Edi Rama, Kavaja dhe operacioni ushtarak “Alba” i vitit 1997 (2017)!

Përfundimisht opozita shqiptare nuk regjistrohet në KQZ dhe nuk futet në zgjedhjet e datës 18 qershor. Po përfundimisht Edi Rama deklaroi prerë pas mbledhjes së grupit parlamentar të PS se nuk jep dorëheqjen dhe se opozita të futet në zgjedhje.

Lulzim Basha deklaroi këtë të hënë se në Kavajë do mblidhet miting i madh i opozitës shqiptare dhe se nuk do të lejojnë të zhvillohen zgjedhjet në Kavajë me datë 7 maj. Edi Rama deklaroi se nuk mundet asnjeri të bllokojë popullin të votojë. Bashkimi Europian si në vitin 1996, kur qeveria Berisha vodhi zgjedhjet dhe opozita iku nga dita e votimit, bëri thirrje sot që opozita të futet në institucione. Por kur plasi revolta popullore e vitit të mbrapshtë ’97 Bashkimi Europian bëri thirrje Berishës, që ishte në pushtet në mënyrë kushtetuese, të zhvillonte zgjedhje korrekte dhe sollën operacionin ushtarak “Alba” për të stabilizuar rendin publik.

Është kohë e largët kjo e vitit 1997 dhe asnjë nuk don ta kujtojë pasi mori viktima të panumërta vetëm se politika nuk u tregua vizionare dhe manifestoi kokëfortësi, natyrisht që pushteti vodhi zgjedhjet dhe lekët e qytetarëve.

Tani jemi 20 vite pas. Kohë tjetër, kohë digjitale! Por përherë, kudo e sido destabiliteti sjellë kaos, rrëmujë, rënie shteti dhe në fund palët politike ulen me një operacion “Alba” mbi kokë. Nuk është normale kjo që po ndodh 20 vite pas vitit të operacionit “Alba”. Opozita nuk futet në zgjedhje bile provën e parë të përballjes, edhe fizike me pushtetin, do ta bëjë në Kavajë me datë 7 maj. Nëse nuk do ketë ndërmjetës ndërkombëtar, nëse palët politike nuk ulen për të gjetur një zgjidhje, nëse Lulzim Basha nuk e ul paksa “grykën e topit”, nëse Edi Rama nuk e zbut fjalorin dhe nuk ulet në bisedime; duket se situata do dalë jashtë kontrollit.

Nuk mund e nuk duhet kurrsesi që Rama dhe Basha të drejtojnë topat 120 milimetërsh kundrejt njeri- tjetrit, pasi gjylet do bien në popull. Asnjerit nuk i hyn gjëmbë në këmbë, por fatkeqsisht do jetë populli që do e pësojë nga kjo përballje dhe përplasje.

Kavaja do jetë përplasja fizike e parë mes Bashës dhe Ramës. Opozita nuk lejojë të votohet, pra do bëhet përleshje mes turmave opozitare dhe policisë. Do thyhen kutitë e votimit. Çfarë do të bëjë pushteti? Do përdori armët si Berisha me 21 janar? Do tërhiqet? Çfarë do të bëjë Edi Rama? Nëse nuk gjendet zgjidhje politike që tani, që në këtë moment, do jetë shumë vonë.

Pas Kavajës nuk do të ketë më 18 qershor. Nuk do ketë zgjedhje. Fatkeqsisht operacioni “Alba” do rivijë në Shqipëri.

Mos na turpëroni zotërinjë politikanë! Mos e vrisni popullin vetëm se nuk jeni të zotë të gjeni udhën e marrëveshjes.

Spiten Prulli

SHKARKO APP