Edi hesht, Saliu qesh
Editorial E Diel, 18 Prill 2021 19:29
Pas 21 vitesh, vendosi të flasë për "Koha Jonë" , njeriu që u thirr nga ish-kryetari i Shërbimit Informativ Kombëtar (SHIK), Bashkim Gazidede, për të djegur dhe shkatërruar të parën gazetë të pavarur në Shqipëri, e cila vrau frikën e atyre viteve duke u bërë tribunë e fjalës së lirë dhe u bë shkolla e parë praktike e gazetarëve të pavarur shqiptarë. Andrea Dimushi tregon se si u thirr dhe u bë plani nga strukturat sekrete të shtetit për të djegur redaksinë e gazetës “Koha Jonë” në vitin 1994, gjë e cila u realizua natën e 2 marsit 1997, sapo u vendos ligji i Gjendjes së Jashtëzakonshme. Dëshmi të tilla, në çdo vend normal do të kishin vënë në lëvizje shtetin. Një krim politik, një krim dhe një ngjarje që ka lënë gjurmë në historinë e medias në vend, dëshmohet nga një ish-zyrtar i lartë dhe askush nga institucionet nuk e prish terezinë. Çfarë dëshmie u duhet më tepër institucioneve për të zbardhur të vërtetën, gjithmonë nëse u ka interesuar e vërteta apo kanë bërë rolin e hipokritit kur ishin në opozitë.
Ndërkohë që "Koha Jonë" ka vite që kërkon hetimin dhe ndëshkimin e përgjegjësve, si dhe dëmshpërblimin për masakrën e djegies, e ku për 41 ditë gazeta nuk doli më në treg, drejtësia shqiptare e shtyn duke e zvarritur prej 18 viteve. Tani çështja ka kaluar në Gjykatën e Lartë dhe gjyqtari Andi Çeliku ka në dorë për të vendosur ose jo drejtësinë. Në dosjen hetimore e cila ndodhet në Prokurori dhe në Gjykatë (fatmirësisht edhe një kopjë e ka redaksia) është faktuar se gazetari Zamir Dule, që tashmë është i dërrmuar dhe invalid nga masakrat e rrahjes së asaj nate djegieje, ku SHIK-asit e morën nga redaksia ku flinte dhe e dërguan në komisaritatin nr. 3, duke e torturuar vetëm se punonte për "Koha Jonë". Ka plot dokumente të tjera që implikojnë dhe çojnë gjurmët drejt zyrave të policisë sekrete të asaj kohe dhe faktojnë se ishte një djegie e porositur dhe e organizuar nga Shteti. E fundit është dëshmia e Andrea Dimushit, i cili u ka dhënë në dorë hetuesve dhe gjyqtarëve gjithë skenarin. E nga kjo dëshmi zbulohet se plani që kishte në kokë kreu Gazidede për mënyrën sesi duhej djegur “Koha Jonë” në vitin 1994, nuk ndryshon shumë me mënyrën sesi u realizua në mars 1997.
