e LSI ishte i pritshëm, për shkak se shumica në KQZ është me anëtarë të propozuar nga PS dhe nga PD. Ajo që cilësohej paksa jashtë sjelljes normale politike të PS është heqja e mandatit të Aqif Rakipit. Demokratët kërkuan heqjen e mandatit, ndërkohë socialistët e votuan këtë kërkesë. Në raste të tjera, kur anëtarët e PS në KQZ kanë pasur orientime nga selia e partisë, kanë mbrojtur deputetët e majtë edhe me më shumë probleme ligjore sesa Aqif Rakipi.

Ndaj vendimi i djeshëm i anëtarëve të PS në KQZ duket si një orientim nga selia e PS për të hequr qafe nga Kuvendi deputetin e PDIU, Aqif Rakipi.

Rakipi është një nga deputetët e Elbasanit që mori më shumë vota si përfaqësues i një partie jo të madhe, 19 për qind. Gjithashtu, ai njihet për miqësinë personale me Kryeministrin Edi Rama. Pas zgjedhjeve, kur PDIU ende nuk ishte e qartë për koalicionin me PS dhe akuzonte Edi Ramën për vjedhjen e votave të Shpëtim Idrizit, ishte Aqif Rakipi ai që deklaroi se vota e tij do të ishte për Qeverinë “Rama 2”. Pas ikjes së LSI dhe mbetjes jashtë Kuvendit të Shpëtim Idrizit, Aqif Rakipi ishte aleati i vetëm i mazhorancës së PS në Kuvend.

Arsyet mund të jenë parimore dhe Rama nuk ka dashur të mbajë koston e një deputeti të akuzuar për vjedhje. Por kjo nuk duket shumë bindëse, pasi Kryeministri ka mbrojtur më parë edhe deputetë të akuzuar për vrasje, trafik droge dhe për shfrytëzim prostitucioni. Ndaj pikëpyetjet sot nuk janë se pse ja hoqi mandatin KQZ-ja deputetit të PDIU, por çfarë ka ndodhur mes Kryeministrit Edi Rama dhe mikut të tij Aqif Rakipi?

Apo Edi Rama është mjeshtër ndërkombëtar, aqsa i përdor për ambicjet e tija politike dhe më pas i hedh në atë mënyrë që të mos u mbetet brinjë pa thyer, kur bien nga gremina politike.

Mjeshtër i madh ky Rama!

A nuk përdori një mori deputetësh nga Lezha, Laçi, Shkodra, etj e ku më pasi i përcolli me dru në publik, por i takon prapë në rrethe sa herë vjen koha për vota?

Kështu do bëjë edhe me Aqif Rakipin. Kur të vijë koha e votave do ta marrë për drekë.

Qamil Xhani

SHKARKO APP