Fajin e ka Rama

 

Nga Dritan Hila.

Ngjan se një dramë kombëtare po zhvillohet në Golem, ku një fshati turistik po i prishin fushat e sportit. Është tipike e furtunës në gotën me ujë. Histori të tilla ka plot tranzicioni ynë, dhe ndërtues më të dhunshëm sesa Frangaj, ka plot Dhoma e Tregtisë. Ndërkohë një krim më i madh po ndodh tek kodrat e liqenit. Këtë radhë nuk bëhet fjalë për prishjen e rehatit të disa familjeve, por të një lagjeje dhe qyteti që numërojnë me qindra mijëra banorë. Ishte një lagje që Edi Rama kishte mundësi ta bënte model dhe e katandisi në geto. Nuk ka rrugë, nuk ka trotuarë, nuk ka parkingje, nuk ka lulishte. Kur në fushatë deklaronte “votoni Erionin se ne kemi një model”, a thua në mendjen e tij ishte si model kjo rrugë, kjo lagje që quhet “Komuna e Parisit”? Me lejet e reja që ka dhënë ose që nuk i anulon, të cilat e ndajnë përfundimisht nga liqeni artificial, po e kthen në bidonvil. E mbani mend fushën tek kompleksi i “Dinamos” ku mbajti një miting dhe tha sesi do të bëhej? Në shpinë ishte një megafoto me fushë kalçetoje dhe disa lulishte që aq kollaj bëhen në kompjuter. Kalçetoja ka qenë edhe më përpara dhe është akoma. Në vend të lulishteve, po hapen gropa pallatesh. Nuk është Sandri që ka prurë ruspat aty. Janë klientë të tjerë të Ramës. I keni në shpinën e tij si pjesëtarë në delegacione apo sponsorë të udhëtimeve.

E mbani mend Ramën kur ishte bashkiak dhe kërkonte policinë e tij të ndalonte ndërtimet? Sot ja hoqi bashkive policitë dhe lejet e ndërtimit. E ka kthyer këtë vend në një bashki të madhe të cilin po e administron me të njëjtin arbitraritet si dikur Tiranën. Ndërtuesit e dinë se ku duhet të shkojnë të falen. Ai nuk është i zëni peng nga oligarkët. Ai është oligarku. Tashmë nuk ka mbetur në këmbë asnjë iluzion. Është këtu për ti shërbyer vetes. Asnjë ideal nuk ka në gjithë sa bën. Asgjë ideologjike nuk ka në qenien e tij. Asnjë vizion nuk ka për mënyrën si qeveriset një vend. Asnjë shpresë nuk ka se mund ta nxjerrë nga gropa ku e gjeti dhe e zhyti akoma më shumë. Tashmë është kthyer në një “Terminator” të parasë. Lejet e dhëna nga Berisha dhe Basha, janë rifreskuar. Konçensionet e dhënë nga Berisha, vetëm sa u rinegociuan, por vazhdojnë e janë në këmbë, çka tregon se ishte vetëm një ribërje pazaresh. Konçensionet e reja që po jepen nuk kanë brenda asgjë ekonomike. Tashmë jemi në ditën kur gjithë pasuritë publike po ndahen në mënyrë të paskrupullt dhe palogjikë, sikur kjo është dita e fundit përpara Ditës së Qametit. Ndaj mos u merrni me Sandrin. Mos u merrni me “Lagunën Blu”. Sa ndodhi në atë lagunë, ishte veprim logjik i asaj sesi po ndërtohet shoqëria jonë në këtë çerek shekulli dhe Rama është një ndër arkitektët e saj, aktorët e saj dhe tani zbatuesit e saj. Ata që janë në “Lagunën Blu” dhe po ju prishet rehati, janë ndër bashkëpunëtorët më të afërt të tij. Janë ata që marrin pjesë në ballot e fundvitit, që bien copë të marrin një ftesë për atë ditë, ditë që i përdhos publikisht. Po si kujtonit, se mund të lihej Shqipëria të qeverisej nga kaosi, mjafton të krijonim ishuj ku kjo farë elite të shikonte të tjerët si nga një zoosafari? Kaq mëndjelehtë të jeni vallë sa mendoni që në këtë kohë globalizmi, mund të krijoni ishuj të pasurish si në Amerikën Latine? Aq të panxënë jeni sa mendonit se mund të ekzistojnë dy Shqipëri: një e “Lagunës Blu” dhe tjetra e “Kënetës së Kuqe” që lahet në gjak, paligjshmëri dhe informalitetin e vet? Nuk funksionon kështu bota. Aq më pak Evropa nuk funksionon si e tillë. Prandaj kanë ndodhur revolucionet ose anarkitë. Dhe meqenëse ne shqiptarët i ikim përballjes me të ligën dhe i lëshohemi anarkisë, tek ne nuk ndodhi revolucioni por anarkia. Një ditë kjo anarki do vijë edhe brenda “Lagunës Blu”, pastaj tek fshatrat elitarë në periferi të Tiranës dhe atë ditë që Rama nuk do të jetë kryeministër, do ti trokasë tek porta e vilës në Surrel.

SHKARKO APP