Faktet nga SHBA. Pse Kokëdhima po lobon për kanabisin? Faqja online në Kolorado: Ai po na ndihmon në Shqipëri

 

Dje në emisionin “OPINION” deputeti Koço Kokëdhima ka dhënë një intervistë të gjatë, lidhur me teorinë e tij për legalizimin e kanabisit në Shqipëri. Ai ka hedhur dy ide kryesore: “Propozimi im i parë është që kanabisi farmaceutik të jetë i lirë dhe legal në vendin tonë, siç është në çdo vend të Evropës dhe në shumë vende të tjera të botës. Propozimi im i dytë është që Shqipëria të kultivojë kanabis për eksport, për shkak se industria e kanabisit farmaceutik në botë është një industri shumë miliardëshe dhe vendi ynë ka mundësi të përfitojë nga kjo industri” tha Kokëdhima. Koço Kokëdhima, shpjegoi gjithashtu dje argumentet e tij për propozimet e bëra publike, lidhur me legalizimin e përdorimit të kanabisit mjekësor dhe zbutjen e politikës penale për përdoruesit. Deputeti i qarkut të Vlorës nënvizoi se, janë 170 sëmundje që mund të trajtohen nga ilaçet me bazë kanabisin dhe kjo është një mundësi që Shqipëria duhet ta shfrytëzojë.

Por po dje në edicionin e lajmeve Agon Chanel kishte bërë një investigim tejet interesant (shiko videon poshtë). Në të ishte zbuluar se tashmë kanabisi nga Shqipëria  tregtohet në Kolorado dhe në ato vende të SHBA-ve ku tregëtimi i tij lejohet. Madje kronika e Agon shfaqte edhe një portal në internet ku reklamohej se ku mund të blesh vaj kanabisi shqiptar për 15 dollarë shishja.

 

Në portalin e i industrisë të bimëve mjeksore të Ballkanit (foto lart) nuk saktësohet se si mbërrin kanabisi deri në SHBA, kur në Shqipëri ai është i ndaluar, por aty thuhet se falë diplomacisë dhe të kontributit të diplomatëve dhe politikanëve shqiptarë kjo gjë është bërë e mundur. Por ajo që është më e çuditshmja është se në faqen që reklamon vajin e kanabisit shqiptar përmendet edhe emri i deputetit Kokëdhima që po lobon për legalizimin e tij (foto poshte). A ka lidhje ai vetë me kanabisin që tashmë tregtohet në amerikë, pyet kronika e Agon channel?  Ai ngre gjithashtu disa pyetje se kush është kompania që e eksporton në Shba, a ka ajo liçencë, si bëhet e mundur një gjë e tillë kur kjo bimë është e ndaluar në Shqipëri?

 

Por mbi të gjitha agon ngre pikëpyetjet: a ka lidhje lotimi i Koço kokëdhimës me këtë linjë tashmë të instaluat të shitjes së kanabisit në Kolorado të SHBA-së? Një gjë është e sigurtë pohon kronika, sapo u mor vesh investigimi dhe u shtuan klikimet nga Shqipëria në portalin e i industrisë të bimëve mjeksore të Ballkanit, ai u mbyll dhe nuk hapet më. A është kjo provë e një trafiku ilegal?

 

 

Invervista e plotë e Kokëdhimës për legalizimin e kanabisit të enjten në OPINION

Keni kërkuar legalizimin e kanabisit. Përveçse një nisme të guximshme, është një nismë e kundërshtuar nga kryeministri i vendit, nga ministri i Brendshëm dhe nga një numër i madh deputetësh. Zoti Kokëdhima, ç’do të thotë të legalizojmë kanabisin, që të shohim të rinj të bërë “dru” nëpër cepat e rrugëve çdo mbrëmje?

