Edi Rama i II-të!

Nikoll Lesi.

Edi Rama mori çka endërronte brenda vetes në këto vite, qëkur hyri në politikë. I mori të gjitha! Nëse flasim me fjalorin elektoral të kryeministrit, ai tashmë ka timonin dhe tepsinë, krejt për vete.

Tashmë ndjehet i qetë se nuk ka pse merr rrugën për në kryesinë e Kuvendit, si dikur, apo të rrijë në zyrën parlamentare të natës së 17 majit duke kalkuluar me Bashën se si do të bashkëqeverisnin PS-PD, pa LSI. Qeverinë e ka bërë siç ka dashur, ministra ka vënë cilin (e) ka besuar dhe ka zgjedhur në PS si numrin dy në vend të Gramoz Ruçit, njeriun personal stoik, Taulant Ballën. Presidentin nuk e ndryshon dot, por as LSI. Do të kishte dashur ti kishte edhe këto nën varësi, por ja që duhet pak demokraci në këtë vend. Me Berishën zihet ditën dhe fjaloset me sms natën. Me Lulzim Bashën ka një periudhë “jo dashurie”, të cilën shpreson ta kthejë në dashuri si me 18 maj, sapo të vijë dita për ndryshimet kushtetuese në kodin zgjedhor dhe në ndarjen territoriale, të cilën e do PD-ja.

Gjithsesi Edi Rama punët i ka në vijë. Qeveria e re sa ka filluar në udhën e vjetër, parlamentin e ka për miklim sa herë i prishet humori me ndërkombëtarët, popullin e takon sa herë kërkon të eglendiset në fundjavë, lojën e basketbollit me Vuçiçin e luan bukur. Të dy janë edhe të gjatë, bëjnë “kosh” në Ballkan në akord përfekt dhe për interesa personale politike. Kancelarja gjermane Merkel iu rizgjodh, Presidentin Trump e takoi. E ça i duhet, tani, populli i thjeshtë!

Edi kërkoi timonin dhe e mori, nuk premtoi asgjë në fushatë, ndaj çfarë do ti kërkojmë kryeministrit?! Do t’i kërkojmë investime? Do t’i kërkojmë punë? Apo rend publik? Pensione me të rritura apo rrugë? Asgjë nuk ka premtuar në fushatë; ai kërkoi vetëm timonin! Dhe e mori. Atëhere pse e mundoni të shkojë në popull. Ai shkon për qejf, si punë sporti i ka këto “takimet me popullin”. Mjeshtër i paparë, ky Rama!

Median e ka futur në kllapë, portalet akoma. Dy ish-miqtë, Koço Kokëdhimën dhe Ben Blushin, i ka “palosur”. 74 vota i ka të vetat, pa asnjë kundërshtim. Nëse ai do me tepër mund të bëjë edhe 84 vota. Damian Gjiknurin dhe Arben Ahmetaj i ka, aty, në gadishmeri! Të dy i ka bërë “supërministra”, po të duan ata e kthejnë rrjedhën e burimit, duke thyer edhe ligjet e fizikës. E çojnë ujin përpjetë!

E ça do me tepër Edi Rama i II-të?!

Të gjitha i mori. E keqja mund t’i vijë vetëm nga vetvetja! Zakonisht, kur “mbretërit”, merrnin titullin i I-rë, shkonte deri te i II-të. Për të III-të nuk ka ndodhur. Edhe Edi Rama po shijon tani titullin perandorak “Rama i II-të”.

E keqja vjen, zakonisht, nga vetvetja. Ndaj e keqja e Ramës i vjen nga Edi.

SHKARKO APP