Elhaida Dani, përballë dështimit dhe suksesit të Shqipërisë në Eurovizion

Radio Televizioni Shqiptar për herë të parë tregoi interes për të marrë pjesë në Eurovision Song Contest në vitin 2003, duke aplikuar për konkursin e atij viti por, tre vende të tjera aplikuan gjithashtu për të hyrë në garë për herë  të parë dhe Shqipëria mbeti jashtë  konkurrimit, duke qenë e detyruar të priste edhe një vit tjetër.

Përfaqësimi i parë i Shqipërisë në Eurosong u vendos  nga Festivali i 42-të i këngës shqiptare. Fituesi i atij festivalit ishte Anjeza Shahini me këngën "Imazhi yt", (Image of you) që u përkthye në anglisht. Ajo u kualifikua në finale dhe mori 106 pikë duke u renditur e 7-ta nga 24 vende pjesëmarrëse. Kjo i siguroi Shqipërisë të kalonte automatikisht në gjysmë-finalen e festivalit të ardhshëm “Eurosong 2005.”

Sërish përfaqësuesi i Shqipërisë në  Eurovision Song Contest 2005 u zgjodh përmes Festivalit te Këngës. Fituesi i Festivalit të 43-të ishte Ledina Celo me “Nesër shkoj " (Tomorrow I go) e përkthyer dhe e kënguar në anglisht. Çelo nuk mundi të përsëriste suksesin e Anjeza Shahinit  duke marrë vetëm 53 pikë dhe duke u renditur e 16-ta.

Fituesi i Festivalit të 44 të Këngës  ishte Luiz Ejlli me "Zjarr e Ftohte"  dhe kënga për të parën herë nuk u përkthye në anglisht. Ky ishte dhe prezantimi i parë në Eurosong, ku Shqipëria do të këndonte në gjuhën e saj shqipe, por pa sukses. Në gjysmë-finalen e konkursit të vitit 2006 Luis Ejlli, mori 58 pikë, duke mos u kualikuar as në finale. Një dështim për Shqipërinë.

Prezantimi i vitit  2007 ishte Frederik Ndoci me “Balada e Gurit” ("Hear My Plea") e dalë nga Festivalit i 45-të i Këngës. Kënga u realizua dhe këndua  në anglisht e shqip. Në gjysmë-finalen e Eurosongut Ndoci  mori 49 pikë, duke u renditur në vendin e 17-të në gjysmë-finale por nuk mundi të kualifikohej as në natën finale . Një tjetër dështim…

Fituesi i Festivalit të 46-të  Këngës ishte Olta Boka me "Zemren e lamë peng". Megjithatë rezultati i i dhënë nga juria atë vit ngjalli debate të forta dhe u përfol se dy nga anëtarët e jurisë dhanë qëllimisht vlerësime të larta për Bokën me qëllim për të mos lejuar dërgimin në Eurovizion të këngëtareve Flaka Krelani (që u rendit e dyta) dhe Doruntina Disha. Edhe shtypi në Shqipëri nuk ishte i kënaqur me vendimin, ndaj RTSH njoftoi se do të hetonte mashtrimin e dyshuar nga dy anëtarët  për pikët e tyre. Pavarësisht kësaj , fitorja e Olta Bokës mbeti dhe ajo këndoi për Shqipërinë në Eurovizion 2008 në Beograd, Serbi. Në konkurs, ajo kualifikoi Shqipërinë në finale. Boka grumbulloi 55 pikë, dhe u rendit e17-ta nga 25 vende pjesëmarrëse.

Në vitin 2009, fituesi u zgjodh përsëri nga Festivali i Këngës nga ku doli fituese Kejsi Tola me këngën "Më merr në ëndërr", kompozuar nga kompozitorët e mirënjohur Edmond Zhulali dhe Agim Doçi. Kënga u realizua në anglisht “Carry Me in Your Dreams”. Shqipëria mori 73 pikë në gjysmëfinale, duke u kualifikuar kështu  për në finale. Në finale, Shqipëria grumbulloi 48 pikë (si mënyrë votimi u zgjodh juria dhe televotimi/publiku), duke përfunduar e 17-ta nga 25 vende pjesëmarrëse. Megjithatë, nëse do i ishim referuar televotimit Shqipëria do të ishte renditur e 11-a në garë dhe nëse do i ishim referuar jurisë, do ishte e 23-a.

