Edi, lëre një shteg për ikje!

Nga Herion Mesi, zv/kryeredaktor i KOHA JONE.

Edi Rama është akuzuar nga opozita, media e lirë dhe nga qytetarët e pakënaqur se ka marrë gjithë pushtetet në tre vite. Rilindja akuzohet se ka mbushur thasët me euro nga PPP, koncensionet, lejet e ndërtimit, fshatrat turistike, kanabisi, etj.

Dhe po bën 8 vite në pushtet si kryeministër, pa harruar se në pushtet ndodhet që prej vitit 1998 si ministër kulture, fillimisht. Edi Rama ka në krye të PS-së që prej vitit 2005, pra 15 vite. Si rregull politikani që ka një shtatlartësi në shikim, e jo vetëm si basketbollist, e kupton se kur vjen fundi. Fundi mund të jetë me rrëmujë dhe rënie në humnerë, ku nuk mbetet brinjë pa thyer ose ikën me mirëkuptim dhe tërhiqet nga politika direkte.

Aq më tepër se po bën tetë vite si kryeministër, Edi Rama, pasi është akuzuar nga opozita për dhunë, korrupsion, lidhje me krimin, shkatërrim të ekonomisë shqiptare,etj duhet të lërë një shteg ikje, të butë. Pra bën zgjedhje elektorale normale, me mirëkuptim me opozitën reale, natyrisht duke mos tradhtuar partinë e tij, siç ia kishte bërë ofertën Lulzim Bashës ku ai (Rama) linte PS-në në opozitë dhe bënte kreun demokrat si kryeministër e vetë në këmbim merrte karriken e Presidentit Meta. Komisioni hetimor parlamentar për këtë u ngrit, që ti merrte Ilir Metës zyrën për vehte. Ishte vendosmëria e Metës dhe Komisioni i Venecias që e vulosën dështimin e këtij plani.

Edi Rama nuk është politikan pa eksperiencë. Edhe pa vizion nuk është! Por duket se pesha e madhe e pushtetëve e ka krrusur kaq shumë dhe nuk shikon honin e thellë që po i vjen në vjeshtë në një përballje popullore, sepse po ia merr, padrejtësisht, të gjitha opozitës. E detyroi të ikte nga parlamenti, e zëvëndësoi në mënyrë antikushtetuese, ia bleu dhe po ia nxjerr kundër deputetët e “pazarit të Milotit” si dhe tani po i heq dhe koalicionet parazgjedhore.

E çfarë duhet ti bëjë tjetër opozitës? Ta fusë në burg!

Edhe kjo ka mbetur pasi Edi Rama po prish rregullat e lojës kur loja elektorale ka filluar si dhe po synon të dhunojë Kushtetutën.

Edi Rama po bën si në një ndeshje boksi, kur ka blerë gjyqtarin, ka prishur fushën e kundërshtarit dhe pabesisht e ka futur në qoshe dhe e grushton jashtë çdo norme ndeshje. Dhe çfarë do bëjë kundërshtari që lufton për jetë a vdekje? Do grushtojë me çdo mjet e formë, do përballet edhe duke e ngrënë në vesh kundërshtarin që nuk zbaton asnjë rregull loje.

Ndaj Edi Rama duhet ti thërrasë arësyes, nëse i ka mbetur, se opozita do jetë e pamëshirshme nëse prek Kushtetutën. Dhe do t’ja mbyllë çdo shteg ikje, edhe nëse ngren flamurin e bardhë.

Ndaj me kujdes, Edi Rama!

 

SHKARKO APP