Edi Rama: Nuk jemi rajoni i Jezu Krishtit. Jemi rajoni i Shën Thomait. Duam ta prekim!

 
Nga Edi Rama
Vjenë, Austri
 
 
Mesa duket Aleksandri trajtoji pjesën “fast”, kurse unë do trajtoj atë “furious”, duke filluar që nga gjëja e parë që dua të vë në dukje. Jemi të lumtur që po takohemi me Shoqërinë Civile, por kjo nuk do të thotë se u desh të vinim në Vjenë që ta bënim këtë, pasi ne e bëjmë gjithë kohës, diçka të tillë. E kemi bërë çdo ditë për shumë vite me radhë.
Do isha i lumtur të shikoja ne dhe shoqërinë civile, së bashku, ndërsa nuk i themi njëri-tjetrin në Vjenë se kush po bën një punë të paqme dhe kush jo, por se çfarë ne, të gjithë së bashku, duhet t’u themi Ju, Komisionerit, BE-së çfarë ata mund të bëjnë më mirë për ne. Kjo do ishte diçka e mirë, sepse unë do doja që Komisioni të dëgjonte çfarë ka për të thënë Shoqëria Civile, jo vetëm për se sa keq gjërat shkojnë këtu apo atje, por edhe sesa keq ndjehen ata për BE-në. Kjo është diçka që po ashtu duhet të dëgjohet.
Së dyti, dua t’ju them, dhe ju vetë e dëgjuat, është një vend, Serbia, që po lufton fort për të dalë nga një gjendje e gjatë stanjacioni dhe të zgjidhë një sërë problemesh, por prapë bëhet fjalë për -1, -0.5, 0.5 dhe pastaj 1. Dhe unë nuk kam ndërmend t’ju them ju se Shqipëria është shumë më mirë, 2 pikë e ca, dhe pastaj diçka pikë 2, sepse gjithë kjo krahasuar me atë për të cilën njerëzit kanë nevojë është zero pikë ca. Jemi në një moment që duhet të kuptojmë diçka, ose duhet të bashkohemi të gjithë bashkë ose s’mund t’ia dalim.
Shikoni çfarë po ndodh me azilkërkuesit, ata po shkojnë nga Serbia, ata po shkojnë nga Shqipëria, ata po shkojnë nga Maqedonia…Ata po shkojnë nga i gjithë Ballkani. Pse? Sepse të rinjtë nuk kanë kohë të presin akoma për një dekadë ose dy dekada të tjera. Ne nuk jemi magjistarë dhe nuk mund realizojmë për ta, në këtë moment, atë çka ata aspirojnë, çfarë ata shikojnë dhe çfarë modeli gjerman ofron dhe çfarë BE përmes televizionit, tek e fundit, ofron. 
Ne duhet të punojmë së bashku.
Në këtë aspekt procesi i Berlinit ka qenë një mundësi fantastike. Kemi qenë atje së bashku vetëm një vit më parë dhe shikoni se çfarë ka ndodhur. Kemi harxhuar vite të tëra me një rrugë të shkurtër dhe tani për një kohë të shkurtër kemi bërë një rrugë të gjatë. Fakti që takohemi të dy bashkë me Aleksandër Vuçiç nuk është më një fakt historik. Është vetëm rutinë. Askush nuk do të shkruajë nesër “ata u takuan”, si ai më pa mua apo si e pashë unë atë. Ata do të thonë: Çfarë sollën nga ky takim? A ka ndonjë gjë më shumë për xhepat tanë, apo bëhet fjalë vetë për qëllimet të mira? Ky është thelbi. Ne duhet t’i japim substancë Procesit të Berlinit, sepse ekonomitë tona po ecin përpara. Nuk kam ndërmend të mërzis të nderuarin Zv. Kryetarin e Parlamentit, Presidentin e Fondacionit Erste, Shoqërinë Civile, gjithë të nderuarit e tjerë që janë të pranishëm këtu, duke thënë se çfarë progresi kemi bërë, sepse kjo do ishte shumë e mërzitshme për ta, për të mos thënë acaruese. Unë nuk kam ndërmend t’ju them se sa progres kemi bërë. Unë thjesht do them se Ballkani ka nevojë për një qasje strategjike nga Europa.
