Endri Fuga: Vëllai i Ramës dhe Xhafajt nuk kanë lidhje me lojërat e fatit

Drejtor i Komunikimit në Kryeministri, Endri Fuga ka reaguar sot ndaj akuzave të PD-së. Prej dy ditësh, deputetë të Partisë Demokratike akuzojnë vëllanë e kryeministrit, Edi Rama dhe vëllanë e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, si persona që kanë lidhje me biznesin e lojërave të fatit.

Në një deklaratë për mediat, Fuga shprehet se akuzat e PD janë shpifje dhe nuk paraqesin asnjë provë që tregon se të afërm të zyrtarëve të lartë janë pjesë e biznesit të lojërave të fatit. Në reagimin e tij, Drejtor i Komunikimit në Kryeministri rendit gjithë procedurat ligjore që ka ndërmarrë qeveria e PS, që nga viti 2013, për rregullimin e sektorit të lojërave të fatit.

Duke i cilësuar akuzat e PD si baltosje, Fuga kërkon nga mediat që të verifikojnë të deklaratat e PD, para se t’i publikojnë ato.

Deklarata e plotë e drejtorit të komunikimit në Kryeministri, Endri Fuga:

“Partia Demokratike vazhdon avazin e vjetër dhe të dëshpëruar të baltosjes së përditshme. Prej dy ditësh akuzon në hava, pa dhe as edhe një fakt të vetëm, vëllain e Kryeministrit dhe atë të Ministrit të Brendshëm, për favorizim të kompanive të basteve dhe lojërave të fatit.

Së pari, asnjë familjar i Kryeministrit apo Ministrit të Brendshëm nuk ka asnjë lidhje me kompanitë e basteve apo atyre që bëjnë monitorimin e basteve online, siç shpif PD-ja.

Së dyti, në datë 31 dhjetor të këtij viti, duke mbajtur zotimin e dhënë dhe të sanksionuar në ligj si afati i fundit për kompanitë, nuk do të ketë më asnjë kompani lojrash fati brenda territorit të qyteteve.

Së treti, nëse gjatë qeverisjes së PD-së egzistonin 40 kompani të tilla dhe arkëtoheshin nga shteti 37 milionë dollarë, sot numri i kompanive është përgjysmuar dhe të ardhurat në buxhet nga aktiviteti i tyre janë pothuajse dyfishuar.

Së katërti, kompanitë për të cilat opozita baltos qeverinë kanë rinovuar licencat e tyre ose kanë marrë licenca të reja, gjatë viteve kur në qeveri ishte Sali Berisha dhe Lulzim Basha.

Qeveria shqiptare është e angazhuar për të dhënë një zgjidhje përfundimtare edhe për industrinë e basteve dhe shumë shpejt, do të jetë gati projekti i ri ligjor i kufizimit të fortë të tyre.

Nga PD nuk presim dot asgjë tjetër. Por kemi të drejtë të presim që më në fund mediat që i pasqyrojnë këto shpifje apo përgënjeshtrime, të bëjnë  mundësisht punën e tyre dhe të verifikojnë kush gënjen në këtë mes. Ndërkohë Kryeministri dhe qeveria do të vijojnë të punojnë me të gjithë vëmendjen për njerëzit, pa humbur kohë dhe energji në rrugën e vjetër të baltës ku opozita zvarritet e përpiqet papushim të zvarrisë vetë Shqipërinë”.

SHKARKO APP