Edi Rama:Paqen në rajon ta transformojmë në zhvillim

“Unë besoj se ajo për të cilën ne kemi veçanërisht nevojë, sot e tutje, është të përqendrohemi në vendet tona dhe në rajon, në projekte të orientuara drejt rezultateve përmes qëllimeve dhe afateve të përcaktuara qartë.”

Duke folur për Shqipërinë, Kryeministri tha se Qeveria doli me një qasje krejt të re kundrejt zhvillimit ekonomik dhe se kjo qasje, bashkë me reformat e ndërmarra sollën rezultate pozitive brenda një viti.

“Falë një sërë reformash dhe një ndryshimi në qasjen e qeverisë ndaj komunitetit të biznesit, ne si Shqipëri patëm një hov të konsiderueshëm në vetëm një vit, në Raportin e të Bërit Biznes: u ngjitëm 40 vende më lart.”

Për Kryeministrin Rama, bashkëveprimi, qëndrueshmëria dhe kreativiteti janë thelbësore për ta kthyer rajonin tonë në një treg shumë më të madh dhe ta bëjnë atë edhe më tërheqës.

“Por përtej arritjeve tona personale, rajoni ynë duhet të përfaqësojë gjithmonë e më shumë një treg shumë më të madh dhe duhet të bëjë një ndryshim të madh në qoftë se ofrojmë parashikueshmëri, qëndrueshmëri dhe të gjejmë mënyra më kreative për ta bërë rajonin më interesant.”

Por ndërsa solli në vëmendje klimën e re pozitive që ekziston sot, në Ballkan, e mbështetur dhe inkurajuar edhe nga Procesi i Berlinit, Kryeministri theksoi që kjo situatë e re të jetë e qëndrueshme kërkon edhe një nivel të ri të bashkëveprimit ekonomik ndërrajonal.

“Është gjithnjë e më e qartë se ajo që ne kemi nevojë dhe ajo që ne nuk mund të sigurojmë me mjetet tona, të ndarë nga njëri-tjetri, janë projektet në shkallë rajoni; projektet e infrastrukturës, projektet e sigurimit të energjisë dhe projektet e turizmit dhe akoma më shumë, gjëra që do bëjnë investitorët të kenë akoma më shumë besim dhe do të bëjnë që rajoni të jetë shumë më tërheqës për investitorët e mëdhenj. Politikisht, deri tani ia kemi dalë, por tani duhet t’ia dalim edhe ekonomikisht dhe kjo duhet të bëhet krah për krah me Europën. Paqen që tashmë e kemi duhet ta transformojmë në një paqe që ia vlen ta jetosh, dhe një paqe të cilën ia vlen ta jetosh nuk mund të ekzistojë pa pasur projektet që do e bëjnë atë të denjë për ta jetuar.”

Një sesion i veçantë në Forumin e këtij viti i kushtohet eficencës energjetike dhe teknologjisë së informacionit dhe impaktit të tyre mbi zhvillimin ekonomik, me pjesëmarrjen e Ministrave të Ekonomisë së Shqipërisë, Turqisë, Maqedonisë, Kosovës, Kroacisë etj..

SHKARKO APP