Edhe të përdhunojnë,edhe të të arrestojnë !
Ndodh edhe kështu. Fatkeqësisht.
Një lajm i rëndë qarkulloi dje në të gjitha mediat online. Një ngjarje aspak e hijshme ka ndodhur në qytetin e Rrëshenit, ku një vepër kriminale ka sjellë efektin zinxhir, duke kthyer në objekt të proçedimit penal edhe të dëmtuarin. Në rastin konkret kemi të bëjmë me një vajzë 20-vjeçare, e cila u proçedua për tentativë vrasjeje, pasi goditi me thikë një person që tentoi ta përdhunonte.
Të paktën kështu thonin lajmet dhe burimet policore. Shtetasi S.T. 24 vjeç, ka tentuar të kryejë marrëdhënie seksuale me dhunë me shtetasen M.Gj., e cila më pas e ka goditur disa herë me thikë në trup këtë shtetas e për rrjedhojë, duke i shkaktuar dëmtime serioze për jetën.
Teksa u godit disa herë me thikë, edhe S.T. u kundërpërgjigj, duke e goditur vajzën me sende të forta në kokë, ku për pasojë të dy personat përfunduan të plagosur, por ai që është në gjendje më të rëndë e më në rrezik për jetën është 24-vjeçari, i cili aktualisht ndodhet në spitalin e traumës në Tiranë në gjendje të rëndë shëndetësore. Shtetësja M.Gj. ndodhet në spitalin e Rrëshenit, fatmirësisht ajo jashtë rrezikut për jetën.
Por, çudia vjen më e madhe edhe pas ngjarjes. M. Gj., e cila edhe pse u vetëmbrojt, tashmë do të përballet në Gjykatë me akuzën e “tentativës së vrasjes”, shkruan dje javaneës.al.
Paradokse që hasen vetëm në Shqipëri, sepse ajo çka e bën edhe më shokuese këtë lajm është pikërisht fakti se, pasi vajza është mbrojtur – siç tregojnë burimet policore – duke e goditur agresorin e saj me çdo mjet që i është gjendur afër, tashmë i duhet të përballet para drejtësisë, për “tentativë vrasjeje”, etj..
A nuk është e turpshme? Se… si e padrejtë kështu do e shihte edhe me i painformuari mbi ligjet e drejtësinë në këtë vend.!Po more zotërinj, pse duhet të përballet me gjykatën si e akuzuar shtetasja M.GJ.? Pse duhet ndaluar dhe hetuar, ndërkohë që, po sipas burimeve të policisë ajo vetëm sa është mbrotjur dhe ka luftuar për të nderin e saj, ndaj një personi që ka tentuar ta përdhunojë? Po për dëmet e saj psikologjike pas kësaj ngjarje mendon njeri, apo mjafton të “plotësohet norma e të kapurve” dhe hajt ta rrasim brenda për vrasje?
Kjo nuk ndodh në një vend normal, por siç po e kuptojmë e po bindemi dita-ditës ne nuk jetokemi në një shtet normal, pasi në këtë vend viktima dënohet dhe agresori lirohet. Pse u dashka, fjala vjen që kur të hyn tjetri në shtëpi, apo të del përpara në rrugë e tenton të të përdhunojë duhet të rrish duarkryq, apo të veprojë siç ka bërë vajza, e cila edhe mund të vritej në përleshje e sipër?
Natyrisht, siç ka bërë vajza mirditore, e cila edhe falë fatit, përveç trimërisë ka shpëtuar nga dhunuesi. E pra, pse u dashka akuzuar viktima – e sulmuara në këtë rast?! Apo, sipas kësaj logjike dhunuesi, krimineli, hajduti mund të të “vizitojë” në shtëpi të të rrahë, dhunojë, vjedhë, e pse jo… edhe të të “qerasë” me një përdhumin” alla hollivudian e ti… ti vetëm duhet të rrish duarkryq nga frika se mos shkel ligjin!
Jo zotërinj, jo! Absolutisht jo, sepse fundja, dy duart për një kokë janë! Madje, jo vetëm duart, por nëse të jepet mundësia edhe të gjitha llojet e “armëve” që të gjenden në shtëpi.
Në SHBA ligji e ka që, po e vrave brenda shtëpisë, apo kopshtit tënd hajdutin, apo kriminelin nuk mban asnjë përgjegjësi ligjore. Madje të thonë, “të lumtë”.
Kurse në Shqipëri u dashka të përgjigjesh para ligjit, sepse mbron nderin e trupin tënd, shtëpinë e familjen tënde. Edhe kur të hyjnë në dhomë me forcë!