Edi Rama, triumfator në Pallatin “Serbia”

 “Serbia” në Beograd tregoi se mes dy vendeve duhet të ketë bashkëpunim, por e vërteta është  që na ndajnë shumë gjëra. Nuk duam, por duhet t’i pranojmë. Serbët janë një shekull pas në mentalitetin e shovinizmit dhe nacionalizmit ekstrem. Kryeministri Rama mund të mbante një fjalim diplomatik me nënkuptime, mund të anashkalonte çështjen e Kosovës dhe në fund, do të shtrëngonte dorën me Vuçiç. Në të vertetë, një takim i tillë nuk do t’i shërbente asnjë pale, pasi në fund, sërish mes Tiranës dhe Beogradit nuk do të kishte ndryshuar asgjë. Dje, tonet e politikanëve serbë kanë qenë nervoze. Në pamje të parë, duket se marrëdhëniet janë tensionuar mes dy vendeve. Në fakt, duhet pranuar, ne nuk kemi pasur kurrë marrëdhënie normale me Serbinë. Ftohtësia e marrëdhënieve ka qenë pikërisht mungesa e komunikimit dhe pse jo, ballafaqimi i qëndrimeve të kundërta. Dje, Kryeministri Rama pati mundësi t’u fliste serbëve për atë që politikanët serbë e dinë, por ndryshe flasin në Bruksel dhe ndryshe flasin në vendin e tyre. “Njohja e Kosovës nga vendet europiane që ende nuk e njohin atë është në radhë të parë, një çështje sigurie europiane. Le të jemi të vërtetë deri në fund, pavarësia e Kosovës e ka bërë Ballkanin më të qëndrueshëm, i ka dhënë më shumë qartësi perspektivës europiane të rajonit dhe e ka kthyer në strategjik bashkëpunimin mes shqiptarëve në tërësi dhe serbëve në veçanti. Çdo perceptim i ri i Serbisë ndaj këtij realiteti është më shumë sesa i mirëpritur prej nesh”, – tha Rama. Kjo nuk është as deklaratë nacionaliste dhe as qëndrim i tepruar. Është qëndrimi zyrtar i Shqipërisë lidhur me Kosovën. Është një thënie në sy e mu në Pallatin “Serbia”! Mu në zemër të Serbisë, atje ku nuk u shkonte në mendje se mund të thuhej kaq troç një deklaratë e tillë. Mu në zemër! Dhe Edi Rama e tha edhe pa asnjë mëshirë për homologun e tij. Deklarata nuk ka asnjë qëndrim të ndryshëm nga ato që kanë thënë drejtuesit e Bashkimit Europian dhe përfaqësues të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kur këto fjali janë thënë nga liderë të Bashkimit Europian nuk kanë shkaktuar asnjë reagim nga pala serbe, ndërsa kur e thotë Kryeministri shqiptar kjo është, sipas Vuçiç, provokim. Mesazhi i Ramës ishte i qartë; Serbia duhet të mësojë ta dëgjojë nga Shqipëria atë që thuhet për Kosovën. Deklarata e Ramës ishte dinjitoze dhe përfaqësonte linjën zyrtare të qeverisë shqiptare dhe nuk kishte asnjë tejkalim të kodit protokollar. Ajo çka ishte provokim, në fakt, ishte vetë reagimi i Vuçiç. Kryeministri serb reagoi në mënyrë të papërshtatshme, duke e cilësuar deklaratën gati si fyerje. Edhe mënyra se si u largua nga konferenca e përbashkët e shtypit me Ramën,duke mos i dhënë as dorën është një shenjë tipike fodullëku, por e një fodullëku pa patur kurajon për të bërë gjë. Është qeveria e Vuçiç që ka pranuar në bisedime qeverinë e Kosovës, pra de fakto e ka njohur shtetin e ri dhe po ashtu, ka pranuar për vizitë politikanët kosovarë në Serbi. Ndërsa dje, Vuçiç donte të dilte si i fortë para serbëve, ndërkohë që humbi para ndërkombëtarëve. Po kështu, kaq shumë u ka djegur serbëve nacionalistë e jo bashkëkohorë fjala e kryeministrit Rama, aq sa mbrëmë vonë doli presidenti serb e akuzoi kryeministrin e Shqipërisë për ato çka foli në Pallatin “Serbia”. Të gjithë reaguan sa u dogjën sytë nga “bomba” që lëshoi në Pallatin “Serbia” Edi Rama. Ka një arsye tjetër se përse reagimi i Vuçiç ishte i papërshtatshëm. Nga njëra anë, Serbia kërkon të hyjë në Bashkimin Europian dhe dëshiron të tregojë se është gati të bashkëpunojë. Por nga ana tjetër, Vuçiç është pasardhës i Partisë Radikale Serbe të Vojslav Sheshelit, të akuzuarit për krime lufte në Bosnjë, i cili këto ditë ka marrë lirinë nga Gjykata e Hagës. Madje thuhet se mbërritja e tij në Serbi është shtyrë disa ditë nga autoritete serbe, pikërisht për shkak të vizitës së kryeministrit Edi Rama në Serbi. Vuçiç ka qenë Sekretari i Përgjithshëm i Sheshelit dhe një nga zbatuesit e ideologjisë së tij, deri sa përfunduan luftërat në Ballkan. Ndaj reagimi i djeshëm, nuk lidhet vetëm me postin e kryeministrit të Serbisë, por edhe përfaqësuesit të një partie radikale dhe me nota të forta nacionaliste. Vuçiç pranoi vizitën e Ramës si pasojë e presionit të Bashkimit Europian, por edhe për të ndihmuar karrierën e tij politike në kancelaritë europiane. Por për të njëjtën arsye, Vuçiç duhet të bënte një reagim të tillë, pasi karriera e tij politike varet nga qëndrimi i nacionalistëve në Serbi dhe një pranim i deklaratave të Ramës në heshtje, do të ishte një vetëvrasje politike për zgjedhjet e ardhshme. Ka edhe analistë të tjerë që thonë se koha 40 minutëshe kokë me kokë mes dy kryeministrave, ka qenë pjesë e një loje fine ku kanë rënë dakord të thuhet ajo çka u tha për Kosovën, porse kryeministri serb do të bënte sikur u mërzit! Por le të thuhej ajo në mes të Beogradit.

