Emrat e ministrave që ikin dhe ata që vijnë
Pas dy vitesh, kabineti qeveritar “Rama” pritet të ketë ndryshime në disa prej posteve kryesore. Muaji shtator është përcaktuar si koha kur Kryeministri do të bëjë publike ndërrimin e emrave të disa ministrave. Ndërkohë, gjatë kësaj kohe mes dy kryetarëve të partive kryesore në koalicion, Edi Rama dhe Ilir Meta ka pasur diskutime lidhur më mënyrën sesi do të bëhen ndryshmet, bazuar dhe në marrëveshjen që kanë dy partitë për ndarjen e pushtetit. Por flitet edhe për një ndryshim të formulës së deritanishme në raport edhe me votat e shumta që mori LSI në zgjedhjet vendore.
Edhe pse zyrtarisht dy partitë kryesore nuk pranojnë të japin emra, pak a shumë po saktësohet nga burime të sigurta se cilët ministra ikin dhe cilët vijnë në qeveri. Emrat e mëposhtëm janë më të diskutuarit për rotacionin në kabinetin “Rama”, gjithsesi, fjalën e fundit dhe vendimin që ndonjëherë ndryshohet në minutat e fundit, e ka vetëm Kryeministri. Ndaj surprizat nuk do të mungojnë dhe emrat janë piketuar, por ende nuk janë konfirmuar. Edi Rama mbetet Edi Ramë dhe në sekondën e fundit mund të të fshijë emrin!
Ndër ndryshimet e para flitet se është ai i postit të Zëvendëskryeministrit. Ikën zv/kryeministri Niko Peleshi me një barrë eksperience dhe emërohet në vend të Saimir Tahirit. Ky i fundit shkon në vend të Nasip Naços në ministrinë e Drejtësisë, një prej dikastereve që në muajin shtator do të ketë reformën më të thellë në gjithë strukturën e tij. Kryeministri Rama kërkon reformë të plotë në drejtësi dhe vetëm Saimir Tahiri mund ta bëjë. Nuk ka ministër më më shumë kuota publike se sa Tahiri, sot për sot. Një tjetër ndryshim i mundshëm është ai në ministrinë e Transporteve. Edmond Haxhinasto ikën nga Transportet dhe shkon ministër i Integrimit. Ndryshimi i radhës pritet të jetë edhe ai në ministrinë e Financave, ku në vend të Shkëlqim Canit pritet të shkojë ministri aktual i Ekonomisë, Arben Ahmetaj. Sipas burimeve nga PS-ja, Cani mund të marrë një detyrë tjetër, ose të qëndrojë si deputet i thjeshtë në PS, pasi është ndër të paktët ministra që nuk e ka dorëzuar mandatin. Flitet se mund të marrë udhën për në SHBA si ambasador fuqiplotë i Shqiperise ne OKB. Ose mund të kandidojë për një post të OKB-se ku flitet për problemet financiare. Në OKB preferojnë njërëzit striktë.
Eglantina Gjermeni ikën nga ministre dhe merr biletën Tiranë-Londër me “British” , me orarin e paradites, sepse emërohet ambasadore në Britaninë e Madhe. Në vend të saj, mbërrin Artan Shkreli ose Artan Lame. Të dy “Artanët” jane si spartanët, dhe njerin do ta zgjedhë. ,ndonese Lame e ka me shume qejf. Edhe ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro lëviz dhe në vend të saj mund të fillojë Endri Fuga, një prej njerëzve më të afërt të Kryeministrit dhe më i kulturuari. Ka shumë lidhje mediatike dhe preferohet nga publiku. Kohët e fundit ka bërë për vete e kryeministrin, me elokuencën e tij, edhe dy media televizive, të cilat dikur ishin të financuara nga Berisha.
Blendi Klosi dhe Damian Gjiknuri mbeten aty ku janë sot dhe shtrëngojnë karriget e ministrit edhe dy vjet. Gjiknuri ka siguresat e energjisë , ndaj duket se nuk do t’ia kalojë kodet asnjeriu deri në vitin 2017. Kurse Blendi Klosi, i vetmi që përfaqëson traditën dhe shtyllën kurrizore të PS-së, si dhe mëqnëse nuk i dhanë Bashkinë e Tiranës, nuk ia prekin çelësin e zyrës si ministër. Ministri i Bujqësisë Panariti, një profesor dhe akademik i njohur, largohet i menduar për hallet e bujqësisë dhe në vend të tij emërohet një deputet i LSI-së. Emrin e tij e di vetëm Ilir Meta. Mund të jetë deputeti i Bulqizës. Kurse Ilir Beqaj mendohet të lëvizë vetëm nëse Partia Socialiste merr ministrinë e Transporteve dhe LSI-ja kërkon ministrinë e Shëndetësisë. Ilir Beqja do ta bëjë gjumin me trazira deri në shtator duke parë enderra se mos ia fusin prapë të vetët në PS, duke i thënë Ramës se “ boll lekë ka bërë ky Beqja!”. Bledi Çuçi dhe Lefter Koka kanë rrënjë të forta dhe nuk shkulen. Kishte ide për ta lëvizur Lefterin, por Nard Koka si “kumbar” i Darkës së Ngjalave kërcënon se bën gjëmën ndaj Edi Ramës e Ilir Metës, pra nuk preket ministria e Mjedisit. Mimi Kodheli dhe Lindita Nikolla luftojnë kundra njëra-tjetrës se cila do të jetë në listën e Edi Ramës për kandidate për Presidente Republike. Gjithmonë, nëse Ilir Meta nuk e do atë post. Por fati anon me shume për Nikollën si ministre e sotme, edhe për faktin se flet ngadalë e kreu i Shtetit duhet të jap imazhin e njeriut sikur flet me peshën e halleve të popullit.
Ku i dihet, jetojmë në Tironë! Por Rama edhe mund ti palosë të gjithë këto e të nxjerrë emra krejt të rinjë për ministra, duke mos iu dhimbsur se humbën edhe mandatin e deputetit, ministrat e mësipërm. Më i mençuri mbetet Shkelqim Cani që nuk e dorëzoi kurrë mandatin e deputetit. Dibran i zoti ! Për momentin të gjithë e kanë emrin të shkruar me laps, e jo nga ato të lapsit të Shkullakut, por në mendjet e Ramës dhe Metës. Pushime të trazuara do bëjnë ministrat, përjashtuar Saimir Tahirin që nuk po vendos akoma mes ministrisë së brendshme dhe asaj të drejtësisë.