Ekskluzive/ Prishja e pronares së Top Channel me Ramën
Web i drejtuar nga Armand Shkullaku dhe Andi Bushati ( lapsi.al) ka shkruar nje shkrim me titull "Prishja e pronares së Top Channel me Ramen" te cilin po e botojme te plote:
Rreth një vit e gjysëm pas ndryshimit të pushtetit në Shqipëri punët duket sikur nuk shkojnë mirë mes kryeministrit dhe televizionit më të madh në vend, Top Channel. Në muajt e fundit të 2014-ës, dy çështje serioze kanë vënë përballë interesat e pronarëve të televizionit me ato të kryeqeveritarit. Por, nëse njëra prej tyre, ajo e përbërjes komisionit të ri të AMA-s, është zigjidhur në interes dhe në favor të Top-it, tjetra që ka lidhje me biznesin e drejtëpërdrejtë të pronares kryesore, Vjollca Hoxha, duket se ka shkaktuar një problem të vërtetë në marëdhënien e ngushtë. Po përse është fjala? Thjesht për një biznes. Trashigimtarja e Dritan Hoxhës, e cila përpos aksioneve në median më të madhe në vend, në Lori kafe dhe në DIDITALB, po përpiqet ta shumfishojë biznesin e saj në fushën e transportit në Tiranë, po ashtu edhe në atë të parkingjeve private të kryeqytetit, kishte bërë pak muaj më parë një marëveshje. Fjala qe për një projekt për për të kontrolluar parkimet me pagesë anës rrugëve kryesore të kryeqytetit, i cili ashtu sikurse në çdo metropol të madh, do ti detyronte pronarët e veturave të paguanin sa herë parkonin buzë trotuarëve. Jo më me metodën e përdorur nga bashkia në arteriet kryesore, ku sapo ndalon të afrohen disa burra të rrëgjuar më jelekë të kuq, por sipas një mënyre moderne, me matsa të rregullt kohe, tek të cilat futeshin edhe paratë për të paguar. Në sipërfaqe një projekt bashkëkohor.
Por, pas ketij projekti fshihet një biznes i vërtetë parash. Dhe pikërisht këtu qëndron puna. Këtë ide, që startin e ka marrë nga bashkia, njerëzit e saj i’a kanë propozuar menjëherë zonjës Hoxha e cila duke parë leverdinë e kësaj tratative ka pranuar ngritjen e një ndërrmarrje të përbashkët. Por dardha e ka bishtin mbrapa. Sepse ndërmarrjen e përbashkët ajo duhet ta bënte me kunatin e Lulzim Bashës, Erion Isufaj dhe me njerëz pranë familjes Berisha. Në gjenezë ky dukej një biznes i pastër i bashkisë e cila duke pasur nevojë për mbrojtje mediatike, po i afronte një kompromis edhe medias më të madhe në vend, të njohur për anësinë e saj nga e majta. Në parim projekti kishte marrë OK. Ai madje ishte gati të merrte edhe aprovimin e këshilltarëve bashkiakë. Dihet që me kapërcimin ylberian të LSI-së, nga e djathta në të majtë, Lulëzim Basha nuk i ka më votat në këshillin bashkiak, dhe për të kaluar një projekt si ky, atij i duhej me doemos edhe vota e të majtëve (gjë që do ta siguronte prania dhe lobingu i pronares të Top-it).
Por pikërisht këtu qëndron problemi. Kjo aferë natyrisht është marrë vesh edhe nga kryeministri Rama, i cili menjëherë është vënë nën paranojë. Së pari sepse ai nuk mund të lejonte më që kundërshtarët e tij të vazhdonin të pasuroheshin me të njëtat ritme. Ai kish shpallur luftë Bashës në këtë drejtim. I kish prishur pallatin personal në Vlorë, i kish anuluar lejet e shumëkatsheve ku dyshohej për interesa okulte, aty ku do ndërtohet xhamia e re, i kishte penguar projektin e vazhdimit të bulevardit të madh dhe shume projekte të tjera për Tiranën. Mirëpo tani rreziku qe dyfish. Përpos një miniere parash me parkingjet, interesat e njerzve të Lulzim Bashës, mund të përputheshin, me ato të medias më të madhe në vend qe deri me tani e mbështeste. Një zot e imagjinon sesa mund të tmerrohej Rama nga një ngjizje e tillë. Ndaj ai ka marrë masat për të vepruar shpejt.
Fillimisht ka kontaktuar vetë disa pronarë mediash për të kuptuar nëse në këtë aferë ishte bërë ndonjë bashkim shumë medial për ti bërë presion qeverisë (ashtu sikurse ka ndodhur edhe në raste të tjera) apo bëhej fjalë vetëm për interesat e Top-it. Dhe kur është siguruar për të dytën ka vendosur ti thotë jo projektit.