Fillimisht dua të bëj një sqarim, që çfarë unë flas për kanabisin dhe për ekonominë e tij nuk është në kundërshtim me gjithë atë “luftë” që ka bërë policia e shtetit dhe qeveria jonë për çrrënjosjen e aktivitetit kriminal në fushën e kultivimit dhe të trafikimit të kanabisit në vitet e shkuara. Ekonomia që u zhvillua në Shqipëri në të shkuarën ishte një ekonomi kriminale, sepse bëhej në kundërshti të plotë me ligjet e vendit. Prandaj nuk dua të ketë ndonjë keqkuptim, pasi qëndrimi im është shumë i qartë, kundër ekonomisë kriminale dhe aktivitetit kriminal në çdo fushë dhe specifikisht në atë të kultivimit dhe tregtimit të marijuanës.
Si mund të jemi pro për një bimë që është e ndaluar të kultivohet në të gjitha vendet e Evropës? 
Jam kundër zhvillimit të një ekonomie kriminale dhe të një ekonomie informale. Ajo që bëri qeveria jonë, praktikisht zhduku këtë ekonomi informale dhe krijoi hapësirën dhe kushtet për të zhvilluar një ekonomi tjetër, një ekonomi formale. Propozimi i parë që unë kam bërë për t’u debatuar në opinionin publik është që Shqipëria duhet, që si në çdo vend të botës, t’iu japë liri qytetarëve të saj për të përdorur kanabisin dhe të gjitha ilaçet që burojnë prej tij. Të kemi një legalizim të kanabisit farmaceutik, të kanabisit terapeutik, për trajtimin e 170 sëmundjeve, që sot trajtohen me efektivitet nga ilaçet me bazë kanabisin.
Pse pjesa tjetër e botës nuk e përdor kanabisin? 
E ka e gjithë bota e qytetëruar këtë liri, e ka kanabisin farmaceutik legal. Ky është propozimi im i parë që kam bërë. Në Shqipëri ka 50 mijë pacientë, të cilët kanë nevojë jetike për të përdorur ilaçet me bazë kanabisin. Nuk kemi asnjë të drejtë që t’ua mohojmë qytetarëve tanë këtë mundësi, që e kanë të gjithë qytetarët e botës.
Kanabisi farmaceutik mund të vijë nga jashtë, mes firmave farmaceutike të certifikuara dhe të mos kemi asnjë problem?
Problemi është që liria për kanabisin farmaceutik është një liri që prodhohet nga ligji dhe sot Shqipëria nuk e ka këtë të drejtë. Propozimi im i parë është që kanabisi farmaceutik të jetë i lirë dhe legal në vendin tonë, siç është në çdo vend të Evropës dhe në shumë vende të tjera të botës. Propozimi im i dytë është që Shqipëria të kultivojë kanabis për eksport, për shkak se industria e kanabisit farmaceutik në botë është një industri shumë miliardëshe dhe vendi ynë ka mundësi të përfitojë nga kjo industri.
Përse ka mundësi të përfitojë? 
Ka mundësi, pasi ka prodhuar në gjithë këto vite në një mënyrë ilegale, kanabis me cilësi të lartë dhe të njohur në Evropë.
Po Gjermania, Franca, Italia, përse nuk mbjellin kanabis për të kaluar problemet e tyre? 
Nëse do të marrim të gjitha vendet që kanë legalizuar kanabisin, do të dalim në përfundimin se ka shumë vende të zhvilluara që e zhvillojnë kanabisin në shumë dimensione: në prodhim, në farmaceutikë apo kanabisin industrial. Madje ka edhe shumë vende që zhvillojnë kanabisin narkotik. Propozimi im i dytë lidhet me prodhimin e kanabisit për eksport, për industrinë farmaceutike të botës.
Ajo është një industri shumë e madhe, një industri që jep qindra miliardë dollarë. Propozimi im i tretë që kam bërë për t’u diskutuar në publik është që të shihet i gjithë legjislacioni për kanabisin industrial, për kërpin. Sepse edhe në lidhje me kërpin, sot në Shqipëri jemi në një situatë penguese. Nëse sot në shumë vende të tjera niveli i THC-së, niveli i lëndës narkotike për kërpin, përkufizohet në kufijtë deri në 0,3 për qind e lejuar, vendi ynë e ka deri në 0,1 për qind.
Kjo shifër e bën më pak konkurrues kërpin e vendit tonë, për nga cilësia. Ndërsa tjetra është liria për eksport. Ne nuk mund të prodhojmë vetëm për veten. Kjo është një industri e madhe botërore, ¾ e kërpit e bën Kina, një vend që nuk ka lidhje me konsumin vetjak të kanabisit. Së fundmi, në diskutim duhet të vendoset i gjithë legjislacioni penal për kanabisin, pasi Shqipëria padrejtësisht ka legjislacionin më të ashpër në botë. Në kemi legjislacion të tillë, që i bën të rinjtë dhe të rejat që të shkojnë në burg për një cigare hashash.
Përse ta pinë ata një cigare hashash? 
Unë nuk jam predikues që rinia të përdorë kanabisin, përkundrazi, unë jam një person që nuk kam përdorur kurrë në jetën time, jo kanabisin, që nuk bëhet fjalë, por unë nuk pirë as duhan. Jam një person shumë sensibël për rininë, që të mos implikohet në përvoja të drogave, të cilat i implikojnë keq shëndetin…
Pse kërkoni atëherë legalizimin?