Nëse politikisht ne e kemi një qasje strategjike, që ka filluar të jetë e dukshme para një viti, tani kjo qasje na duhet financiarisht.
Një pikë të thjeshtë;
Ne kemi ndërmarrë reformën e sistemit arsimor. Kaluam nga një sistem universitar, i cili ishte i gjithi i bazuar në parimin ‘shko në universitet bëhu jurist’. – Ne “ia dolëm me sukses” të kishim numrin më të madh të juristëve për metër katror në Europë, – një sistem që krijoi qindra universitete private që nxirrnin juristë, pse jepnin para dhe jo për faktin se shkonin në shkollë. Kaluam në një sistem që është dual. Ne duam të aplikojmë në Shqipëri modelin dual-gjerman të arsimit profesional. Kjo për t’i dhënë arsimit profesional një rëndësi dhe peshë më të madhe.
Për dy arsye;
E para, sepse do të kualifikojë forcën tonë punëtore, do të krijojë vende pune reale, do të bëjë që investitorët e huaj të ndihen më të sigurtë teksa vijnë në vendin tonë.
E dyta, sepse këta njerëz mund të shkojnë dhe të punojnë rregullisht në Gjermani ose në vende të tjera në Europë ku këto vende pune janë shumë të kërkuara.
Një vit më parë u përpoqëm që të flisnim për këtë çështje, përpara Procesit të Berlinit, por nuk u konsiderua shumë interesante. Ndërsa sot, kjo duhet të jetë çështja.
Gjithë landet e Gjermanisë po vuajnë kaq shumë nga kjo valë -sigurisht, ne nuk jemi pjesë e pjesës më të madhe të valës. Ne jemi pjesë e pjesës më të vogël të valës. E kam fjalën për Ballkanin. Pasi pjesa më e madhe vjen nga vende të tjera. – Të paktën për Ballkanin ata munden thjesht të adoptojnë dhe marrin në patronazh shkollat tona profesionale dhe kjo nuk është e kushtueshme. Sigurisht që duhen para, por kjo është shumë më pak e kushtueshme sesa gjithë pasojat. Për të financuar një sistem dual në Shqipëri dhe në rajon, jo vetëm në para, por edhe në dije, dhe për ta bërë sa më shpejt të jetë e mundur.
Duke bërë kështu dy gjëra;
T’u themi të rinjve, “s’keni pse të shkoni aty dhe pastaj t’ju kthejnë mbrapsht. Ju duhet të keni profesionin tuaj, dhe të provoni shansin. Mund ta provoni këtu dhe atje.”
Por gjëja më e rëndësishme është se kjo gjë do i’u japë njerëzve një perspektivë.
Një e dhënë: Përpara hyrjes në BE, në Bullgari vetë 14% e njerëzve thoshte se donte të rrinte në Bullgari. Gjithë të tjerët donin të iknin. Ju e dini se sa shumë janë larguar nga Bullgaria, Rumania, për të mos përmendur vendet e tjera. Është kjo një përgjigje për të ndenjur në këtë hapësirë të ndërmjetme?! Sepse, ne tashmë jemi vende kandidate. Kandidate është si të thuash ‘dua të martohem, por s’ekziston akoma dikush që do të martohet me mua’. Ndaj, duhet të shkojmë më tej, të çelim negociatat. Sepse çështja është që t’u themi njerëzve: Vendi ynë është në Europë. Europa ka rregulla. Ne duhet të luajmë sipas këtyre rregullave. Por në të njëjtën kohë, luajtja sipas rregullave nuk do të na mbajë ne në një gjendje frustrimi dhe izolimi. Loja sipas rregullave do të na bëjë pjesë të një fushe më të madhe. Përmenda fushën, përpara lojës së futbollit, sepse nuk kam ndërmend të luaj.
Dua të them shumë thjesht se kam pasur shansin të jem në të dyja anët. Kam qenë në Shoqërinë Civile, duke urryer faktin që isha në një rreze prej 100 metrash me këdo politikan, dhe më pas u bëra më keq sepse fillova të merrem me politikë.