Vizita e Ramës dje pati dhe një tjetër element të rëndësishëm. Si kryeministër i Shqipërisë kërkoi që në Luginën e Preshevës, shqiptarët të trajtohen njëlloj si pakica serbe në Kosovës. Një qëndrim i tillë humbi dje mes tensioneve të konferencës për shtyp. Por është hera e parë, që nga Tirana zyrtare, aq më tepër nga një kryeministër shqiptar, kërkohet në Beograd respektim i të drejtave të shqiptarëve që jetojnë në Serbi. Një dekadë më parë, diçka e tillë do të ishte, thjesht e paimagjinueshme. Jashtë vëmendjes në deklaratat e djeshme nuk u la dhe çështja e ndeshjes Serbi-Shqipëri. Në këtë pikë, duket se mes politikanëve serbë nuk kishte asnjë reflektim. Madje dhe vizitën e cilësuan si një provokim tjetër. Praktikisht çdo gjë që bëjnë shqiptarët në Beograd, për serbët është një provokim. Ashtu si një ndeshje, edhe vizita e kryeministrit Edi Rama në Serbi është e ndarë në dy pjesë. Pjesa e parë e zhvilluar dje ishte një fitore 3-0 për Edi Ramën. Pjesa e dytë dhe më e rëndësishme është sot në Luginën e Preshevës. Kjo është një vizitë delikate dhe ka mjaft rëndësi të shihen mesazhet që do të jepen nga delegacioni shqiptar, por edhe sjellja e autoriteteve serbe. Nga përfundimi i kësaj vizite varet fati i “ndeshjes”, por edhe fati i mëtejshëm i marrëdhënieve Shqipëri-Serbi.

Dhe Edi Rama një surprizë do ta bëjë sot në Luginën e Preshevës. Se çfarë nuk e hamëndësojmë dot, por  le të presim deri në mesditë.

Qamil Xhani

SHKARKO APP