Gazeta ka ngritur padi ndaj Shtetit, pasi SHIK dhe strukturat e shtetit e kanë djegur redaksinë. Natyrisht, janë të paditur Këshilli i Ministrave dhe disa ministri përgjegjëse. Në 18 vite, qeveritë dhe kryeministrat janë ndërruar, por po kështu edhe Kryeministrat kanë ndërruar qëndrimet lidhur me çështjen e djegies së “Koha Jonë”. Sulmi ndaj gazetës është faktuar dhe provuar në opinion se ishte një krim shtetëror, por mbi të gjitha në dosje ka dokumenta e fakte të shumta. Arsyet e masakrës mbi “Koha Jonë” janë thënë me qindra herë nga gazetarët, nga politikanët dhe njerëzit e njohin historinë e vitit të mbrapshtë 1997. Madje në arkivat e arkivat e gazetës dhe mediave të tjera janë me qindra deklaratat ku deputetë dhe drejtues të lartë të Partisë Socialiste thonë me plot gojën se djegia e “Koha Jonë” u bë me urdhër dhe nga njerëzit e Shërbimit Informativ Kombëtar. Bile Fatos Nano, Ilir Meta dhe Edi Rama kanë deklaruar se “ e ka djegur Sali Berisha”. Në rrugën e gjatë të opozitës, vetë djegia e “Koha Jonë” u përdor nga PS-ja dhe drejtuesit e saj si një rast për të denoncuar sjelljen e Sali Berishës, në atë kohë President. Kuptohet që Berisha dhe SHIK-u asnjëherë nuk e pranuan variantin se djegia u bë nga strukturat që ata kishin nën drejtim. Ndaj gjykimi dhe dhënia e drejtësisë gjatë qeverisjes së PD-së për këtë çështje është e kuptueshme pse asnjëherë nuk u mor seriozisht nga Gjykata e Lartë. Dosja ka bërë disa herë udhën e gjatë gjykatë rrethi-apel-gjykatë e lartë e kthim, duke u kthyer prapë nga fillimi, derisa ka përfunduar së fundmi në gjykatën e lartë. Ajo që çudit sot nuk është qëndrimi i PD-së dhe kompleksi i saj me të kaluarën dhe krimet e qeverisjes së parë të Berishës. Çudia ka ndodhur me PS-në, e cila kur ishte në opozitë bërtiste se "e dogji shteti i Saliut!". Tani që Këshilli i Ministrave është i PS-së, Avokati i Shtetit dhe disa ministri për të mos paguar dëmshpërblimin e një krimi të faktuar thonë “nuk e ka djegur Shteti!". A ka më turp sepse dalin njerëz me dy fytyra?! Këtu nuk bëhet fjalë thjesht për një dëmshpërblim. Dëmi i shkaktuar në ato vite është i pallogaritshëm dhe asnjë vlerë monetare nuk mund të kompensojë pasojat e një krimi shtetror mbi të parën gazetë të pavarur shqiptare. Asnjë vlerë nuk mund ta kthejë si më parë gazetarin Zamir Dule. Ndaj dhe kjo logjikë tregu e disa ministrive, Avokaturës së Shtetit dhe e ndonjë gjyqtari, është e turpshme. Është e turpshme se fyen median, por edhe ata qindra gazetarë që bënë historinë e gazetës së parë të pavarur në vend. Mbi të gjitha, një vendim i drejtë për këtë ngjarje është çështje dinjiteti dhe vendosje drejtësie. Djegia e “Koha Jonë” është një krim shtetëror dhe duhet të trajtohet si i tillë. Një krim që ka autorë, ka urdhërues dhe ka dëshmitarë konkretë. Institucionet kanë vetëm një rrugë, të zbatojnë ligjin dhe të japin drejtësinë për një ngjarje, historinë e së cilës e dinë të gjithë, por që një pjesë e harrojnë kur vijnë në pushtet. Edhe nëse kryeministri Rama bën sikur nuk mban mend se çfarë ka deklaruar sepse druhet se mos gjykata e lartë vendos drejtësi e i duhet të paguajë, ai duhet të dijë se ato lekë nëse jepen do të jenë të gazetarëve që kanë punuar asokohe dhe do jepen publikisht atyre. Do jenë për të parën gazetë, e cila u rrit duke rritur ndjenjën e kurajos civile, u dogj e u shkrumbua dhe u rrit me plagë në trupin e vitit ’97.
Edi Rama nuk mund të bëjë rolin e të paditurit në një histori në të cilën edhe ai ka qenë pjesë aktive e kësaj media, e ku është rrahur e gjakosur nga shikasit e Gazidedes, sepse botonte në këtë gazetë. E për çudi disa nga vartësit e kryeministrit dërgojnë në gjykatën e lartë se “ nuk mban përgjegjsi shteti se është djegur gazeta!”. Si nuk kanë turp këto njërëz pa memorie, pa dinjitet e pa sens njërëzor ?!
Mirë Berisha që nuk donte të kontribuonte në zbulimin e autorëve dhe dhënien e drejtësisë, se kishte gisht pushteti i tij në këtë djegie e masakrim të gazetarëve dhe gazetës, por PS-ja dhe tani Edi Ramën çfarë i pengon? Në këtë rast, nuk kuptohet se kush janë më hipokritë, ata që e dogjën, apo ata që dinë kush e dogji dhe sot bëjnë sikur kanë probleme me kujtesën.
Redaksia e “Koha Jone”