Rama nuk rrëzohet me kërcënime nga televizori

Për kryeministrin Edi Rama të gjitha denoncimet e bëra së fundi nga opozita, ku flitet për shkelje ligjore dhe skandale, janë sajesa të opozitës. Akuzave që Lulzim Basha i bën çdo ditë për lidhje me krimin dhe qeverinë e marrë peng nga bandat dhe koncesionet, kryeministri i është përgjigjur me shprehjen tashmë të njohur se “Luli është artist”. Etiketimi që së fundi ka qejf ta përdor shpesh Rama për kreun e PD nuk lidhet me shprehjen “çun artist”, por me atë që Rama e cilëson si aftësi të kreut të PD për të aktruar dhe për të mashtruar në opinionin publik. Sipas Ramës kemi të bëjmë me një politikan që merr letrën dhe del para kamerave dhe aktron duke denoncuar.
Teksa jepet argumentet e tij pse lideri i PD është një “artist”, kryeministri Edi Rama ka marrë dje rolin e një “kryeprokurori” duke paraqitur fakte, prove dhe dëshmi kundër çështjeve që PD i konsideron skandale. Në mbledhjen e grupit parlamentar të PS dhe më pas në disa cicërima në Tëitter, kryeministri i ka marrë ngjarjet e fundit me radhë dhe ka arritur në përfundime ligjore, të cilat ende nuk i ka të plota as prokuroria.

Kryeministri tregoi se ishte disa hapa para prokurorisë në rastin e përfshirjes së Taulant Ballës në çështjen e Xhisiela Malokut. Kreu i qeverisë doli garant se numri dy i partisë së tij nuk është përfshirë në çështjen e shmangies së arrestimit të djalit të deputetit të Fushë-Krujës, Rrahman Rraja. Ai tha se kishte para videot e komisariatit dhe mund të fliste me siguri për Taulant Ballën. Ky i fundit ka bërë të paktën 3 padi penale për këtë akuzë që i bënë PD-ja. Derisa çështja është nën hetim, pse kryeministri duhet të shkojë i pari të shoh videot, të pyes dëshmitarët dhe të bëj gjithë punën që e ka detyrë prokuroria? Nuk mjaftojnë hetimet për tre padi penale, por duhen edhe hetimet private të kryeministrit për të shpëtuar Taulant Ballën?
Por rasti më flagrant i hetimeve kryeministrore ishte ai i ngjarjes së ndodhur dje, ku banesës së të afërmëve të Xhisiela Malokut iu vendos tritol. Vetëm pak orë pasi kishte ndodhur ngjarja e tritolit ndaj të afërmve të vajzës, që fillimisht denoncoi djalin e deputetit dhe më pas u tërhoq nga denoncimi, kryeministri arriti të gjejë autorët. Në mbledhjen e grupit parlamentar, kryeministri ishte disa hapa para policisë dhe prokurorisë që po hetonin në vendngjarje, kur tha se tritolin e ka vendosur opozita! Është një përfundim që kur e deklaron një kryeministër nuk ka sesi të mos duket i çuditshëm. Me këto që deklaron kreu i qeverisë, njerëzve s’u mbetet veçse të imagjinojnë Lulzim Bashën duke vendosur tritol Fushë-Krujë, pasi është kthyer natën nga Holanda. Deklarata e kreut të qeverisë për opozitën që vendos dinamit u mor me humor deri në momentin kur Xhisiela Maloku deklaroi për mediat pothuajse të njëjtën gjë që tha Edi Rama. Edhe ajo njëlloj si kryeministri mendon se tritolin e ka vendosur PD. Nuk është çudi që pas disa javësh hetime edhe ndonjë prokuror që ka radhën për të kaluar në Vetting të deklarojë të njëjtën gjë. Tek e fundit, pistën e hetimit dhe provat ia dha të gatshme kryeministri.
Në këto kushte kur kryeministri kontrollon gjithçka, opozita ka vetëm një zgjidhje nëse e beson vertet se Edi Rama është kapo i krimit. Me popull në rrugë dhe ta lerë të lirë popullin për të vendosur! Ndryshe me facebook apo deklarata në television Edi Rama nuk ikën as 10 vjet. Prandaj nëse opozita e ka seriozisht duhet të veprojë shpejt. Në të kundërt me Edi Ramën nuk ia del me facebook dhe deklarata, pasi ai mbetet mjeshtër.
A.Marku

SHKARKO APP