Edi Rama, njeriu i lindur nga media, konvertohet në anti-media

-Zoti kryeministër pse nuk rrini larg disa pronarëve të mediave, të cilët shfrytëzojnë privatisht pushtetin tënd ekzekutiv, duke e përdorur median për të mikluar e makiazhuar imazhin tuaj si politikan?

-Pse nuk pranoni të përballeni me emra të botës mediatike si; Andi Bushati, Mero Baze, Ylli Rakipi, Armand Shkullaku, Skënder Minxhozi, Andi Bejtja, Robert Rakipllari, Adrian Thano, Mark Marku, Mustafa Nano, Anila Basha, Lorenc Vangjeli, Adi Krasta e disa të tjerë, por u mbyllni derën?

Kryeministri Edi Rama mbrëmë në emisionin e Eni Vasilit insistoi në idetë e tij se media është një kazan dhe një institucion i pabesuar në publik, ashtu sikurse edhe perceptimi për gjykatat. Natyrisht që ka defekte dhe mungesa në media për kriteret profesionale. Por, si rregull është media ajo që kontrollon pushtetin ekzekutiv dhe jo pushteti ekzekutiv (kryeministri) kontrollon apo komenton apo vendos për punën e mediave. Ky parim vlen në vende normale demokratike. Ndërsa në Shqipëri është traditë që një pjesë e kryeministrave, mes shumë punëve që u kanë besuar qytetarët, merren edhe me median më shumë se me punët e tjera. Ndërsa pronarët dhe botuesit e mediave, në vend të informimit, kanë zgjedhur që të jenë shërbëtorët dhe përfituesit financiarë të qeverive. Shumë nga këto mëkate të lidhjeve okulte mes pronarëve të medias dhe pushtetin janë pikërisht për fajin e Edi Ramës. Dhe jo vetëm të tij. Edhe të disa ish-kryeministrave paraardhës.

Edi Rama dikur ka qenë bashkëpunëtor dhe analist brilant në gazetën “Koha Jonë”, ndër vitet 1993-1997. Në një farë mënyre doli nga media dhe bëri epokën e tij më vonë në politikë. Ai u mbrujt mes vorbullës së dikurshme së pushtetit të Berishës, vorbull e cila ishte zjarrvënëse ndaj shtypit të lirë. Ishte Rama, dikur, që shkruante me forcë ndaj pushtetit. Dhe mirë ka bërë. Por çudia vjen se si ky njeri i dalë nga radhët e inteligjencës shqiptare dhe medias së parë të lirë, tashmë si kryeministër është kthyer në një njeri të vrazhdë dhe ironik ndaj medias. Por duhen shtruar disa pyetje për zotin Edi Rama, në lidhje më këtë qëndrim të tij si kryeministër ndaj pushtetit të katërt.

 

media

Në foto: Edi Rama, bashkëpunëtor i gazetës “Koha Jone”, masakruar nga SHIK-u i Bashkim Gazidedes dhe Visho Ajazit me 23 janar 1997, pas disa artikujve në “Koha Jone”

Si shpjegohet se kur keni qenë kryetar bashkie në Tiranë vendose raporte interesi me disa botues gazetash dhe pronar televizionesh? Pse asokohe me një mik tëndin të dikurshëm, tashmë të kthyer në armik politik, e shkatërrove institucionin e medias së shkruar, media e cila kishte dalë nga rrathët e ferrit të pushtetit të Berishës së I-rë dhe që donte paksa frymëmarrje dhe ndihmë nga shteti? Në Francë, nga ku ju vinit si emigrant asokohe, shteti gjen mënyra financimi ndaj medias, por duke ruajtur pavarësinë e medias nga pushteti. Ndërsa tani sulmoni mediat që nuk të vijnë pas shtatit, kurse me disa pronarë mediash të tjera ulesh në mes të Romës apo Vjenës për darkë dhe ndan lejet e ndërtimit në Shqipëri, të cilët kërkojnë ato si këmbim për ti bërë favor pushtetit. Pse zoti kryeministër nuk rrini larg disa pronarëve të mediave, të cilët shfrytëzojnë pushtetin tënd ekzekutiv, kur të takojnë dhe e përdorin median për të mikluar e makiazhuar imazhin tuaj si kryeministër?

A keni dhënë ju zoti kryeministër koncensione dhe privatizime të pronës publike në favor të disa pronarëve në media? A keni ministra në kabinetin tuaj të cilët i kanë ndarë punët, ku çdo kush prej tyre mbulon një media të caktuar, për ta furnizuar dhe mbajtur që të mos shkruajë apo flasë? A keni dhënë ju si kryeministër leje ndërtimi mu në zemrën e Tiranës ndonjë pronari mediash?

Zoti kryeministër! Ju mbeteni gjithsesi penë brilante kur doni të shkruani apo orator kur doni të flisni. Është meritë e lindur dhe e kultivuar. Por kjo nuk iu bën ju të gjithëpushtetshëm për të forcuar ekonomikisht disa pronarë mediash dhe asfiksoni disa të tjerë. Natyrisht duke shfrytëzuar pushtetin ekzekutiv. Si ka mundësi që në konferenca shtypi në kryeministri ju lejoni vetëm gazetarë të rinj të mediave të ndryshme, të cilët janë kurajozë, por prapë nuk kanë eksperiencën dhe kurajon e emrave që kanë bërë histori mediatike? Pra, pse nuk pranoni të përballeni me emra të botës mediatike si; Andi Bushati, Mero Baze, Ylli Rakipi, Armand Shkullaku, Skendër Minxhozi, Andi Bejtja, Robert Rakipllari, Adrian Thano, Mark Marku, Mustafa Nano, Anila Basha, Lorenc Vangjeli, Adi Krasta e disa të tjerë, por u mbyllni derën?

Janë dhe një mori pyetjesh të tjera zoti kryeministër për raportet tuaja me mediat, por duhet të pranoni se nuk jeni njeri jashtë interesave të pushtetit të medias, përderisa darkon me disa pronarë mediatikë të cilët të rrinë afër për interesa private, e jo për interesa të publikut.

Ka një fjalë të urtë popullore që thotë se; një njeri mund të njihet më mirë kur ndodhet majë pushtetit e jo kur është në opozitë, apo pa asnjë lekë siç ishte kur vinte nga Parisi, dikur!

Spiten Prulli

Në foto: Edi Rama si kryeministër, 2017

SHKARKO APP