Dua të them edhe dy detaje: E para, kanabisi bën pjesë në drogat që nuk nxisin dhunën. Kjo është një çështje shkencore dhe e dyta, në të gjitha përvojat që kanë vendet perëndimore që kanë liri të përdorimit të kanabisit, nuk vërtetohet që liria në përdorimin e kanabisit të shoqërohet me përdorim më të madh të tij.
Kanabisi krijon varësi dhe kalim në drogëra më të rënda… 
Kjo nuk është e vërtetë. Edhe pse unë po them që nuk kam propozuar që të bëjmë këtë liri ekstreme për kanabisin narkotik, por kam thënë që kjo çështje të debatohet dhe të ndërtohet një legjislacion shumë më i drejtë dhe më i arsyeshëm për të mundësuar lirimin e burgjeve nga qindra e mijëra të rinj e të reja, të cilët dënohen për një cigare hashash.
Ne nuk i ndihmojë këta të rinj dhe të reja, duke i futur nëpër burgje që të mos provojnë hashash. Nuk i ndihmojmë as ata dhe as familjet e tyre, që kanë pikërisht dramat që fëmijët e tyre të implikohen në gjëra të tilla. Në qoftë se një i ri ose e re kapet me përdorimin e hashashit, një familje po nuk pagoi mijëra e mijëra euro nuk e nxjerr dot nga burgu. "Të ndërtojmë një ekonomi për shtetin, buxhetin dhe fermerët"
Zoti Kokëdhima, një pyetje të drejtpërdrejtë, kryeministri ka thënë jam kundër idesë për legalizimin e kanabisit. Ministri i Brendshëm ka thënë se është kundër idesë së Kokëdhimës. Keni folur ju, të paktën, me kryeministrin për këtë çështje? 
Më lejo të bëj dy shpjegime për të dy rastet. Për sa i përket deklaratës së kryeministrit, unë e kam ndjekur atë dhe jam shumë dakord me të, kur ai thotë se nuk ka kushte Shqipëria për të zhvilluar ekonominë e kanabisit dhe unë pikërisht të njëjtën gjë them. Shqipëria nuk i ka kushtet, sepse të zhvillosh një ekonomi formale të kanabisit duhet të kesh një infrastrukturë të plotë ligjore dhe një infrastrukturë të plotë institucionale, që të mund të ndërtojmë një monopol të shtetit për të kontrolluar plotësisht një ekonomi.
Nuk flas për të bërë një ekonomi për kriminelët, por një ekonomi që ta kontrollojë shteti dhe që t’i shërbejë buxhetit të shtetit, t’u shërbejë fermerëve dhe që t’i shërbejë edhe industrisë medikale në botë. Për sa u përket deklaratave të ministrit tonë të Brendshëm, unë jam plotësisht dakord. Unë kam diskutuar shumë herë me të qysh pas zgjedhjeve të vitit 2013 e këtej dhe ministri ynë i Brendshëm ka një qëndrim shumë korrekt. Ai është për të zbatuar ligjet, ndërsa unë nuk flas këtu për një projekt për të ardhmen e kësaj ekonomie dhe dua që ta përdor këtë mundësi që t’u them njerëzve të mos bëjnë gabime nga ky debat që po zhvillojmë dhe që do të zhvillojmë dhe në ditët e ardhshme.
Të mos gabojnë njerëzit, që të shkojnë, të bien në pozita të shkeljes së ligjit, të vazhdojnë të bëjnë akte kriminale, të mbjellin, të trafikojnë ose të shesin e të tjera e të tjera, e kështu të përfundojnë përsëri në burgje. Të mos e bëjnë këtë gjë. Ne po diskutojmë bashkarisht këtu se si të ndërtohet mundësisht një ekonomi e favorshme për Shqipërinë në kontekstin e ekonomisë formale dhe ligjore botërore të kanabisit. Mos të harrojmë që ekonomia e kanabisit sot në botë është një ekonomi shifrash të jashtëzakonshme.
Është një ekonomi që rritet me shumëfisha në çdo vit. Të mos harrojmë, që kanabisi sot në botë, është një ekonomi qindra miliardëshe dhe nga ana tjetër, ne kemi një përvojë, pavarësisht se vjen nga një ekonomi ilegale, një përvojë domethënëse. Lexova shkrimin e Blushit që kishte sot shtypi, e kishte nxjerrë nga libri i tij. Edhe sikur 90%, unë mendoj se i ka shifrat korrekte, Blushi thotë atje që Shqipëria kishte një ekonomi ilegale të kanabisit 5 miliardë euro në vit dhe përfitonte diku 500 milionë euro në vit. Pjesa tjetër është një ekonomi që kryesisht e kontrollonte mafia.
Mafia e krimi, i cili pastaj e përdorte para për të futur kriminelë në Parlament, për të blerë ministra, për të bërë investime të paligjshme… 
Të lutem, sepse nuk na keni dhënë deri më sot ndonjë provë që ekonomia e kanabisit ka sjellë kontroll të qeverisë dhe të Parlamentit. Këto janë shifra "zotëri" për një vend të varfër, ekstremist të varfër si ne, për një ekonomi kaq të varfër sa ekonomia jonë. Nëse kemi mundësi të ndërtojmë këtë ekonomi për shtetin, për buxhetin, për fermerët, si mendoni ju, është diçka që duhet t’i ikim me lehtësi?
Zoti Kokëdhima, unë di diçka që ky vend ka hequr shumë për të ndaluar trafikun e qenieve njerëzore, skafistët që çonin refugjatë dhe i hidhnin gjysmën në ujë, tregtinë e kanabisit, tranzitit të drogës, ku ende ka probleme dhe tani të tentosh që shteti të përfshihet në kultivimin e kanabisit më duket jo e drejtë. 
Po gjithë këto shtete që janë përfshirë?
Janë shtete shumë të fuqishme zoti Kokëdhima. 
Vullneti është themelor, të tjerat janë masa.