Fituesi i Festivalit te 48 të Këngës u vendos më 27 dhjetor, me Juliana Pashan. Ajo e përfaqësoi Shqipërinë në Eurovizion në vitin 2010 në Oslo me këngën "Nuk mundem pa ty”. Kënga ishte një kompozim tipik “up-tempo”, dhe u krahasua me këngën e  Christina Aguileras "Keeps Gettin' Better " dhe Britney Spears " Womanizer". Shqipëria u kualifikuar për në finale. Në finale, Juliana Pasha dha një performancë të fortë dhe u rendit në vendin e 16-të me 62 pikë nga të cilat, 12 i mori nga Maqedonia.

Pjesëmarrësi shqiptar për Eurovision Song Contest 2011 u zgjodh në Festivalin e 49 të Këngës në dhjetor të vitit  2011. Fitues i Festivalit të Këngës ishte Aurela Gaçe, duke fituar kështu për herë të tretë pas 10 vjetësh. Kënga e saj mbante titullin "Kënga ime" dhe u përkthye në anglisht si "Feel the Passion". Shqipëria ka marrë pjesë në gjysmë-finale e para kundër 18 vendeve të tjera, duke luftuar për një vend në finalen e madhe  të 14 majit. Megjithatë ajo humbi kualifikimin në finale , për herë të parë pas 4 viteve rresht kualifikimi.

Shqipëria konkuroi në garën e vitit  2012 të Eurosong me këngën "Suus", interpretuar nga Rona Nishliu. Kënga hyri në finalen e konkursit, duke u renditur në vendin e 5-të dhe mbi të gjitha me 146 pikë. Këngëtarja kosovare Rona Nishliu arriti rezultatin më të mirë të Shqipërisë, duke u futur në “Top 5”. Ky është dhe rezultati më i lartë i marrë ndonjeherë në historinë e Shqipërisë në Eurosong. Padyshim një sukses…

Në Eurovision Song Contest 2013 Shqipëria u përfaqësua me këngën "identitet", interpretuar nga Adrian Lulgjuraj dhe Bledar Sejko. Kënga "identitet" u zgjodh si fituese nga Festivali i Këngës. Rezultatet vareshin vetëm nga votimi i jurisë. Në mesin e ekspertëve të jurisë, ishte edhe shefi i Delegacionit Italian, Nicola Caligiore i cili, përshëndeti dhe i dha pikët në gjuhën angleze për të gjithë shikuesit nga webcast Eurovision.tv. Shqipëria nuk arriti të hynte në finalen e madhe.

Më 28 dhjetor të viti 2013, Hersi Matmuja fitoi Festivalin 52 të Këngës   dhe u zgjodh për të përfaqësuar Shqipërinë në Eurovizion 2014 me këngën e saj "Zemërimi i nje nate '. Në kohën para konkurimit  në Eurovision ajo regjistroi dy versione, një version në anglisht “'One Night's anger' dhe një në shqip "Zemërimi i nje nate". Më 16 mars ajo prezantoi versionin e fundit të 'One Night's anger' për Eurovision 2014. Shqipëria nuk arriti të kualifikohet në finale për dy vite rresht.

Më 28 dhjetor të vitit 2014 Elhaida Dani fitoi Festivalin e 53 të Këngës me këngën "Diell", dhe në këtë mënyrë do të përfaqësonte Shqipërinë në Eurovision Song Contest 2015. Por ç’ndodhi?!

“Diell” nuk do të jetë më kënga që do përfaqësojë Shqipërinë në Eurovizion. Kompozitori Aldo Shllaku ka kërkuar të ruajë të drejtën e autorit mbi këtë këngë, e drejtë e cila i ka kaluar RTSH-së si organizatore e festivalit dhe si institucioni që çon Shqipërinë në Eurosong. Pas tërheqjes së kompozitorit, Elhaida Dani do të vazhdojë të jetë në garë dhe do të përfaqësojë Shqipërinë por jo me këngën “Diell”. Kënga do të ndryshojë. Nuk do të jetë e njëjta melodi dhe as i njëjti tekst. Kënga e re do të jetë “I’m Alive” (Jam gjallë) me tekst të Sokol Marsit dhe e kompozuar nga grupi kosovar “Zzap&Chriss”.

Kjo ka ngjallur mjaft debat në media dhe në opinionin publik në lidhje me vendimin që ka marrë RTSH. Ka nga ata madje që i kërkojnë qeverisë të ndërhyjë dhe t’i heqë të drejtën TVSH-së, si i vetmi organ që çon Shqipërinë në Eurosong.

Megjithatë pyetja që mbetet është: A do të arrijë Elhaida Dani të tejkalojë suksesin e Rona Nishliut dhe Anjeza Shahinit apo do shtojë një tjetër dështim në “listën e dështimeve” të Shqipërisë në Eurosong?!- mbyll shkrimin e saj Anta Muçaku ne newsbomb.

Anta Muçaku

SHKARKO APP