Kam një pyetje. Nuk mendoni se po krahasojmë të pakrahasueshmen? Në kuptimin që, nuk mendoni se ka një ndryshim strukturor në shoqëri që na detyron të ndryshojmë disi pamjen e shoqërisë civile si një rrjet OJQ-shë? Sepse sot ne jetojmë në një hapësirë ku praktikisht shoqëria ka më shumë zë falë rrjeteve sociale. Rrjetet sociale kanë bërë të mundur që më shumë njerëz sesa profesionistët e workshope-ve, seminareve dhe konferencave, të thonë atë që mendojnë. Dhe s’mendoj se jemi të pandjeshëm ndaj tyre.
Jemi më të ndjeshëm sot se sa gjeneratat e tjera të politikanëve, jo sepse ne jemi njerëz më të mirë, por sepse ne jemi të detyruar t’i kushtojmë më shumë vëmendje. Pikërisht për faktin se opinioni publik sot ndërtohet më shpejt nëpërmjet instrumentesh që janë krejt ndryshe. Ndaj, unë do isha i kujdesshëm në përkufizimin e Shoqërisë Civile sot, si shoqërinë civile të viteve ’90 që kemi në mendje, ose atë të 10-vjeçarit të parë të 2000-ishit. Disa OJQ mblidhen dhe veprojnë. Shumë mirë. Nuk them se ato janë demode, por po them se bëhet fjalë për një koncept më të gjerë.
Së dyti, Shoqëria Civile ka gjithnjë bindjen se mund të rregullojë qeverinë. Nuk mendoj se qeveria duhet të rregullojë shoqërinë civile. Atë që ne mund të bëjmë, duhet të bëjmë dhe po bëjmë është të krijojmë kushtet më të mira për liri dhe mundësi ndërlidhjeje. Ajo ç’ka kemi bërë për shembull në Shqipëri është se në çdo proces vendimmarrjeje, për çdo ligj, njerëz të shoqërisë civile, jo vetëm OJQ, por edhe grupe interesi, janë dëgjuar. Numri i dëgjimeve që bëhen sot në parlamentin shqiptar po bëhet i madh. Ndonjëherë është dhe tepër i madh.
Për t’ju përgjigjur kësaj pyetjeje, mendoj se ne nuk kemi asnjë problem në lidhje me këtë. Dua t’ju bëj me dije se me qeverinë serbe ne po punojmë. Për shembull nuk është se presim që të vijë ekspertiza nga gjetkë. Po punojmë, po mendojmë sesi t’ia dalim. Falënderoj Komisionerin Hahn për ndihmën e madhe që ka dhënë, sepse ai na ka ndihmuar shumë me eksperiencën e tij në bashkëpunimin rajonal dhe njohuria e tij ka qenë bekimi ynë në këtë rast. Por, unë dua të them thjeshtësisht se ky proces ka bërë një mrekulli politikisht, dhe kjo falë Europës. Nëse ne jemi sot këtu dhe jemi në një skenar të tillë, kjo para një viti ishte krejt e pamundur të imagjinohej. Tani kjo është diçka normale. Ky është aspekti tërheqës i projektit Europian, dhe kjo na ka bërë të gjithë ne që të sillemi mirë me njëri-tjetrin. Nuk është se u bëmë engjëj. Jemi, siç tha miku im i dashur Ministri i Jashtëm i Bosnjës, jemi të lumtur që nuk kemi më çështje të hapura, ndaj dhe le të flasim për ekonominë. Por askush të mos mendojë se nuk jemi të aftë të kemi çështje të hapura përsëri.