Keni premtuar ekonomi në rritje, ndërsa sot po sillni si zgjidhje kanabisin. A keni dështuar ekonomikisht? 
Më lër të përgjigjem, e para njëherë, jo se unë nuk kam aftësinë të të përgjigjem, por duhet të jesh korrekt kur më bën pyetje. Nuk mund të më pyesësh si kryeministrin e Shqipërisë apo si hartuesin e Rilindjes, por si deputet i shumicës së Shqipërisë.
Si deputet i kësaj mazhorance që ka një program ekonomik të votuar nga shqiptarët, të cilëve nuk u keni thënë do të kultivojmë kanabisin, por do të zbusim varfërinë. 
Do të më pyesësh si deputet i Parlamentin të Shqipërisë, i cili e bën detyrën e tij si deputet, me përkushtim të plotë dhe në mënyrë shembullore. E dyta, ky deputeti që ke këtu përpara ti, nuk e shkon jetën e tij duke predikuar kanabisin, por e shkon kohën e tij duke punuar 16 orë në ditë për gjithë çështjet që ka zhvillimi ekonomik, social, politik dhe kulturor në zonën time elektorale dhe në gjithë Shqipërinë.

Po ju nuk jeni kryetar i komunave, por deputet… 

Të lutem, po unë bëj rolin e deputetit. Të lutem se nuk më sugjestionon dot. Unë në rolin tim si deputet bëj punën time korrekte dhe nuk është kauza ime thjesht dhe vetëm kanabisi. Unë nuk mund të rri i heshtur kur kuptoj se kemi një mundësi, e cila është shumë e rëndësishme dhe është një mundësi e lidhur me këtë kohë tani, me këto zhvillime të tregjeve tani, sepse tani ne jemi në një moment ku ekonomia botërore e kanabisit rritet me shpejtësi kolosale dhe përfshihen pothuajse të gjitha shtetet e Amerikës, Kanadasë dhe të gjitha shtetet evropiane, në këto zhvillime të mëdha.

Në këto kushte kur kemi këto zhvillime dhe kur Shqipëria ka mundësi që të mos e eliminojë këtë kulturë, këtë aftësi që kanë bujqit tanë, por ta zhvillojë atë mbi baza formale, ta zhvillojë mbi baza ligjore dhe të përfitojë nga kjo ekonomi, kur nuk është në gjendje Shqipëria, t’u japë këtyre fshatarëve një alternativë tjetër.

Ua keni premtuar… 

Merr të gjitha premtimet e mia dhe më thuaj. Për Blushin duhet ta dish që ai është shumë herët i përfshirë në gjithë hartimin e atyre programeve, ndërsa unë kam ardhur në politikë në maj të vitit 2013 dhe punoj me përgjegjësi të madhe dhe ndihem i përgjegjshëm për çdo premtim që ka bërë shumica. Ndjehem shumë i përgjegjshëm, prandaj nga kjo përgjegjshmëri jam i investuar edhe në çështjen e kanabisit, që të shikoj mundësitë për gjithë këta bujq. Çfarë mendoni ju se ne mund t’u japim zgjidhje këtyre bujqve që janë marrë me këtë kultivim, mund t’i japim zgjidhe në 5 vjet? Nuk mund t’u japim zgjidhjen.

