Është Qazim Sejdini pas xhihadistit Fadil Myslimani që kërcënoi Ben Blushin?

 

Në Gjykatën e Krimeve të Rënda, gjatë seancës për të akuzuarit për rekrutimin e luftëtarëve në Siri dhe Afganistan, ka ndodhur një ngjarje e pazakontë. Një prej të akuzuarve për terrorizëm ka bërë një tjetër kërcënim publik. Në qendër të sulmit është politikani dhe shkrimtari Ben Blushi. Fadil Myslimani, njëri nga të akuzuarit ka kërcënuar deputetin socialist Ben Blushi. Ai thotë se Blushi tallet me myslimanët në librin e tij. Duke e konsideruar këto vepra artistike si fyerje ndaj myslimanëve ai ka kërkua ndëshkimin e shkrimtarit.

“Ben Blushi tallet me myslimanët tek romani i tij. O Allah! Dënoje Blushin që tallet me myslimanët!”,- ka thënë Fadil Myslimani.

Në një letër që kërkoi të lexohej dje para trupit gjykues, Fadil Myslimani ka thënë se Blushi po bën letërsi kundër myslimanëve, ndërsa ka akuzuar qeverinë dhe për dënimin e tyre mbi motive fetare. Letra e të akuzuarit kishte dhe një sërë kërcënimesh të tjera, por ndërhyrja e policisë në seancë bëri që Fadil Myslimani të largohej nga salla me forcë. Për shkak të tensioneve që kanë krijuar në sallë të akuzuarit si dhe mesazheve kërcënuese që kanë bërë ndaj figurave publike dhe zyrtarëve, gjykata vendosi dje që seancat ndaj tyre të zhvillohen pa praninë e kamerave. Ky vendim është parë si e vetmja zgjidhje që të akuzuarit të mos u bëjnë publicitet ideve të tyre ekstremiste. Disa ditë më parë ata deklaruan se nuk njihnin gjykatat. Nuk pranuan avokatë dhe kërkuan të gjykoheshin sipas ligjeve të së drejtës islame.

Njeriu që bëri thirrje dhe kërcënim e kundër Ben Blushit është në proces gjykimi për tre akuza: “Rekrutim i personave për kryerjen e veprave terroriste dhe financim të terrorizmit”, “Thirrje dhe propagandë për kryerjen e akte terroriste” dhe “Nxitja e urrejtjes”. Dje u zhvillua seanca e 32 ndaj tetë personave të akuzuar dhe duket se do të ketë dhe shumë seanca të tjera, për shkak të kompeksitetit të çështjeve për të cilave gjykohen.

Thirrje të tilla edhe pse vijnë nga persona që janë të arrestuar duhet të merren seriozisht nga institucionet e shtetit duke i siguruar mbrojtje deputetit Blushi. Seancat që vazhdojnë prej disa muajsh janë shoqëruar me kërcënime dhe mesazhe për akte dhune nga personat që janë në gjykim edhe më parë. Pak javë më parë të akuzuarit kërcënuan dhe Ministrin Saimir Tahiri si dhe gjyqtaren e çështjes. Ministrit i thanë “ke arrestuar myslimanë të pafajshme dhe duhet të kish frikë për vetën”. Ndërsa gjyqtaren e kërcënuan hapur në sallën e gjyqit; “Do të vijë radha një ditë edhe ty”.

Të gjitha rastet e kërcënimit janë alarmante, por nëse zyrtarët sulmohen për shkak arrestimit dhe procesit gjyqësor, Ben Blushi kërcënohet për shkak të letërsisë. Kjo është më flagrante dhe dëshmi e ekstremizmi të panjohur për Shqipërinë. Që një zyrtar kërcënohet për shkak të detyrës, sado absurde të duket, është diçka që ndodh shpesh nga ata që janë pas hekurave. Dje arritëm në pikën kur njerëzit kërcënohen për idetë dhe librat dhe ky është një sinjal alarmi për gjithë shoqërinë. Ata në bankën e të akuzuarve, të vetëdijshëm që sytë e mediave dhe opinionit janë atje, nuk flasin për vete, por për ata jashtë që ndoshta mendojnë njëlloj si ata. Sulmet e para të Blushit nisën pas botimit të romanit “Të jetosh në ishull”. Për një pjesë të myslimanëve radikal tezat e hedhur në këtë roman cilësoheshin si një fyerje ndaj besimit të tyre. Ndërkohë që lindin disa pyetje që gjithsesi duhen bërë publike. Fill pas publikimitë librit të Blushit u tha se në qendër të librit ishte personazhi real Qazim Sejdini që është kryetari i bashkisë së Elbasanit. Kryebashkiaku elbasanas i pyetur nga “Koha Jonë” me parë në lidhje me këtë tha ndër të tjera që nëse Blushi ka sulmuar mua , ka sulmuar qytetarinë e Elbasanit. Pra duke nënkuptuar veten si qytetari e Elbasanit. Tani pyetja është : A ka ndikuar Qazim Sejdini tek Fadil Myslimani  për të sulmuar Blushin? Apo është një linjë shpirtërore e Qazimit me ata që janë në gjyq? Apo Qazimi aludohet dhe akuzohet kot së koti ?

Fakti është që kërcënimi u bë në sallën e gjyqit. Antiterrori duhet të marrë në mbrojtje Ben Blushin. Si nga xhihadistët e gjyqit, ashtu edhe nga Qazim Sejdini. Kryebashkiaku elbasanas si kundërshtar i deputetit Blushi duhet të flasë publikisht në mbrojtje të deputetit. Nëse nuk e bën  atëhere dyshimet mbeten se ai është pas atyre që folën në sallën e gjyqit !

Ose të flasë hapur ose të mbajë peshën e dyshimit xhihadist! Sherbimet sekrete po hetojnë për çdo lidhje të mundshme inspiruese.

SHKARKO APP