Ne duhet të forcojmë ekonominë. Njerëzit duan rezultate. Ne duhet të përballemi me buxhetet që kemi, me tavanet buxhetore që kemi, me rregullimet fiskale që duhet të bëjmë mbas shumë viteve anarkie financiare, me detyrimet që kemi dhe është e pamundur që të realizojmë gjysmën e aspiratave që njerezit kanë. Ndaj nuk bëhet fjalë që të shikojmë Brukselin si burim parash, bëhet fjalë për ndëthurje. Imagjinoni sikur Gjermani të mos ishte bashkuar menjëherë. Imagjinoni sikur t’i kishin thënë Gjermanisë Lindore: duhet të arrini standardet dhe pastaj të shikojmë sa jeni përmirësuar etj., nuk do të ishte Gjermania që është sot. Sigurisht, nuk po them se ne duhet të evitojmë standardet, duhet të evitojmë prioritetet, duhet të evitojmë gjithë procesin e integrimit, sepse është shumë e dobishme për ne. Është i vetmi mjet modernizimi që kemi.
Por në të njëjtën kohë duke thënë që nuk duam të jemi BE që nesër, duam të jemi “E”. “B”-ja do vijë me kalimin e viteve, por të paktën të bëhemi “E”. Njerëzit që jetojnë në Ballkan duhet të ndjejnë se janë “E” dhe se më vonë do të bëhen “B”, dhe pastaj BE, por duhet ta shikojnë këtë. Dhe për çfarë po flasim?
Me Aleksandrin kemi folur qysh në fillim për rrugën Nish-Prishtinë-Durrës. Po flasim me Malin e Zi dhe Kroacinë për “Korridorin Kaltër” dhe për shumë projekte të tjera. Nga pikëpamja monetare është zero pikë diçka në raport me potencial financiar, por në pikëpamjen e efektit që do të sjellë në rajon, nuk bëhet fjalë thjesht për infrastrukturën e tij, por për shpresën e tij dhe për ekonominë e tij.
Komisioneri Hahn tha diçka shumë të rëndësishme. Ky nuk është një rajon që gjendet diku jashtë Europës, është në mes të Evropës. Çfarë do të thotë të lidhësh Kroacinë e Jugut, Malin e Zi dhe Shqipërinë nëpërmjet Korridorit të Kaltër? Do të thotë të lidhësh në fakt vetë Europën, sepse Sllovenia, Kroacia dhe Greqia nuk janë të lidhura duke qenë se ky korridor mungon. Çdo të thotë të lidhësh Nishin, Prishtinën dhe Durrësin. Do të thotë që porti i Durrësit do bëhet porti i të gjithëve. Ne duam shumë t’i shikojmë këto gjëra. Në të njëjtën kohë ne do bëjmë punën tonë dhe mendoj se duhet të ecim më shpejt në drejtim e ndërtimit të sjelljes sonë si pjesë e Europës, duke pasur një bashkim ekonomik, duke hequr gjithë tarifat dhe gjithë pengesat, çdo lloj burokracie, që do na duhet t’i heqim kur të jemi pjesë e Europës. Ne mund t’i bëjmë tani. Askush nuk na pengon. Ne do të vazhdojmë në këtë mënyrë, por në fund nuk duhet të harrojmë se njerëzit do duan të prekin rezultatet në mënyrë që të besojnë. 
Nuk jemi rajoni i Jezu Krishtit. Jemi rajoni i Shën Tomasit. Nëse nuk prekim nuk besojmë.
Faleminderit shumë! 
***
Nisi sot në Vjenë, Samiti dyditor BE – Ballkani Perëndimor. Takimi i Vjenës me liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor është pjesë e Procesit të Berlinit, që nisi një vit më parë, me qëllim forcimin e dialogut dhe të ndërveprimit, bazuar mbi projekte konkrete, mes vendeve të rajonit dhe vetë rajonit me Bashkimin Europian.
Në ditën e parë, Kryeministri Rama ishte i ftuar në panelin e Nivelit të lartë një në Forumin e Shoqërisë Civile për Ballkanin Perëndimor, i organizuar nga Fondacioni Erste dhe Friedrich Herbert. Në këtë Forum u ulën sëbashku në një dialog mbi rolin dhe rëndësinë shoqërisë civile në jetën shoqërore dhe vendimmarrjen politike, kryeministrat e Shqipërisë, të Serbisë, të Bosnje-Hercegovinës, ministri i Punëve të Jashtme të Austrisë, komisioneri për Zgjerimin në Komisionin Europian dhe përfaqësues të shoqërisë civile të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

SHKARKO APP