Ta thonit atëherë. A nuk është sot ekonomia më keq se kur morët pushtetin? 

Unë nuk kam thënë asnjë gënjeshtër. Kam thënë gjithnjë të vërtetën. Unë nuk them fare si thoni ju, nuk mendoj hiç si ju. Unë mendoj që shifrat që raporton qeveria, edhe sot në Parlament, shifrat dhe treguesit e zhvillimit të ekonomisë janë të vërteta.

Shqipëria është sot më mirë? 

Shqipëria sot është në finalen e një dështimi, të një tranzicioni 25-vjeçar të dështuar me një ekonomi të shkatërruar. Ne nuk grumbullojmë ekonomi si vend.

Sepse e vjedhim… 

Jo zotëri, por që të kesh një skemë për grumbullimin e të pasurive, si vend, si popull, si shtet, duhet të bazohet në shitjen e punës, në eksportin e mallrave dhe jo të lëndëve të para. Nxjerrim ne naftën bruto dhe e eksportojmë bruto, nxjerrim mineralet dhe i eksportojmë. Dhe mineralet që eskortoheshin gjysmë të përpunuara në kohën e diktaturës, edhe ato ekspertohen sot siç dalin.

Një vend nuk pasurohet në këtë mënyrë, por duke eksportuar punën dhe mallrat, prodhimet bujqësore, prodhimet blegtorale. Përfshirë dhe kanabisin nëse ne jemi në gjendje ta bëjmë dhe gjithë prodhimet e tjera që duhet të bëjmë ne. Resurset natyrore zotëri, lëndët e para janë të limituara. Lëndët e para i eksportojmë, i hamë ne brezi i tanishëm dhe nuk do të lëmë asgjë.

Po fokusohem dhe njëherë te kjo temë, jeni biznesmen, keni hyrë në politikë me kredon që biznesi e nderon këtë vend. Zoti Kokëdhima, PS ka akuzuar biznesmenë të caktuar që kanë përfituar dhe kanë qenë klientelë e pushtetit të Berishës. Janë pothuajse të njëjtët biznesmenë që janë klientë të drejtpërdrejtë tuaj, punojnë me ministrat tuaj, kanë kthyer ministrat tuaj në mazhordomë që rrinë para dyerve të këtyre biznesmenëve. Tani ose duhet t’u thoni na falni këtyre biznesmenëve, ose duhet të thoni që këta janë kthyer në klientët tanë? 

Unë jam kategorikisht kundër këtyre insinuatave që lidhen me privatët dhe me biznesmenët. Unë nuk e kam bërë kurrë dhe nuk ia lejoj vetes që të sulmoj qytetarët, sipërmarrësit të cilët bëjnë jetën e tyre, punën e tyre, rriskojnë pasurinë e tyre, që paguajnë taksat e shtetit. Ata janë për mua të nderuar, kushdo qofshin këta. Nëse shteti ka probleme me një person që shkel ligjet, që nuk paguan taksat, duhet që specifikisht të merret me këtë çështje konkrete. Targetime dhe etiketime të tilla janë për mua primitive dhe të palejueshme për një shoqëri të civilizuar.

Atëherë kanë qenë të gabuara kauzat? 

Unë nuk e di fare se për cilën konkretisht e keni fjalën ju. Çdo akuzë për mua ka kuptimin e një gjëje konkrete, ngjarje konkrete, situatë konkrete.

Çfarë po ndodh brenda PS-së, a ka një fraksion dhe a quhet e dështuar qeverisja e majtë? 

Dua të them që qeveria jonë, për mua bën një punë shumë të madhe. Unë nuk pres që kjo qeveri të jetë perfekte dhe as nuk pres që të ketë fuqi të jashtëzakonshme për të korrigjuar të gjitha dështimet e 25 viteve të shkuara. Që të ndërtosh ekonominë e një vendi janë strategji afatmesme dhe afatgjata dhe nuk janë çështje që zgjidhen me një vit e gjysmë.

Të përgatitësh një punë të madhe, jo të përgatisësh një ekonomi, por një punë të madhe, duhet të paktën 2-3 vjet. Këto janë pavarësisht se, po të jetë puna për të bërë kritika, unë bëj kritika më shumë sesa ti dhe di të bëj kritika më shumë sesa ti, por unë nuk nisem nga pozita destruktive dhe nga pozitat e negativitetit, por nisem nga pozita dashamirëse që të vlerësojmë dhe punët e mira, dhe rezervat, dhe dobësitë, që të përmirësoj

SHKARKO APP