Erë lufte në Ballkan. Skenarë për konflikt dhe dhunë në Kosovë
Këto ditë temperaturat politike janë rritur ndjeshëm në rajon. Pas deklaratave me shumë kuptime të presidentit serb Aleksandër Vuçiç dhe atij kosovar Hashim Thaçit për “ndarje territoresh”, “shkëmbim kufijsh”, apo “korrigjim kufijsh” mes Kosovës dhe Serbisë, palët kanë nisur lëvizjet edhe në terren.
Mediat kryesore serbe raportojnë sot për një skenar konflikti që piritet të shpërthejë nga dita në ditë. Agjencia serbe në gjuhën angleze “B92”, si dhe gazeta “Kurir”, shkruajnë se “Shqiptarët pritet të pushtojnë zonën e Liqenit të Gazivodës, në pjesën e banuar nga serbët në Kosovë”. Po sipas këtyre mediave, “shqiptarët do të ndihmohen nga NATO për të bërë një pushtim ushtarak”.
Pas këtyre informatave që qarkullojnë në institucionet serbe, presidenti Aleksandër Vuçiç ka njoftuar mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Serbisë. Këshilli, i përbërë nga ushtarakë të lartë, drejtues të shërbimeve inteligjente dhe gjithë aparati shtetëror serb pritet të diskutojë për përgjigjet e një skenari të tillë. Mediat serbe e servirin situatën sikur janë në prag të një agresioni të armatosur nga ana e shqiptarëve e NATO-s dhe u duhet të përgatiten për luftë. Në jo pak media të tjera të Beogradit flitet dhe për përgatitje ushtarake për luftë dhe konflikt. Kjo është mënyra sesi e shohin serbët atë që po ndodh këto ditë mes Serbisë dhe Kosovës kur pritet që të finalizohen negociatat mes dy vendeve dhe të ketë një marrëveshje që mund të sjellë paqen përfundimtare.
Ndërkohë në Kosovë ajo që po ndodh këto ditë është dhe më shqetësuese se lajmet e propagandës që servir Beogradi. Zyrtarë të kishës serbe kanë deklaruar se këto ditë pritet që minoriteti serb në zonën e Veriut të shpallë autonominë zyrtare nga Prishtina. Zbatimi i këtij skenari në praktikë do të sillte dhe përplasje mes forcave të KFOR dhe Policisë së Shtetit të Kosovës që ndodhen në zonën e veriut. Në disa raste, ky projekt është përmendur dhe nga politikanë lokale serb në Kosovë.
Për këtë qëllim, Kryeministri Ramush Haradinaj ka mbledhur sot Këshillin e Sigurisë ku ka diskutuar për skenarë konfliktualë në veri të Kosovës. Haradinaj tha se idetë e autonomisë janë të sponsorizuara nga Beogradi dhe kanë qëllim destabilizimin e vendit. Kreu i qeverisë së Kosovës se ne praktikë nuk ekziston mundësia e shpalljes së autonomisë së disa komunave, por paralajmëroi se çdo shkelje e ligjeve të Kosovës do të ndëshkohet rreptë.
Edhe pse Haradinaj u mundua të mos përhapë panik për tensione, deklaroi se gjithë institucionet e Kosovës janë në gatishmëri të plotë për çdo zhvillim.
“Nëse dikush del nga ligjet e Kosovës dhe marrëveshja, ligji do të veprojë, nuk ka dilema, do të marrë përgjigjen e vet. Sa i përket veriut, ne çdo herë kemi mirëpritur ardhjen e çdo qytetari të botës te ne dhe po pritet mirë në çdo pjesë të Kosovës. Kushdo që hyn në territorin e Kosovës me qëllim të prishjes së rendit dhe ligjit, do të marrë përgjigje nga ligji ynë. Jemi në gjendje gatishmërie, nëse ka prishje të rendit dhe ligjit”, tha kryeministri Haradinaj. Ndërkohë, mediat në Kosovë raportojnë se në komunat serbe është shtuar prania e forcave paqeruajtëse të KFOR-it. Gjithashtu, efektivët e Policisë së Kosovës kanë marrë urdhër të ndërpresin pushimet dhe të kthehen në detyrë.
Tensioneve të përhershme mes serbëve dhe shqiptarë duket se u kanë shërbyer dhe deklaratat dhe idetë aspak diplomatike të politikanëve shqiptare. Prej një javë, Presidenti Hashim Thaçi ka hedhur për diskutim idenë e “korrigjimit të kufijve” mes Kosovës dhe Serbisë. Një deklaratë e tillë praktikisht do të thotë ndarje të Kosovës. Veç kësaj Thaçi ka shtuar dhe idenë e marrjes së Luginës së Preshevës. Qëndrime të tilla, në kohën kur Thaçi dhe Vuçit janë takuar për të gjetur një zgjidhej të pranueshme për të dy vendeve dhe ndërkombëtarët ende nuk kanë folur, krijojnë konfuzion në Kosovë, por edhe në rajon.
Në gjithë këtë rrëmujë gushti që po ndodh mes Serbisë dhe Kosovës, ndërkombëtarët ende nuk kanë folur. Ndërkohë Aleksandër Vuçiç po mbledh krerët e ushtrisë duke propaganduar se “mund të sulmohemi nga shqiptarët”, kur historikisht kanë qenë serbët atë që kanë sulmuar, ndërsa Thaçi flet çdo ditë për “korrigjim kufijsh”.