Fake News apo Fake Kryeministër?…

Nga Luan Rama*

Jam përpjekur t’a besoj Kryeministrin në përpjekjen e vet dëshpërimisht mjerane, të shërbyer për lexuesit dhe opinionin publik nën titullin “Lufta e esadistëve kundër negociatave dhe 600 mijë fantazma për të përmbysur qeverinë”, apo edhe nëpër takimet e tij të fundit, por e kam patur të pamundur, sepse esadizmi dhe hija e tij e risjellë enkas nga njeriu i parë përgjegjës për situatën kriminale ne vend, nuk mund t’a mbështjellë e as t’a mbrojë  hamzaizmi, edhe pse nën petka moderne e pa çallmë në kokë, të ambalazhuar mediatikisht prej ERTV si edvinizëm.

Por le t’i ikim paraleles me referenca në tradhëtitë e vjetra që na vijnë prej historisë, e të merremi me ngjarjen e radhës; miliona euro të gjendura nëpër makinë hyjnë e dalin apo edhe qarkullojnë nëpër Shqipëri, si për të konfirmuar atë që ka theksuar në mënyrë të përsëritur Departamenti Amerikan i Shtetit, i cili e ka përfshirë Shqipërinë për të dytin vit radhazi në listën e vendeve ku qarkullojnë paratë e krimit!

Mirë për lajmin e pritjes së 600 mijë refugjatëve sirianë e për kampet e pritjes dhe te rehabilitimit të ish-luftëtarëve të ISIS-it e ka gjetur alibinë duke fajësuar opozitën, po miliona euro të krimit si do t’i justifikojë kryeministri ynë vetëm tre ditë para vendimit të Këshillit Europian për çeljen ose jo të negociatave me Shqipërinë? Apo do të na thotë që edhe ato para janë të opozitës siç bëri disa kohë më parë me një sasi prej mbi 600 kg drogë, në trafikimin e të cilës tha që ka të implikuar eksponentë të lartë të PD-së, pa pasur asnjë provë e ç’është më e rëndësishme pa u shprehur prokuroria për këtë gjë!

Kryeministri flet per “Fake News”, pra për lajme të rreme, ndërkohë që makina e tij e propagandës, e frymëzuar prej filozofisë gebëlsiane, prodhon e shpërndan ekskluzivisht vetëm “Fake News” me personazh kryesor atë vetë!

E vërteta nuk mund të fshihet. Dhe të gjitha rrugët e të vërtetave të krimit; droga e trafikimi i saj, paratë e krimit dhe pastrimi i tyre, klientelizmi kriminal e korrupsioni endemik, të çojnë vetëm tek qeveria!

Këtë na e ka thënë Departamenti Amerikan i Shtetit me anë të raportit të Byrosë së Sigurisë Diplomatike (Albania 2018 Crime & Safety), ku thuhet shprehimisht:

=“Departamenti Amerikan i Shtetit e ka vlerësuar Tiranën si një vend i rrezikshmërisë së lartë për krime që drejtohen ose prekin interesa zyrtare të qeverisë amerikane”.

=“Krimi i organizuar vazhdon të jetë një shqetësim për shumicën e shqiptarëve, me një rrjet organizatash kriminale të përfshira në trafikim lëndësh narkotike, grabitje, ryshfete, pastrim parash, prostitucion dhe trafik qeniesh njerëzore”.

Pra, pas pesë vitesh në pushtet, nuk ka më alibi e as tepsi që mund t’a justifikojë qeverinë, e cila nuk e meriton çeljen e negociatave; për sa kohë “Fake News” dhe “Fake Kryeministër” janë e njëjta gjë!

*Zëvendëskryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim

SHKARKO APP