Erion Veliaj, kujdes nga “senatorët” e PS!
Erion Veliaj ka avantazhin e të qënurit një ish-aktivist i MJAFT, bile lideri i saj, si ish-ministër dhe që di të reklamojë punën e tij. Të tjerët nuk dijnë ta bëjnë kaq hapur e bukur. Ka edhe një favor se diferenca mes tij dhe kandidatit rival si forca politike shkon diku tek 40 mijë vota. Dikush thotë më shumë ose më pak, porse përreth kësaj shifre sillet kjo diferenca momentale. Nëse do të arrij Halim Kosova të barazojë është faji i Erion Velisë, por jo vetëm i tij. Nën rrogoz ose diku edhe hapur kanë filluar “senatorët” e PS-së që të kërkojnë mos votimin e Velisë, pasi mendojnë se duke rrëzuar Erionin kanë plagosur brinjë me brinjë Edi Ramën. Dhe nëse ndodh kjo natyrisht që plagët i merr Edi Rama, ndërsa Veliaj tërhiqet në jetën e tij private, pasi e zorshme është ta rimarrë shpejt veten.
Por dueli brenda së majtës sot në Tiranë është mes Edi Ramës dhe grupit të “senatorëve” të PS, të cilët nuk po gjejnë hapësira në PS e në qeverisje prej Ramës. Dhe deri në një farë mase kanë të drejtë “senatorët”. Ndaj Rama ka rrugëzgjidhje që ose bashkëpunon seriozisht me to që tani, pasi pas datës 21 qershor kryeministri mund të jetë në delir nga fitorja e Erionit ose buzë greminës nëse humbet Tiranën. Nëse fiton Tiranën, pa “senatorët”, atëhere Rama do ti shkrijë si grupim, porse në të kundërt do ta ketë shumë të vështirë qeverisjen.