Enough Mr.Blushi!
Dje Edi Rama bëri një autokritikë në lidhje me moszbatimin e Statutit të PS-së, duke e argumentuar se sapo kishim ardhur në qeverisje dhe gjetëm një gropë të madhe borxhesh dhe ishim mes halleve që donin zgjidhje e një konkurimi formal për llogari të statutit të PS-së, ku asnjeri nuk do të më konkuronte pas një fitorje të tillë në qershor 2013, ndaj ishte një konkurim formal e artificial. Gjithashtu Rama kërkoi falje për ngjarjen e Elbasanit, ku në të vertetë ishte një falje e vonuar, por gjithsesi “koka e falur, nuk pritet” , thotë një fjalë e urtë. Edi Rama i mëshoi faktit që qeveria ka punuar dhe se sulmet nga jashtë PS-së si dhe nga brenda janë në sinkron për të rrëzuar qeverinë. Kjo është një bindje e tij personale, pasi Ben Blushi ka të drejtë në disa akuza. Blushi është një vlerë e PS-së dhe nuk ka përse synon të ikë nga PS-ja siç hamëndësohet për të krijuar një parti të re në frontin e majtë. Blushi e bëri efektin e shkundjes së PS-së në pak muaj dhe duhet pranuar se ka një meritë të jashtëzakonshme pasi e ktheu Edi Ramën nga kryeministër edhe në kryetar të PS-së, sepse familja politike ka nevojë për përkujdesje, për debat ose më saktë për të ndjerë se ka një “zot shtëpie”, që interesohet për çdo pjestar të forcës politike. Ndonëse Rama ka përgjegjsi se duhet të qeverisë krejt vendin, siç ka premtuar dhe ka marrë votat, porse ai kishte harruar të dukej në selinë rozë de facto. PS-ja është një parti e madhe tradicionale, ku dikush thotë se i ka rrënjët me 8 nendor 1941, dikur tjetër në qershor 1991, por ama është partia me demokratike deri më sot në vend. E ka treguar me Fatos Nanon dhe natyrisht kërkon edhe me Edi Ramën. Në këtë sens kritikat e Blushit sollën një shkundje të zyrave të selisë rozë, e cila dukej sikur ishte kthyer në një parti vetëm elektorale.
Blushi mbetet mjeshtër i debatit dhe realisht ka qenë një nga minuset e qeverisë Rama, kur nuk mori Ben Blushin ministër, pasi edhe debati në Ekzekutiv e në parlament do të kishte me tepër vlera dhe efektshmëria e krejt qeverisjes do të ishte me rezultative. Nuk ka shumë “ Blushë” PS-ja dhe këtë që e ka don ta hedhi, ndonëse dje Edi Rama bëri një fjalim të mirë, fin, autokritik, sqarues, ndonëse qeveria ka nevojë për ndryshime drastike, siç thotë edhe Blushi. Edhe publiku.
Por duhet kuptuar dhe respektuar autokritika e kryeministrit dhe kryetarit të PS-së. Ishte menduar një revansh si në Elbasan, edhe në Asamble ndaj Blushit, por Rama ishte, me një dridhje zëri, i besueshëm. Nuk është e lehtë të qeverisësh një vend me një borxh të madh të trasheguar,siç ai tregoi shifrat; nuk është e kollajt të rritesh mirëqënien e popullit në këto kohë të trazuara europiane; porse ishte e mundur që Edi Rama e Ben Blushin të kishin gjetur udhën e mirëkuptimit për të bërë një qeverisje me efektive.Natyrisht që faji përherë mbetet tek i “ zoti i shtëpisë”, sipas traditës shqiptare, ashtu sikurse kur ka “dasma” ai shkon i pari në sofrën e miqve.
Por dje Edi Rama ndonëse hodhi shigjeta kundrejt Ben Blushit përsëri në thelb dukej si një thirrje që lëshoi që “hajde e bashkëpunojmë” për të mirën e PS-së dhe Shqipërisë. Referendumi ishte dhe është një zgjidhje ligjore brenda familjes politike socialiste, pasi në fund të fundit “sovrani socialist” janë anëtarësia e PS-së. Mundet të ketë patur djallëzi tek turrja drejt Referendumit, porse kjo është zgjidhja në këto kushte kur anija e PS-së ka futur ujë në detin e trazuar të vetvetes. “Sovrani socialist” nuk është si dikur në vitin 1991 militant e symbyllur. Janë kohë digjitale tashmë dhe sejcili do të hedhë votën proRamës në atë çka ai kërkon ose proBlushit, ndonëse nuk ka emër vota kundër Ramës, por në thelb intërpretohet si test për platformën Blushi. Në fund të fundit Referendumi i shkon më për shtat Blushit, sepse anëtarësia do t’i turren Ramës jo si kryetar, por si kryeministër për hallet e pa zgjidhura. Me këtë provonte, indirekt, edhe sa përqind e PS-së e do Blushin.
Ndërsa ajo Lëvizja e djeshme që firmosën dje për demokraci në PS duket si një lëvizje kineze e kohës së Mao Ce Dunit.
Ben Blushi është figurë e lartë në atë parti dhe nuk ka nevojë për dacibao të tilla. Por kundërshtimi i Referendumit të ofruar nga Rama ka nevojë për një thirrje: Enough Mr. Blushi !
Alban Spiteni