Edi Rama synon të ndërrojë Opozitën. Opozita nuk është “kosh basketbolli”

Sot e tha përfundimisht kryetari i PS-së Edi Rama se në zgjedhje do shkojë me 18 qershor, se nuk ka as vendim për dialog me PD, dhe që nëse Lulzim Basha nuk futet atëhere PD ti thotë lamtumirë jetës politike. Por si mund të rrijë një vend demokratik pa opozitë? E ka zgjidhjen: Dalin opozita të reja!

Kryeministri Edi Rama ka folur për herë të parë për mundësinë e daljes së Partisë Demokratike nga jeta politike në vend. Kreu i qeverisë e quan protestën e opozitës, prej më shumë se 40 ditësh tashmë, një rrugë për të shkuar drejt fundit të kësaj force politike, vetëm që të mos i nënshtrohet sistemit të ri të drejtësisë.

Gjatë rubrikës “Komunikimi i Javës” në rrjetin social Facebook, kryeministri Rama këmbënguli në mbajtjen e zgjedhjeve më 18 qershor 2017, edhe nëse opozita i qëndron vendimit të saj për t’i bojkotuar ato. Shefi i mazhorancës, duke u shprehur entuziastë për marrjen e një mandati të plotë të Partisë Socialiste, tha se parlamenti i krijuar pas zgjedhjeve, do të ketë opozitë të re, nën logot e partive të tjera.

“Demokracia nuk ndalon askënd të hyjë në zgjedhje, por as i detyron të gjithë të hyjnë në zgjedhje dhe kur nuk duan. Opozita në një vend pluralist nuk është monopol i një partie sado e madhe ajo të jetë e sado parti të vogla të ketë rreth vetes. E mbase kjo derexhe e vajtueshme e PD-së katandisur nga një alternativë qeverisëse në një çadër televizive klithmash e kërcënimesh në mes të bulevardit, është fundi i historisë së asaj partie. Misioni i demokracisë nuk është që të shpëtojë një apo disa parti nga vetëshkatërrimi,. Nuk është të shpëtojë PD-në nëse i ka ardhur dita, ti japë lamtumirën jetës sonë politike. Misioni i demokracisë është të garantojë lirinë dhe të drejtën e çdo individi për të zgjedhur e për tu zgjedhur dhe të çdo subjekti politik për të lindur dhe për të vdekur. Ne as nuk kemi marrë dhe as do të marrim përsipër të ndalojmë PD të vrasin veten për të mos ju dorëzuar vettingut dhe as vetë popullit sovran në ditën e gjykimit të tij. Mos të ketë askush merak se mund të mbetet Shqipëria pa opozitë nëse nuk vjen Saliu me çetat e tij në parlamentin e ri. Opozita është prodhim i lirisë. Opozita sdo mungojë kurrë në parlament, paçka se emrat, flamujt mund të ndryshojnë”, – tha Rama.

Pra duket skema e një loje të rrezikshme që PD të dali nga loja politike shqiptare dhe të zëvëndësohet. Por PD duhet pranuar se ka diku te 30 përqind të shoqërisë shqiptare dhe mbetet e rrezikshme kjo ide. PD-ja nuk mund të zëvëndësohet me parti tjetër në mënyrë urdhëruese. Ajo, nëse i ka ardhur fundi, spostohet ose shkrihet vetëm me votë. Fjala vjen si në Greqi ku populli me votë vendosi të ndryshojë skenën politike.

Ideja e kryeministrit Rama që duke mos pranuar shtyrjen e datës së zgjedhjeve si dhe duke mos marrë pjesë opozita reale dhe tradicionale në zgjedhje, ajo shkrihet, është e gabuar. Në mos e rrezikshme.

Opozitat nuk shkrihen apo zëvëndësohen me metoda të tilla. Përkundrazi, ato rriten. bile bëhen me të rrezikshme. Sepse radikalizohen nga lufta e pushtetit, e cila në këtë rast nuk ka asnjë sens demokratik. Natyrisht që opozita duhet të futet në zgjedhje me garanci maksimale, por jo spostuar apo me keq zëvëndësuar.

Opozita nuk është si koshi i basketbollit, të cilin e ndërron sa herë nuk të pëlqen.

SHKARKO APP