I bindur se top medias i kishte bërë një dhuratë shumë të madhe duke emëruar sipas preferencave të saj kreun e ri të AMA, Gentian Salaj, Rama mendonte se e kish larë një pjesë të borxhit. Ai kish qenë nën presion të madh për të caktuar kreun e entit rregulluest të frekuencave dhe të dhënies së liçencave televizive. Në njërën anë ai e dinte se me këtë vendim, ai do të bënte të pakënaqur TV Klanin, i cili e kish kontrolluar AMA-n gjatë tetë viteve të pushtetit të Berishës. Por ai e dinte se gjithashtu, të pakënaqur do të bënte edhe Vizion Plus-in, i cili për shkak të luftës vllavrasëse Tring-Dixhitalb, po lobonte fuqishëm për ta kontrolluar vetë këtë post.
E megjithatë mes interesit të dy mediave që e kishin mbështetur, Rama vendosi të anonte nga Top-i. Dhe me këtë mendonte se e lau një pjesë të “borxhit”, por më kot. Më kot ishte munduar të zgjidhte në fillim të nëntorit me plot 79 vota Gentian Salajn që kërkonte Top-i. Më kot kish organizuar lojën me një Gentian tjetër që u fut në garë dhe që opozita e akuzoi se ishte njeriu i Erion Velisë që po merrte nën kontroll edhe frekuencat televizive. Përkrahjen e kandidaturës ekskluzive të Topit, spo i’a dinte njeri për nder.
Dhe kur ai ka vendosur ti thotë jo projektit të vjeljes së parave të parkingjeve të Tiranës, është krijuar çarja e parë mes tij dhe gruas të Dritan Hoxhës. Më kot Rama është rekur të argumentojë se ai nuk ka asgjë me bizneset e saj, por ai nuk mund tia bëjë këtë nder edhe njerzve të Bashës. Më kot i është lutur të presë edhe disa kohë, sapo socialistët të marrin edhe bashkinë e Tiranës pas zgjedhjeve e pastaj ky biznes do të bëhej i saji. çarja tashmë ishte konsumuar. Dhe pasojat e kësaj çarjeje kanë filluar të ndihen. Menjëherë pasi është bindur që Rama po e pengon këtë biznes, zonja Hoxha ka vendosur ashpërsimin e linjës antiqeveritare në televizionin që ajo drejton. Dhe këtu problemi ka kaluar nga një problem mes medias dhe pushtetit, në një çekuilibrim të raporteve brenda vetë medias më të madhe në vend. Sepse Vjollca Hoxha që ka dhënë këtë direktivë, ka hasur në rezistencë të menjëhershme. Rezistenca e parë i ka ardhur nga bashkëpronarët e tjerë, shokët e Tanit, të cilëve ky i fundit, në të gjallë i ka dhënë aksionet. Më largpamës dhe të papërfshirë nga edhet e biznesit momental të parkingjeve të kryeqytetit, ata kanë bërë llogaritë: së pari Top channel nuk fiton gjë nga biznesi personal i zonjës Hoxha. Së dyti një kthim kursi kundër qeverisë do ti prishte shumë punë Topit, sepse nga kjo mund të fitonin menjëherë mediat konkurente që janë të gatshme ti servilosen çdo pushteti. Por, direktiva e Vjollca Hoxhës, e cila ka thelluar edhe më luftën e ftohtë të pronësisë të Top Channel, ka hasur edhe në rezistencën e gazetarëve. Shumë prej tyre që nga koha e opozitës kanë krijuar lidhje të forta me socialistët. Disa reporterë të lajmeve marin urdhëra drejtëpërdrejtë nga zyra e kryeministrit. Disa drejtues redaksish kanë hallin e familjarëve të tyre që punojnë për këtë qeveri ndaj dhe nuk mund ti kundërvihen. Pra edhe pa ndihmën e zonjës Hoxha, Edi Rama është shumë më i fortë në pronën e saj. Prandaj tani për tani ajo është në çarkun e të pasurit në dorë të një arme të fuqishme që nuk po mundet ta shkrehë. Më kot jep porosi për ta goditur Ramën, sepse ato deri më tani nuk ia zbaton askush.
Dhe kështu enigma mbetet e hapur: a do të arrijë Vjollca Hoxha të imponojë linjën e saj ? A është ai i saji një shpërthim inati femëror që do të fashitet me kohën? Apo është dicka më shumë: Eshtë përvijimi i një linje që fillimisht do ta bënte atë të merrte frenat e drejtimit brenda pronës që i la trashëgim i shoqi e cila më pas mund të shndërohej në një përballje me qeverinë? Eshtë shpejt të thuhet. Loja sapo ka nisur. (lapsi.al)